Prokurori Bledar Maksuti pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon prokurorin Bledar Maksuti për pasurinë e krijuar nga i ati

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti asnjë problem në karrierën e prokurorit të Tiranës, Bledar Maksuti, por e shkarkoi atë për mungesë burimesh në pasurinë e krijuar nga i ati.

Prokurori Bledar Maksuti pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Bledar Maksuti –pas një procesi të pazakontë që u fokusua tek të ardhurat dhe asetet e krijuara nga babai i tij i ndjerë.

Kjo situatë u evidentua edhe nga trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova në seancën dëgjimore të zhvilluar më 9 prill.

“Më duket sikur kemi bërë vetingun e babait tuaj. Më vjen keq, se ai nuk është më,” tha në fund të seancës dëgjimore relatorja Genta Tafa Bungo.

Komisoni konstatoi pasaktësi në deklarime dhe mungesë burimesh për pasurinë e krijuar nga babai i Maksutit –ish prokuror, noter dhe avokat. Gjatë seancës, prokurori Bledar Maksuti tha se kishte jetuar gjithmonë me prindërit, ndërsa këmbënguli se deklarimet e tij të pasurisë ishin të vërteta dhe të sinqerta.

Maksuti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Procesi i vetingut për Maksutin u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *