Prokurori Madrid Kullolli në seancën e dytë dëgjimore para KPK. Foto; Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Madrid Kullolli jep shpjegime për aspektin profesional pas riçeljes së hetimit

Prokurori i Durrësit, Madrid Kullolli u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK të premten më 12 prill në një seancë të dytë dëgjimore, kur dha shpjegime lidhur me gjetjet e konstatuara bazuar në disa denoncime të publikut kryesisht për çështje profesionale dhe për veprimtarinë e tij si shef seksioni, të mbërritura pas seancës së mëparshme të zhvilluar më 1 mars, kur ai kundërshtoi gjetjet mbi mungesën e burimeve financiare të ligjshme për disa pasuri.

Madrid Kullolli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar për gati dy dekada si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit. Për një periudhë të shkurtër në vitet 2013- 2015, ai e ushtroi detyrën pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Procesi i vetingut për Kullollin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, është i pranishëm Theo Jacobs.

Relatorja Çiftja sqaroi se pas zhvillimit të seancës së parë dëgjimore, është administruar një denoncim lidhur me subjektin, nga është vendosur që të kryheshin disa hetime për pretendimin e ngritur se bashkëshortja e Kullollit ka qenë në rolin e mbrojtësit në çështje penale të cilat i përkisnin prokurorëve të seksionit të cilin drejtonte subjekti në vitet 2008 e 2009 në Prokurorinë e Durrësit. Në vijim, janë kryer edhe 6 denoncime të tjera.

Nga hetimi i kryer për denoncimin e parë ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit ka qenë avokate në 13 çështje penale, të cilat janë hetuar nga disa prokurorë të tjerë. Komisioni konstaton se nuk janë provuar pretendimet e paraqitura në këtë denoncim.

Në një tjetër denoncim, janë ngritur pretendime se Kullolli në cilësinë e shefit të seksionit dhe organizues i shortit për grupin e prokurorëve që drejton, ka mbajtur vetë në mënyrë preferenciale pa short, çështjet që i interesojnë nga dosjet e prokurorëve të larguar apo transferuar dhe se çështjet e tjerat i shorton në mënyrë të padrejtë te prokurorët e tjerë. Sipas denoncuesit, subjekti i përzgjedh çështjet që do të marrë në shqyrtim, me qëllim përfitime personale.

Çiftja tha se në këtë denoncim nuk ishte paraqitur asnjë dokument provues apo indicie lidhur me pretendimet që ngriheshin dhe për këtë arsye është kërkuar nga Prokuroria e Durrësit të vendoset në dispozicion gjithë praktika e hedhjes së shortit nga Kullolli në cilësinë e shefit të seksionit, si edhe ajo e hedhjes së shortit të gatishmërisë për të gjithë periudhën kur ai ka mbajtur këtë funksion.

Sipas KPK, subjekti është caktuar drejtues seksioni në vitin 2021 dhe prej asaj kohe ka organizuar 52 shorte manuale. Ndërsa grafiku gatishmërisë mujore ka rezultuar se nxirret vetëm nga drejtuesi i prokurorisë dhe nuk përpilohet mbi bazën e shortit.

Lidhur me pretendimin se subjekti ka mbajtur vetë në mënyrë preferenciale pa short çështjet që i intresojnë, nga verifikimi i 52 procesverbaleve të mbajtura për shortin manual dhe shpërndarjen e dosjeve, është konstatuar se janë organizuar 21 shorte lidhur me ato çështje për të cilat ekzistonin shkaqe zëvendësimi. Sipas Çiftjas, nga 21 shortet, Kullolli e ka përfshirë veten e tij vetëm në 5 prej tyre, ndërkohë që materialet e tjera u janë shortuar prokurorëve të tjerë të seksionit. Sipas KPK, rezulton se subjekti nuk e ka përfshirë veten në 16 procedura shorti.

Relatorja vërejti se duket se Kullolli nuk ka vepruar në zbatim të udhëzimit për shpërndarjen e çështjeve në prokurori, ku përcaktohet ndarja me short e çështjeve që i kanë rënë çdo seksioni, duhet që të bëhet në raport të drejtë për secilin prej prokurorëve.

Për pretendimin tjetër lidhur me mospërfshirje e subjektit në listën e gatishmërisë, KPK vëren se kjo nuk mund të jetë përgjegjësi e tij, por e drejtuesit të prokurorisë.

Lidhur me këtë denoncim, në përfundim Komisioni ngre dyshime për shpërndarje preferenciale të çështjeve, pasi duket se Kullolli ka organizuar vetëm shorte manual, duke mos garantuar transparencë për paanësinë në këtë proces të ndarjes së dosjeve në seksionin e drejtuar prej tij.

Prokurori Kullolli deklaroi në seancë se shortet manual janë përjashtimore, pasi të gjitha çështjet ndahen fillimisht me short elektronik. Ai shpjegoi se shorti manual aplikohet vetëm në ato raste kur prokurorët largohen apo transferohet dhe për rrjedhojë ato dosje nuk mund t’i nënshtrohen sërish shortit elektronik. “Kur çështja ka marrë një numër elektronikisht, ajo nuk mund të marrë numër tjetër. Por kur prokurori zëvendësohet duhet ndarë me short manual”, tha Kullolli.

Subjekti theksoi se shortet manuale janë transparente për të gjithë prokurorët e seksionit që ai drejton dhe se në përfundim të procesit nënshkruhet procesverbal, ku është mundësia për të shënuar vërejtje nëse ka. “Nuk ka pasur asnjëherë vërejtje”, pohoi Kullolli.

Ai shtoi se nuk ishte e vërtetë se ishte favorizuar duke u shmangur nga lista e gatishmërisë, duke pretenduar se ka ngarkesë mbi mesataren.

Në seancë u evidentua dhe një gjetje e vëzhguesit ndërkombëtar, sipas të cilit subjekti nuk ka hetuar burimet financiare të ligjshme të një personi për t’i dhënë hua rreth 1 milion euro, një shtetaseje të kallëzuar vonë për mashtrim. Çiftja tha se bazuar në këtë gjetje, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove edhe për mos kryerjen e hetimeve për mundësitë e personave të tjerë që e kanë kallëzuar të njëjtën shtetase të cilës i kishin dhënë hua, por ajo nuk i’ua kishte kthyer. Çiftja u shpreh se subjektit i është kaluar barrë prove për të vërtetuar të kundërtën e kosntatimit se ai nuk ka kryer një sërë veprimesh hetimore për të dëmtuarit e veprës penale, lidhur me burimin e parave që ata i kishin dhënë hua të kallëzuarës për mashtrim.

Lidhur me këtë gjetje, Kullolli sqaroi se bëhej fjalë për një hetim të nisur ndaj shtetases O.D., e cila sipas tij kishte mashtruar dhjetëra persona duke u marrë shuma të konsiderueshme parash. Ai vërejti se vlerën reth 930 mijë euro, kallëzuesi që ushtronte aktivitet të sektorin e këmbimit valuator, ja kishte dhënë të hetuarës pjesë – pjesë, në shuma nga 50 mijë euro deri në 120 mijë euro. Sipas tij, ishte vërtetuar se i dëmtuari kishte pasur disa biznese me të ardhura të konsiderueshme vjetore, si edhe se kishte marrë edhe një kredi 700 mijë euro për të rikuperuar dëmet që i ishin shkaktuar nga moskthimi i vlerave nga ana e të kallëzuarës. Kullolli shtoi se kishte ndarë hetimin lidhur me mundësitë financiare të huadhënësve të cilët kishin kryer denoncimet përkatese pasi rasti ishte bërë publik.

Ai deklaroi në seancë se thelbi i çështjes kishte qenë mashtrimi që O.D. u kishte bërë të dëmtuarve.

I pyetur nga komisionerët dhe nga Jacobs lidhur me moskryerjen e hetimeve për burimet financiare të huadhnësve, subjekti tha se procedimi i ndarë ishte regjistruar pa autor për veprën penale “pastrimi i produkteve penale…” dhe se në këtë rast nuk ishte i përjashtuar askush prej hetimit.

“Ajo ishte peshkaqen dhe të tjerët në ato momente ishin viktima”, tha Kullolli ndër të tjera.

Për tre denoncime të tjera u relatua se nuk janë gjetur probleme që të mund të thellohej hetimi. Në përfundim, prokurori Madrid Kullolli paraqiti një historik të punës së tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpalllet më 16 prill, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *