KPK vendos me shumicë të shkarkojë prokurorin Gentian Stoja

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash që të shkarkojë nga detyra prokurorin e Korçës, Gentian Stoja.

Prokurori Gentian Stoja, pas vendimit të KPK. Foto:Edmond Hoxha

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Korçës, Gentian Stoja. Kryesuesja e trupit gjykues, Xhensila Pine sqaroi se vendimi për shkarkimin është marrë më shumicë votash.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 4 qershor, prokurori Stoja dha shpjegime për shitjen e dy mjeteve më shtrenjtë nga sa i kishte blerë; për gjendjen cash dhe për dy vlera të konsiderueshme të disponuara nga bashkëshortja. Ai kërkoi rishikimin e balancës negative për pasurinë.

Gjithashtu, Stoja u përball në seancë me një raport negativ të DSIK, gjetjet për vendimet e pushimit dhe mosfillimit të disa çështjeve, si dhe një rast të mundshëm konflikti interesi në hetimin e një shtetasi, me vëllain e të cilit deklaroi se kishte udhëtuar rastësisht në Greqi.

Gentian Stoja e ka nisur karrierën në vitin 2000 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në vitin 2009 dhe prej asaj kohe ushtroi funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Korçë. Stoja u fut në garë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Korçës.