Gjyqtari Niko Rapi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

KPK ngre dyshime për konflikt interesi për gjyqtarin Niko Rapi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për trajtim preferencial dhe konlikt interesi me një kompani që i ka dhënë hua 4 milionë lekë për blerjen e një apartamenti dhe për përdorimin e një makine. Dyshime për konflikt interesi u ngritën edhe për një udhëtim në me një avokat si dhe një udhëtim tjetër për një ndeshje futbolli në Gjermani.   

Gjyqtari Niko Rapi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Niko Rapi u përball të enjten me pyetje për trajtim të mundshëm preferencial dhe konflikt interesi në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Rapi përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh.

Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Relatorja çështjes, Valbona Sanxhaktari tha se hetimi administrativ për gjyqtarin Rapi ishte përfunduar në të tri kriteret. Ajo shpjegoi se dokumentacionit të dorëzuar nga gjyqtari Rapi gjatë hetimit administrativ, i është bashkëngjitur edhe dosja e bashkëshortes së tij, gjyqtares Miliana Muça, e cila u konfirmua në detyrë nga KPK me vendimin e 4 shkurtit 2020.

Dyshimet për konflikt interesi

Komisioni ngriti dyshime për trajtim të mundshëm preferencial dhe situatë të kushteve të konfliktit të interesit mbi një marrëdhënie miqësore mes gjyqtarit Niko Rapi dhe shoqërisë “Bregu sh.p.k”, gjatë kohës që ai ka qenë kryetar i gjykatës së Pogradecit. Dyshimet janë ngritur në një hua me vlerë 4 milionë lekë që Rapi ka marrë nga kjo shoqëri si edhe të përdorimit të një mjeti luksoz, po në pronësi të kompanisë “Bregu sh.p.k”.

Rapi e ka marrë huanë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 95 m2 në Tiranë dhe të një garazhi. Subjekti ka deklaruar se apartamentin e mobiluar dhe garazhin i ka blerë në vlerën totale 10 milionë lekë.

Sanxhaktari tha se për të verifikuar mbi burimet e deklaruara për këtë pasuri janë marrë edhe dokumentacionet e administruara në dosjen e bashkëshortes së Rapit.

Komisioni nuk identifikon probleme për kredinë dhe kursimet, ndërsa një denoncim i mbërritur së fundmi në KPK për dyshime lidhur me një situatë të mundshme të konfliktit të interesit mes gjyqtarit Niko Rapi dhe shoqërisë “Bregu”, ka kushtëzuar verifikime të mëtejshme.

Sanxhaktari tha në seancë se i kanë kërkuar Gjykatës së Pogradecit që të informojë nëse gjyqtari Rapi ka shqyrtuar çështje me palë shoqërinë “Bregu”, prej nga nuk është identifikuar ndonjë rast i tillë.

Relatorja pohoi se vetë subjekti ka deklaruar gjatë procesit të rivlerësimit se kishte përdorur makina të tjera në huamarrje, mes tyre edhe një automjet në pronësi të shoqërisë “Bregu sh.p.k”.  Sipas Komisionit, Rapi nuk e ka pasqyruar në deklaratën periodike përdorimin e kësaj makine tip “Land Rover”, si dhe faktin që ka udhëtuar jashtë shtetit me të.

“Duket se ka patur një trajtim preferencial që shkon përtej miqësisë. Duket një trajtim preferencial i padeklaruar dhe se mund të ishte në kushtet e konfliktit të interesit kur ka qenë drejtues i gjykatës së Pogradecit,” pohoi Sanxhaktari.

Sanxhaktari shtoi se në funksion të verifikimeve është pyetur edhe shoqëria “Kastrati Group” nëse ka lidhur kontrata me “Bregu sh.p.k.” dhe se subjektit i kaluar barra e provës.

“Kur ishte drejtues i gjykatës së Pogradecit, subjekti ka nënshkruar kontrata me një kompani që operon në fushën e shitjes së karburanteve që e kryente këtë aktivitet përmes firmës ‘Bregu sh.p.k,’ tha Sanxhaktari, duke shtuar se provat dhe shpjegimet e administruara do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.

Rapi i kundërshtoi akuzat e KPK-së, duke përsëritur disa herë gjatë fjalës së tij se “nuk e kishte lejuar asnjëherë veten të kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit”, as si gjyqtar dhe as si drejtues.

Ai shpjegoi se para se të merrte huanë, bashkëshortja ishte emëruar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, por ndërkohë kishte prindërit në Korçë dhe nuk mund ta shiste apartamentin që dispononte për të blerë një tjetër në Tiranë.

“U detyrova të blija një tjetër apartament në Tiranë dhe kisha nevojë për likujditet. Administrator i ‘Bregu sh.p.k.’ m’u gjet atëherë afër, e kisha dhe e kam mik,” tha Rapi, duke shtuar se nuk kishte asnjë konflikt interesi.

Lidhur me automjetin tip “Land Rover” të marrë hua nga shoqëria “Bregu”, Rapi pohoi se e kishte përdorur me qëllim që të mos paguante siguracionin 50 euro për mjetin e tij, që nevojitej për udhëtimet jashtë shtetit.

“Atë mjet unë e kam përdorur vetëm 5 ose 6 orë dhe nuk i mbaj mend as ngjyrën. E mora se po t’i prisja siguracionin makinës sime, kushtonte 50 euro, kur unë aq harxhoja për të shkuar në Ohër. Aktet noteriale kanë formulim standart. Aty jepej e drejta e mbajtjes pa afat dhe e shitjes, por ajo makinë është shitur nga administratori i shoqërisë,” pohoi subjekti.

Ai këmbënguli se nuk ka posedim apo përdorim në kohë të këtij mjeti dhe se nuk ka patur detyrimin ta deklaronte në vitin 2016. “Gjithashtu nuk ka as konflikt interesi. Nuk do ia lejoja vetes të vendosesha në një situatë konflikti interesi për të përdorur një mjet. Shpresoj të bindeni se përdorimi ka qenë 5 ose 6 orë dhe se nuk ka trajtim preferencial,” deklaroi gjyqtari Rapi.

Lidhur me konfliktin të mundshëm të interesit me shoqërinë “Bregu sh.p.k”, Rapi tha se nuk rezulton që ky subjekt të jetë palë kontraktore me institucionin që ai drejtonte. “Kontratat kanë qenë me Kastratin. Nuk ka asnjë kontratë apo dokumentacion që shoqëria ‘Bregu’ të kishte fituar qoftë një qindarkë,” tha ai.

“Ka qenë një rast kur shoqëria Bregu ka konkurruar në një tender dhe është zgjedhur shoqëria që ishte më e favorshme për institucionin dhe jo shoqëria Bregu. Nuk mund të ndërhynte drejtuesi se e ndalonte ligji,” shtoi Rapi.

Sanxhaktari evidentoi se huaja 4 milionë lekë ishte dhënë nga shoqëria “Bregu sh.p.k” dhe jo nga miku i tij.

“Pse nuk e shikoni veten në konflikt interesi, kur shoqëria ‘Bregu’ kishte ekskluzivitet për tregëtimin e karburanteve që lidhet dhe me institucionin që ju drejtoni? Pse nuk ua ka dhënë shoku, por shoqëria?” pyeti Sanxhaktari.

Rapi tha se kjo kishte qenë zgjidhja e ortakëve, pasi nuk ishte ndarë dividenti dhe ishte dhënë prej shoqërisë për shpejtësi.

“Ata kishin garanci për huanë se kisha një apartament në Korçë që rrinin prindërit dhe më pas e shita 4.6 milionë lekë. Shpresoj që edhe sipas jush të mos konsiderohet si situtatë në konflikt interesi e të mos merret parasysh në vlerësimin tim,” kërkoi gjyqtari.

Sanxhaktari tha se ishin identifikuar edhe autorizime të tjera për huapërdorje të automjeteve, por nuk kishte rezultuar që gjyqtari Rapi të kishte shqyrtuar çështje me palë ndërgjyqëse personat që i kanë dhënë makinat në përdorim.

