Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës, Petrit Çomo pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Vendi

KPK u nda për pastërtinë e figurës së gjyqtarit Petrit Çomo

Shumica e trupit gjykues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konkludon se nuk ka prova që e implikojnë gjyqtarin e Tiranës Petrit Çomo, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, me dyshimet e ngritura nga DSIK për kontakte të papërshtatshme, favorizim në gjykim apo ndikim të paligjshëm. Pakica vlerëson se provat mbështetin konkluzionin për papërshtatshmërinë e Çomos dhe vëren se Komisioni duhej të kishte kryer verifikime në mënyra të tjera.

Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës, Petrit Çomo pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikikimit, KPK u nda në vendimin e datës 6 gusht 2020 për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës Petrit Çomo, duke dalë me qëndrime të ndryshme për kriterin e pastërtisë së figurës.

Shumica e përbërë nga kryesuesja e trupit gjykues Brunilda Bekteshi dhe realtori Olsi Komici e rrëzuan raportin negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK duke konkluduar se Çomo kishte arritur një nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës.

Ndërsa anëtarja Xhensile Pine, në pakicë, shprehet se pas shqyrtimit të dokumentacionit për kriterin e figurës, arrin në përfundimin se në vlerësimin tërësor, subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut te drejtësia dhe se duhej të ishte shkarkuar.

Ndërkohë, Komisioni konkludon se Çomo ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë dhe se konsiderohet “i aftë” në vlerësimin e aftësive profesionale.

Petrit Çomo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për gati dy dekada si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2015, Çomo u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë –detyrë të cilën e mbajti deri në shkrirjen e këtij institucioni.

Sipas raportit të DSIK për gjyqtarin Çomo administrohen informacione nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar.

Gjithashtu, DSIK ka raportuar se ndaj Çomos disponohen të dhëna nga të cilat ngrihen dyshime për favorizim të personave në gjykim dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

“Petrit M. Çomo *********** ka pasur kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe ngrihen dyshime se një person tjetër ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj gjyqtarit Petrit Çomo, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për disa çështje gjyqësore”, thuhet në raportin e DSIK të dorëzuar në Komision.

Sipas DSIK, informacioni në ngarkim të subjektit të rivlerësimit evidenton qartë se ka pasur kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar, gjë që nuk e ka pasqyruar në deklaratën e kontrollit të figurës.

Shumica shprehet se janë kryer hetime të thelluara në lidhje me këto konstatime, duke verifikuar nëse personi i dyshuar si kontakt i papërshtatshëm ka qenë ose jo i përfshirë në krimin e organizuar.

Në vendim thuhet se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konfirmon se nuk rezulton që ndaj këtij personi të jenë dhënë vendime apo të ketë çështje aktualisht në gjykim në ngarkim të tij. Gjithashtu, SPAK ka konfirmuar se ndaj këtij shtetasi nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë procedim penal për përfshirje në krim të organizuar.

Sipas KPK, edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe ato të rretheve kanë informuar se ndaj këtij personi nuk ka pasur procedim penal për vepra penale që kanë të bëjnë më krimin e organizuar. Ndërkohë që Prokuroria e Fierit ka konfirmuar se në vitin 2017 ka regjistruar procedim penal për “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” ndaj personit që DSIK e referon si kontakt të papërshtatshëm të gjyqtarit Çomo.

Subjekti i rivlerësimit i ka kundërshtuar raportin e DSIK, duke i konsideruar konkluzionet e paraqitura si krejtësisht subjektive dhe të pabazuara në asnjë provë.

Shumica shprehet se pas hetimeve të thelluara nuk janë gjetur prova e implikojnë Çomon me dyshimet e ngritura nga DSIK, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë.

Sipas KPK, nuk u provua favorizimi i personave të ndryshëm në procese gjyqësore, për arsye se nga korrespondencat e kryera me organet ligjzbatuese nuk u provua pjesëmarrja e subjektit të rivlerësimit qoftë si gjyqtar i vetëm, apo edhe si anëtar trupe gjykuese, në procese gjyqësore ku kanë qenë palë subjektet e përmendura në raportin e DSIK.

Gjithashtu, shumica vlerëson se nuk u provua ushtrimi i ndikimit të paligjshëm që lidhet drejtpërdrejt me detyrën funksionale të subjektit tek subjekte të tjera rivlerësimi, gjyqtarë apo prokurorë.

“Edhe në një rast të konstatuar në raport nuk vërtetohet, qoftë nga organet ligjzbatuese, ashtu edhe nga hetimi i Komisionit, lidhja shkak-pasojë, nuk vërtetohet lidhja konkluzive ndërmjet marrjes përsipër për dhënien e ndihmës, kontaktimit të ndonjë subjekti rivlerësimi, gjyqtar, kërkimit për të favorizuar një palë ndërgjyqëse, si dhe dhënia e një vendimi gjyqësor në favor të palës ndërgjyqëse si rezultat i ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga subjekti i rivlerësimit”, argumenton shumica dhe vlerëson se në këto kushte është e pamundur t’i atribuohet subjektit të rivlerësimit vepra e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Bekteshi dhe Komici theksojnë se, shtetasi që supozohet se është favorizuar është shpallur i pafajshëm me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimmarrje që është lënë në fuqi edhe nga Apeli. Komisioni evidenton se nuk u provuan dyshimet për kryerjen e ndonjë veprimi në të ardhmen, qoftë edhe në formë tentativash të subjektit, që të mund të vlerësoheshin deri në atë masë që mund të cënojnë besimin e publikut.

Shumica i gjen objektivisht bindëse shpjegimet e Çomos dhe çmon se nuk ka rrethana të provuara që mund ta ngarkojnë atë me ndonjë përgjegjësi shkarkuese.

Komisioni vëren se nga hetimet e kryera nuk rezultoi që Çomo të ketë pasur kontakte të papërshtatshme në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të jetë përfshirë në veprime korruptive apo të ketë kryer veprime me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në çështje gjyqësore. Në përfundim, shumica vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e figurës.

Anëtarja Xhensila Pine, në pakicë shprehet se ka votuar kundër vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Çomo dhe parashtron argumentet për qëndrimin e saj.

Pine analizon raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për gjyqtarin Çomo, ku është konkluduar papërshtatshmëria e tij për vazhdimin e detyrës. Ajo sqaron se trupi gjykues i Komisionit së bashku me vëzhguesen ndërkombëtare të ONM-së, me qëllim verifikimin e burimeve të informacionit, ka aksesuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror” që i përket praktikës së verifikimit të kryer nga organet ligjzbatuese për kontrollin e kriterit të figurës për gjyqtarin Petrit Çomo.

“Në të kundërt të sa ka arsyetuar shumica e trupit gjykues, kam vlerësuar se nga dokumentacioni i verifikuar, provat e aksesuara ‘sekret shtetëror’, mbështesin përfundimin e arritur prej Grupit të Punës, mbi ‘ushtrim të ndikimit të paligjshëm gjatë kryerjes së detyrës'”, vlerëson Pine.

Sipas saj, ndryshe nga sa konstaton DSIK, shumica ka referuar të njëjtin person lidhur me dyshimet për ndikim të paligjshëm dhe kontaktin e papërshtatshëm, kur sipas raportit ata identifikoheshin si dy individë të ndryshëm.

“[…]hetimi i shtrirë ndaj personit i cili referohej se kishte ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj subjektit nuk mund të referohej dhe përdorej edhe lidhur me arsyetimin për kontaktin e papërshtatshëm, për sa në raportin e kontrollit të figurës ata identifikoheshin si dy individë të ndryshëm”, thekson Pine.

Pine vlerëson ndryshe edhe lidhur me një informacion për shtetasin T.M. në cilësinë e administratorit të një shoqërie dhe shtetasit P.B. në cilësinë e aksionerit të vetëm.

Shumica e trajton këtë informacion edhe në kriterin e aftësive profesionale, ku vërehet se inicialet e pronarit të shoqërisë janë të ndryshme nga ato të shënuara në mendimin e pakicës, pasi aksioneri i vetëm i shoqërisë përshkruhet si A.B..

Komisioni sqaron se, nisur nga disa indicie ka vlerësuar të verifikojë disa çështjeve me palë një shoqëri që zotërohet nga shtetasi A.B. dhe e administruar nga shtetasi T.M..

Në vendim thuhet se subjekti ka shpjeguar se edhe në pyetësorët e mëparshëm ka sqaruar njohjen me shtetasin A. B..  Sipas Çomos, ky person nuk ka qenë kurrë subjekt i krimit të organizuar dhe se në dijeninë e tij nuk ka qenë i dënuar as për ndonjë vepër penale të zakonshme. Për shtetasin T.M., Çomo ka deklaruar se nuk kujton ta ketë takuar ndonjëherë.

Sipas shumicës, T.M. ka pasur një çështje penale në vitin 2015 “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, për të cilën është shpallur i pafajshëm dhe është lënë në fuqi edhe në Apel. Komisioni konstaton se kjo çështje nuk është shqyrtuar nga gjyqtari Çomo.

Për vitin 2014 nuk ka rezultuar ndonjë çështje me palë shtetasin T.M.. Ndërsa për shoqërinë dhe pronarin e saj A.B., gjykata ka vënë në dispozicion të Komisionit 18 vendime gjyqësore civile. “Nga verifikimi i këtyre vendimeve rezulton se subjekti Petrit Çomo nuk ka qenë gjyqtari që ka gjykuar apo që të ketë qenë pjesë e trupës gjykuese të tyre”, konstaton shumica.

Pine në pakicë vëren se korrespondenca me Gjykatën e Tiranës për shtetasin T.M. për vitin 2014 duhej të ishte kryer jo vetëm për atë si individ, por edhe si administrator i shoqërisë.

“Aksioneri i vetëm i kësaj shoqërie, z. P.B., në datën 17.10.2015, referuar të dhënave të sistemit TIMS është arrestuar dhe proceduar penalisht për veprën e parashikuar nga neni 283 i Kodi Penal, duke rezultuar në rrethin e personave të përfshirë në krimin e organizuar[…]”, konstaton Pine.

Ajo sjell në vëmendje deklarimin e Çomos se nuk kishte njohje me z.T.M. dhe vlerëson se vetëm verifikimi dhe identifikimi për proceset e këtij shtetasi si përfaqësues ligjor i kësaj shoqërie do t’i mundësonte trupit gjykues të analizonte njohjen e subjektittë rivlerësimit me aksionerin e vetëm të kësaj shoqërie, z.P.B. – për të arsyetuar në vijim mbi konkluzionin tjetër të arritur nga DSIK, sipas të cilit subjekti nuk ka deklaruar një kontakt të papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

“[…]e cila ngarkonte subjektin e rivlerësimit Petrit Çomo me përgjegjësinë e fshehjes së një fakti, e plotësimit të pasaktë dhe me vërtetësi të Deklaratës për Kontrollin e Figurës”, konstaton Pine.

Anëtarja në pakicë, Xhensila Pine arrin në përfundimin se, në drejtim të verifikimeve të kriterit të figurës, në vlerësimin tërësor, gjyqtari Petrit Çomo ka cënuar besimin e publikut te drejtësia dhe se duhej të ishte shkarkuar nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *