Komisionerja Etleda Çiftja pas seancës në KPA | Foto: LSA
Artikull kryesor !

“Kundravajte administrative”: Anëtarja e KPK-së Etleda Çiftja shpallet e pafajshme

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, njoftoi të premten më 16 shtator vendimin për shpalljen të pafajshme të anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, e cila u akuzua nga SPAK për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve’ dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Vendimi i pafajësisë për Etleda Çiftjan u dha nga gjyqtari Erjon Bani. Në vendimin e arsyetuar që Gjykatës e Posaçme shpërndau për mediet, gjyqtari Bani sqqaron fillimisht në mënyrë të detajuar se ka kërkuar dorëheqjen për shkak se komisionerja Etleda Çiftja ka qenë një prej anëtareve të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kreu procesin e rivlerësimit ndaj tij, që më datë 24 maj 2021 e konfirmoi në detyrë.

Bani sqaron se në kërkesën për heqje dorë nga gjykimi drejtuar kryetares në detyrë të Gjykatës së Posaçme, ka parashtruar faktin se Çiftja ka qenë anëtare e trupës së KPK që e rivlerësoi, por ndërkohë ka theksuar se marrdhëniet me të pandehurën kanë qenë dhe janë ‘indiferente’. Ai ka vërejtur se mund të vihet në dyshim “paanësia në dukje”.

Kryetarja e gjykatës ka çmuar se kjo situatë nuk përligj dhe nuk përbën shkak për heqjen dorë të gjyqtarit nga gjykimi i kërkesës penale, si dhe nuk përbën pengesë ligjore për gjykimin me objektivitet dhe paanësi të kësaj kërkese nga gjyqtari. Ajo ka vërejtur se procesi i vetingut për gjyqtarin Bani është përfunduar me vendim të formës së prerë dhe se nuk ka konflikt interesi.

Erjon Bani ishte caktuar si gjyqtar i seancës paraprake, por pas kërkesës së Çiftjas për gjykim të shkurtuar dhe pranimit të kësaj kërkese, u kalua në gjykimin e drejtëpërdrejtë, ku gjyqtari paraprak mori atributin e atij të themelit.

Në vendimin e arsyetuar sqarohen rrethanat e fakteve që kanë sjellë situatat për të cilat SPAK ka ngritur akuzë ndaj Çiftjas. Në vitin 2006 Çiftja ka dashur të blejë një apartament në Tiranë në vlerën rreth 42 mijë USD dhe për shkak të pamundësisë financiare i është drejtuar një banke për kredi, që ka kërkuar vendosjen e një pasurie të paluajtshme si kolateral. Për shkak se apartamenti që është dakordësuar të blejë nuk ishte i regjistruar, nuk mund të vendosej si kolateral dhe në këto kushte është kërkuar një pasuri si garanci.

Sipas deklarimeve të Çiftjas e të dëshmitarëve të tjerë në hetimin penal, banka ku do merrej kredia ka sygjeruar që të paraqeste një kontratë blerje të një prone tjetër që plotësonte kushtet e përcaktuara lidhur me vlerën.

Në këtë periudhë, babai i Çiftjas ka filluar procedurat për regjistrimin e dy pronave në Kavajë që plotësonin kushtet për kolateral sipas kërkesave të bankës, konkretisht dy parcela toke që i ka përfituar sipas ligjit “Për Tokën”, në vitin 1995. Pronat pasi janë regjistruar vlerësoheshin sipas trugut të lirë në shumën 48 mijë euro.

Çiftja dhe dëshmitarët kanë shpjeguar se sipas rekomandimeve të bankës, është kryer akt shitblerje mes saj dhe babait për këtë tokë, në shumën 300 mijë lekë. Por nisur nga fakti se banka e kërkonte në vlerë më të madhe është shënuar në vijim shuma 50 mijë euro. Nga hetimi ka rezultuar se në ZVRPP Kavajë është regjistruar kontrata e shitjes me çmim 300 mijë lekë. E pandehura e ka cilësuar si një ngatërresë e paqëllimtë në faqosjen e kontratës dhe dokumentat bashkalidhur, por që nuk është kryer prej saj.

Ndërkohë, është sqaruar se në fakt, akti i shitjes ishte një formë dhurimi e kryer nga babai me qëllim përfitimin e kredisë dhe se nuk i kishte shlyer familjes prindërore ndonjë vlerë.

Bazuar në këto fakte, prokuroria ka ngritur akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, por gjykata çmon ndryshe. Sipas gjyqtarit Bani, falsifikim do të kishte nëse dokumenti nuk do të rridhte nga palët që e kanë ndënshkruar atë me dakordësi. “[…]Pasi qëllimi i vërtetë i palëve në lidhjen e këtyre kontratave ka qenë të mbulojë veprimin juridik të dhurimit, i cili përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për vlefshmërinë e tij, me qëllim sigurimin e një kredie bankare nga e pandehura Etleda Çiftja për të financuar apartamentin e vetëm që ajo ka në pronësi”, arsyetoi Bani gjatë shpalljes së vendimit të përmbledhur.

Gjykata çmon se, në kuadrin e çështjeve civile bëjnë pjesë dhe paditë për pavlefshmërinë e veprimeve juridike, ku përfshihen dhe veprimet juridike “fiktive ose të simuluara”. Për rrjedhojë konkludon se këto ҫështje nuk bëjnë pjesë në juridiksionin penal.

Sipas gjykatës, prokuroria duhej të kishte proceduar me mosfillim të procedimit lidhur me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” dhe nëse procedimi do të kishin filluar, duhej të kërkonte në gjykatë pushimin e çështjes.

Bani ka kryer në vijim analizë të mundësisë së konsumimit te veprave penale nëpërmjet këtyre veprimeve fiktive. Sipas tij, megjithëse veprimet juridike fiktive ose të simuluara nuk i plotësojnë elementët e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve”, përpilimi dhe përdorimi i tyre në praktikë mund të passjellë përgjegjësi penale për vepra të tjera penale, nëse bëhen me qëllim mospagimin e taksave në vlerën e parashikuar nga kuadri ligjor në fuqi, duke konsumuar veprën penale “fshehja e të ardhurave”.

Por, duke ju referuar legjslacionit të kohës lidhur me “fshehjen e të ardhurave”, Bani vëren se që të konsumohej kjo vepër penale, duhej që më parë të ishte marrë masë administrative.

Në vendim thuhet se në rastin konkret nuk rezulton që të jetë marrë ndonjë masë e tillë ndaj familjarëve të të pandehurës Çiftja, pasi kjo e fundit në kontratat e shitjes nuk paraqitet në pozicionin e shitësit që të mund të përfitonte të ardhura. Gjykata konstaton se në këtë rast nuk rezulton të jetë marrë asnjë masë administrative dhe për rrjedhojë i bashkohet qëndrimit të prokurorisë, se kjo vepër penale nuk është konsumuar.

Po ashtu, nuk është konstatuar të ketë elementë të veprës penale “mashtrim me kredi”, pasi vlera e kredisë është shlyer e gjitha prej Çiftjas.

Lidhur me akuzën e dytë, atë të deklarimit të rremë të pasurisë, Bani arsyeton se kjo ndodh në rastet kur funksionari pasqyron në deklaratë më tepër pasuri se sa ka, në mënyrë që me vonë të mund të justifikojë shtimin e pasurisë nga ndonjë veprim i mundshëm korruptiv dhe jo të lërë pa deklaruar pasuri që janë përfituar në mënyrë të ligjshme.

“[…]Do të ishim përpara deklarimit të rremë të pasurisë, të pasqyruar në deklaratën e pasurisë nëse subjekti i deklarimit pasqyron si fakt fitimin e një pasurie nëpërmjet dhurimit, ndërkohë që provohet që ky akt është fiktiv, pasi realisht subjekti e ka blerë nga burime të paligjshme, si dhe rastet kur subjekti i deklarimit deklaron blerjen e një pasurie në një vlerë më të vogël se vlera reale e blerë apo shitjen e një pasurie me një vlerë më të lartë se vlera reale e shitur”, argumenton gjykata dhe thekson se të gjitha deklarimet e rreme duhet të bëhen nga subjekti i deklarimit me qëllim futjen e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme në sistemin e rregullt fiskal dhe pasqyrimin në formularët e deklarimit të interesave privat, duke përdorur forma të ndryshme justifikimi.

Sipas Banit, rasti në gjykim nuk është i tillë, pasi rezulton që toka të jetë përfituar në mënyrë të ligjshme nga familja e Çiftjas, si edhe apartamenti i blerë prej saj. Ai shton se deklarimi i pasaktë dhe i paplotë i kryer në deklaratën para fillimit të detyrës nga Çiftja, është korrigjuar kur ajo është thirrur dhe pyetur në ILDKPKI.

“Pra, nuk konsiderohet deklarimi i rremë i pasurive kur kemi të bëjmë me gabime materiale, parregullsi ku futen dhe mosplotësimi i të gjitha rubrikave të deklaratës, duke lënë pasuri të ligjshme të padeklaruara apo plotësime të gabuara të deklaratës së pasurisë, për të cilat subjekti i deklarimit thirret nga ILDKPKI-ja për t’i ndrequr ato”, shprehet Bani.

Megjithëse në deklaratën e parë Çiftja ka deklaruar si burim të pasurive të blera pagat, për sipërfaqet tokë arë, konkludohet se burim është dhurimi nga familjarët, ndërsa për apartamentin kredia e marrë nëpërmjet aktit fiktiv të shitblerjes së tokave.

Gjykata vëren se gjatë hetimit është provuar vërtetësia e shpjegimeve të dhëna nga Çiftja në ILDKPKI lidhur me burimet reale të pasurive dhe për rrjedhojë, prokuroria do të ishte në kushtet për të ngritur akuzë ndaj të pandehurës, vetëm nëse do të provohej e kundërta e asaj që kishte deklaruar. Në vendim thuhet se ligji nuk njeh përpilim të një deklarate të re, por ajo konsiderohet e korrigjuar me shpjegimet që japin subjektet deklarues në procesverbalin e mbajtur nga Inspektorët e ILDKPKI-së.

Për zgjidhjen e çështjes, gjykata thërret në ndihmë edhe jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, sipas të cilit, “pasaktësitë në deklarimin e pasurisë të pa shoqëruara me mungesë të burimeve të krijimit të pasurive, në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk passjellin as përgjegjësi disiplinore”. “[…]Për rrjedhojë nuk ka sens logjik e juridik të sjellë përgjegjësi penale”, shprehet Bani.

Në përfundim, ai çmon se fakti objekt gjykimi nuk përbën vepër penale, por kundërvajtje administrative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *