Gjyqtari Luan Daci dhe avokati i tij, Jordan Daci gjatë masës së sigurisë në shkallën e parë. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni Lajme Në Fokus

Apeli lë në fuqi fajësinë për anëtarin e KPA, Luan Daci

Gjykata e Posaçme e Apelit e gjeti të drejtë vendimin e shkallës së parë për Luan Dacin, ndërsa ky i fundit e konsideroi procesin një “puç të organizuar” dhe tha se do të bënte rekurs në Gjykatë të Lartë.

Gjyqtari Luan Daci dhe avokati i tij, Jordan Daci gjatë masës së sigurisë në shkallën e parë. Foto: Edmond Hoxhaj.

Në një seancë të shkurtër mëngjesin e së hënës, Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi lënien në fuqi të fajësisë për anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.

Daci akuzohet se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin në KPA, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997.

Daci u dënua më 1 dhjetor 2020 nga Gjykata e Posaçme me 6 muaj burg dhe pezullimin e këtij dënimi me 1 vit, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të paraqitet pranë Shërbimit të Provës.

Pas lënies në fuqi të dënimit nga Apeli, Daci e konsideroi vendimin të kundraligjshëm dhe paralajmëroi se do ta vazhdonte betejën në Gjykatë të Lartë.

“Me urgjencë brenda dy ditësh do të bëj rekurs. Nuk ndodh në asnjë vend të botës të dënohesh pa vepër penale,” tha ai për mediat.

Daci shtoi gjithashtu se nuk do të largohej nga KPA, ndërsa aludoi se të dy vendimet ishin “një puç i mirëorganizuar’ me qëllimin e dëmtimit të reformës në drejtësi.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

Prej korrikut 2020, ai është pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në pritje të vendimit të formës së prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *