Prokurori Erjon Shqarri pas shpalljes së vendimit. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Erjon Shqarri

Prokurori i Vlorës Erjon Shqari pati një seancë të lehtë dëgjimore të martën dhe u konfirmua në detyrë branda ditës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Hetimi i KPK për Shqarrin, sidomos sa i përket kritereve të pasurisë dhe figurës ishin përsëritje e hetimeve dhe qëndrimeve të mbajtura gjatë rivlerësimit të bashkëshortes së tij prokurores së Durrësit Anita Jella.

KPK nuk qëndroi gjatë në këto gjetje, bazuar në të cilat Jella u konfirmua në detyrë në KPK dhe po ashtu edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Megjithatë sa i përket profesionalizmit KPK i kaloi Shqarrit barrë prove në hetimin e dy çështjeve, për të cilat ai diskutoi në seancë edhe me vëzhguesin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jacobs.

Procesi i tij i vetingut u krye nga trupa e përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Roland Ilia anëtar dhe Genta Tafa Bungo relatore.

Erjon Shqarri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Tropojës në vitin 2015 dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Vlorës.

Dosjet me probleme

Relatimi gjatë rivlerësimit të prokurorit Shqarri u fokusua më së shumti në dy dosje. E para kishte të bënte me pushimin e hetimeve për një kallëzim të një vajze ndaj ish-të fejuarit të saj. KPK në relatim tha se i kishte kërkuar sqarime subjektit sa i përket vendimmarrjes në këtë hetim. ONM e cilësonte çështjen me shkelje të rënda. Sipas relatores prokurori nuk e kishte kualifikuar si duhet çështjen duke cënuar besimin te drejtësia dhe “bërë kështu të paefektshëm zbatimin e parimeve të Konventës së Stambollit në Republikën e Shqipërisë”.

Vëzhguesi ndërkombëtar Jacobs tha në seancë se Shqarri e kishte neglizhuar situatën dhe se e kishte parë çështjen me sytë e të akuzuarit dhe jo të viktimës. Jacobs tha se neglizhenca në këtë rast ishte e rëndë.

Shqarri mohoi që rasti në fjalë të ishte një rast përndjekjeje, ai vuri në dukje se kishte kryer hetime të plota dhe i rezultonte se denoncuesja kishte bërë më shumë telefonata ndaj të kallëzuarit se ky i fundit. Sharri këmbënguli se nuk kishte cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Çështja e dytë kishte të bënte me masën e sigurisë ndaj një personi që u identifikua si Sh.L dhe G.L në seancë. Ky person ishte arrestuar në makinë me dy persona të tjerë për armëmbajtje pa leje. Por ndërsa dy personat e tjerë në makinë u caktuan me masë sigurimi burg, ndaj Sh.L Shqarri kishte kërkuar vetëm detyrim paraqitjeje. Në kërkesë Shqarri e identifikonte Sh.L si të padënuar më parë. Por në dosjen gjyqësore Sh.L rezultonte i dënuar dhe ndaj tij kishte edhe hetime të nisura po nga prokuroria e Vlorës. Po ashtu si argument u paraqit fakti që Sh.L u vra më pas në një atentat.

Shqarri u mbrojt se ai nuk kishte pasuri dijeni për dënimin në momentin e paraqitjes së kërkesës për masë sigurimi. Ai tha se dënimi ishte dhënë në një vend tjetër me një emër tjetër dhe se ishte po Shqarri që e kishte përfshirë në dosje disa muaj më vonë pasi ky fakt ishte gjetur.

Në fund të seancës dëgjimore ai kërkoi konfirmim në detyrë, pasi e vlerësoi maksimalisht hetimin e kryer nga Komisioni. Trupa e KPK njoftoi se vendimi do të merrej brenda të njëjtës ditë dhe shpallja u caktua po të martën në orën 15.30, kur Shqarri u konfirmua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *