KPK konfirmoi në detyrë Elsa Toskën, kandidate për në Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi konfirmimin në detyrë të këshilltares ligjore të Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska.

Këshilltarja ligjore e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska, gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Këshilltarja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska u konfirmua në detyrë të martën prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Toska u vlerësua për profesionalizmin gjatë seancës dëgjimore disa ditë më parë, por u përball me një raport negativ nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

Megjithatë treshja që hetoi atë, e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulëzim Hamitaj, njoftoi se pas hetimit të thelluar të Komisionit kishte vendosur “konfirmimin në detyrë të Elsa Toskës”, duke rrëzuar raportin e ILDKPKI-së.

Seanca dëgjimore, gjatë të cilës u vu në dukje se Toska nuk kishte probleme me figurën dhe profesionalizmin, u fokusua te mosdeklarimi i një shume prej rreth 14 mijë eurosh që siç doli në seancë ishte përfituar nga bashkëshorti me mbylljen e biznesit, një agjenci udhëtimi.

Toska tha se përshkak se kishin të bënin me marrëdhënie familjare nuk ishte parë e arsyeshme të bëheshin dokumente rreth disa transaksioneve brenda familjes. Ajo megjithatë sqaroi se bashkëshorti kishte provuar huadhënien prej saj me dokumente.

Këshilltarja pranë Gjykatës Kushtetuese tha në fjalën e saj se nuk “do të replikonte me ILDKPKI”, pasi e konsideronte thjeshtë një institucion ndihmës, ndërsa vuri në dukje se hetimi nga komisioni kishte qenë “objektiv”. Toska megjithatë theksoi se ILDKPKI kishte kryer më herët dy hetime të thelluara për pasurinë e saj dhe nuk kishte gjetur probleme.

Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kandiduar për një prej vendeve vakante në këtë gjykatë.