Udhëtimi me avokatin në Gjermani

Sanxhaktari identifikoi gjatë seancës dëgjimore një rast kur gjyqtari Niko Rapi kishte udhëtuar jashtë shtetit me avokatin N.Z. Komisioni konstaton se gjyqtari Rapi ka shqyrtuar çështje dhe ka dhënë vendime ku palët janë përfaqësuar nga avokati N.Z..

Rapi deklaroi në seancë se shpenzimet e udhëtimit i kishte paguar vetë.

“Dua të ndalem në proceset gjyqësore me avokatin Nazër me të cilin kam dy udhëtime, një në Selanik dhe një në Strugë, kur kam shkuar për seminare e leksione. Edhe në këtë rast nuk do e lejoja veten të isha më konflikt interesi. Nëse shikohen vendimarrjet ku ai ka qenë avokat është trajtuar si gjithë avokatët e tjerë,” deklaroi Rapi.

Ai shtoi se në pesë raste e ka penalizuar me gjobë avokatin N.Z. “Ka pasur procese që i ka humbur, ka pasur çështje që i ka fituar. Ka pasur raste kur ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit, por i është rrëzuar. Ka pasur raste kur kam dhënë dënime më shumë nga sa kërkuar edhe prokuroria,” tha Rapi, duke shpjeguar se udhëtimet kishin qenë rastësore.

Sanxhaktari e pyeti gjyqtarin Rapi nëse kishte miqësi me avokatin N.Z dhe nëse trajtimi i çështjeve ku ai përfaqësonte palët mund të cënonin besimin e publikut tek drejtësia.

“Fakti që kam patur udhëtim 1-ditor nuk mund të sjellë humbjen e besimit të publikut. Ata që më njohin e dinë që nuk ka ndodhur që pala të paragjykojë vendimarrjen time. Me atë avokat kam marrëdhënie përshëndetëse, si gjithë të tjerët,” u përgjigj ai.

Më pas, vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessing e pyeti Rapin se cili e kishte paguar udhëtimin e subjektit për në Gjermani, hotelin dhe biletën për të ndjekur një ndeshje futbolli.

Rapi këmbënguli se të gjitha shpenzimet i kishte paguar vetë.

“E kisha planifikuar. Nuk kam qenë i ftuar. Nëse njëri është organizator, nuk do të thotë se më ka paguar ftesën. Kam udhëtuar nga Selaniku dhe jo nga Tirana, se ishte më lirë për bileta për në Gjermani. Konfirmoj se pagesa e udhëtimit ka qenë e imja. Dikush tjetër i ka paguar biletat, por unë i kam dhënë lekët. Hotelin e kam paguar vetë, ka qenë rreth 100 euro dhe biletën për në stadium e kam paguar vetë dhe ka qenë 30 euro,” shtoi ai.

Roessing e pyeti Rapin nëse kishte menduar ndonjëherë për perceptimin e banorëve të Pogradecit që mund të mendonin diçka lidhur marrëdhëniet e tij shoqërore.

Ai shpjegoi se nuk kishte pasur asnjëherë kontratë të nënshkruar mes kompanisë “Bregu” dhe gjykatës së Pogradecit.

“Prokura e vitit 2016 nuk është nënshkruar nga ana ine. Është akt noterial i njëanshën vetëm nga administratori. Unë kam marrë mjetin dhe kam udhëtuar. U kam thënë se më duhej një makinë për të udhëtuar në Ohër dhe më dhanë këtë makinë,” shpjegoi Rapi.

Gjyqtari Niko Rapi u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës.

Për aspektin profesional, Komisioni konstaton se në një prej çështjeve të gjykuara nga Rapi, shqyrtimi ka zgjatur 2 vjet e 6 muaj, jashtë afateve të përcaktuara. Sanxhaktari tha se vendimi është ankimuar dhe se ka pasur denoncim ndaj subjektit në KPK për këtë dosje prej paditësit A.M., i cili ankohet për qëndrimin e mbajtur nga Rapi dhe për afatin e zgjatur të procesit.

Gjyqtari Niko Rapi kërkoi në fund të seancës dëgjimore konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vemndimin më datë 21 korrik, ora 09.15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *