Godina e SPAK, Tiranë. Foto: SPAK.
Lajme

Nëna e Monika Kryemadhit thotë se u pyet në SPAK për pronat

Fatime Kryemadhi, nëna e deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ishte të enjten më 11 prill në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe kur doli nga ambientet e këtij institucioni deklaroi për mediet se ishte pyetur për pronën e saj.

E pyetur nga gazetarët për arsyen e thirrjes nga SPAK, ajo u shpreh se ishte pyetur për çështjen e shtëpisë.

“Sqarova për pronën. Unë jam mamaja e Monikës, prandaj dhe ju keni ardhur këtu. Jam krenare për vajzën që kam […]. […]Që kur filloi të merret me djegësat ajo, këta filluan të merren pastaj[…]. Unë s’jam pa shtëpi. Kam punuar gjithë jetën. Unë skam qenë pa punë që më kanë nxjerrë këta që me një pension 160 mijë lekë, paskam blerë shtëpi unë”, tha ajo dhe në përgjigje të interesit të gazetarëve nëse ishin pyetur edhe vajzat e deputetes Kryemadhi, theksoi se nuk kishte përse të pyeten.

“Sepse ato i kam mbuluar unë. Unë kam pallatin…. Me shpenzimet e mia që kam pallatin tek toka që më ka lënë burri që kemi punu bashkë. Po ju kujtoni…, për fëmijët i kam, për kë i kam lekët. Ja shkoni i shifni i kam të gjitha me bankë. Çdo gjë është me bankë, derdhje e dalje me bankë”, shtoi Kryemadhi ndër të tjera.

Në fillim të janarit, Gjykata e Posaçme e Apelit, la në fuqi një masë sekuestroj ndaj një telefoni në pronësi të deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi. Telefoni i Kryemadhit është vënë në sekuestro pasi SPAK ka nisur hetime pas disa kallëzimeve ndaj saj dhe personave të lidhur me të, përfshi ish-presidentin Ilir Meta.

Kryemadhi e kundërshtoi sekuestron fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, por u rrëzua. Të njëjtin fat pati dhe ankimi në Apel, ku gjyqtarja Igerta Hysi, ka gjetur të drejtë sekuestrimin duke lënë në fuqi masën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *