Gjyqtarja Matilda Shala duke dalë nga KPK | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Matilda Shalla përballet me probleme për pasurinë

Gjyqtarja Matilda Shalla e Gjykatës së Fierit u përball të martën më 26 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrën e provës për pasurinë si dhe iu përgjigj pyetjeve të komisionerëve lidhur me situatën e zgjidhjes së martesës.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Shalla kryesohet nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Chiardi.

Matilda Shalla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2009, Shalla e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Fier.

Hetimi administrativ paraprak për gjyqtaren Matilda Shalla është përfunduar vetëm në kriterin e pasurisë.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar në raportin e tij të dërguar në Komision se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë, se nuk ka pasur burime të ligjshme financiare, se ka kryer fshehje të pasurive dhe deklarim të rremë.

Relatorja Pamela Qirko deklaroi se KPK ka kryer hetim të pavarur nga ILDKPKI. Qirko u ndal fillimisht në hetimin e kryer për një apartament me sipërfaqe 136 m2 në Tiranë, të blerë prej subjektit dhe ish-bashkëshortit në vitin 2013 nga një bankë, kundrejt çmimit 174 mijë euro. Ajo relatoi një situatë komplekse të transaksioneve të kryera deri në blerjen e këtij apartamenti nga subjekti.

Sipas KPK, apartamenti i ishte shitur subjektit dhe ish-bashkëshortit në fund të vitit 2013 prej një banke gjatë një procedure ankandi dhe ishte përcaktuar që shuma 80 mijë euro të paguhej brenda 5 ditëve, ndërsa pjesa tjetër brenda janarit të 2014-ës.

Pas pagesës së këstit të parë 80 mijë euro, pjesa tjetër është marrë kredi nga e njëjta bankë, që është siguruar me të njëjtin apartament të vendosur si garanci.

Nga hetimi ka rezultuar se ky apartament është blerë nga ish-bashkëshorti i subjektit në vitin 2011. Sipas Qirkos, gjatë hetimit administrativ subjekti ka shpjeguar se bëhet fjalë për të njëjtën pasuri që ka deklaruar përpara fillimit të detyrës dhe se ka jetuar gjithmonë aty.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe ish-bashkëshorti kanë blerë një apartament për shumën 127 mijë euro në vitin 2007. Si burim krijimi të kësaj pasurie ka shënuar në deklaratën përpara fillimit të detyrës një kredi në shumën 20 mijë euro dhe 107 mijë euro të ardhura të ish-bashkëshortit të krijuara në emigracion para martesës.

“Komisioni nuk ka konstatuar lidhje midis këtyre dy apartamenteve”, deklaroi Qirko. Lidhur me apartamentet e blerë në vitet 2007 dhe 2011, Qirko shtoi se subjekti ka pasur si detyrim deklarimin e të drejtave mbi këtë pasuri. Relatorja vërejti se në vitin 2013, subjekti kishte deklaruar se apartamenti me sipërfaqe 136 m2 ishte blerë në 2011-ën.

Në vijim Qirko konstatoi se për apartamentin e blerë në vitin 2007 kundrejt shumës 108 mijë euro, shoqëria ndërtuese nuk kishte vendosur në dispozicion dokumentacion lidhur me pagesat e kryera duke u justifikuar me kohën e gjatë që kishte kaluar.

Nga sa u relatua në seancë prej Qirkos, prej hetimit administrativ është ka rezultuar se subjekti kishte prenotuar një apartament me sipërfaqe 72 m2 në vitin 2004 kundrejt çmimit 55 mijë euro dhe se si një prej burimeve kishte qenë kredia në shumën 20 mijë euro.

Bazuar në këto gjetje, KPK i ka kaluar subjekti barrë prove për pamundësinë e vërtetimit të burimeve të apartamentit në vitin 2007, pasi kredia ka rezultuar se ka shërbyer për blerjen e apartamentit tjetër në 2004-ën. Ndërkohë, nuk është provuar ligjshmëria e të ardhurave të ish-bashkëshortit nga emigracioni.

Sipas Komisionit, nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative në shumën 13 milionë lekë për blerjen e apartamentit në vitin 2007. Gjithashtu, subjekti nuk ka deklaruar apartamentin me sipërfaqe 72 m2 të porositur në 2004-ën.

Si burime krijimi për blerjen e apartamentin me sipërfaqe 136.m2 për çmimin 174 mijë euro që subjekti zotëron aktualisht, ka deklaruar një kredi në shumën 95 mijë euro që ka rezultuar pa probleme dhe të ardhurat e ish-bashkëshortit në vlerën 80 mijë euro. Sipas Qirkos, subjekti ka shpjeguar se ish-bashkëshorti kishte marrë një vlerë nga një shoqëri për revokimin e një kontrate për një apartament tjetër, që kanë pasur si burim të ardhurat nga disa shoqëri ku ai rezulton të jetë ortak.

Qirko tha se shoqëritë ku ish-bashkëshorti rezulton ortak, nuk kanë shërndarë divident dhe për rrjedhojë të ardhurat nuk janë përfshirë si burime të ligjshme në analizën financiare nga ka rezultuar balancë negative totale në shumën 33 milionë lekë për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 136 m2.

Komisioni ka hetuar disa transaksione të ish-bashkëshortit në vitin 2013, prej nga ka rezultuar se për një detyrim në shumën 280 mijë euro, ai kishte vendosur si garanci apartamentin me sipërfaqe 136 m2. Pasi nuk ka shlyer detyrimin, apartamenti është bllokuar nga banka dhe e ka nxjerrë në shitje, që në vijim është blerë sërish prej tij dhe gjyqtares Shalla.

Sipas Komisionit, subjekti rezulton në pamundësi edhe për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 22.6 m2 në vitin 2012, kundrejt shumës 22 mijë euro, pasi e krijuar gjatë martesës.

Megjithëse subjekti ka dorëzuar si prova dokumentet për të ardhurat e përfituara nga ish-bashkëshorti nga shitja e kuotave të një shoqërie që zotëronte, rezulton se ky transaksion është kryer pas blerjes së garazhit dhe për rrjedhojë ky burim financiar nuk është përfshirë në analizën financiare prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 3 milionë lekë.

Gjyqtarja Matilda Shalla u paraqit në Komision me përfaqësuesin e saj ligjor, avokatin Aranit Roshi, i cili në mënyrë të përmbledhur paraqiti qëndrimin e subjektit lidhur me barrën e provës për pasurinë.

Ai e cilësoi të pasaktë dinamikën e konstatimeve të Komisionit lidhur me apartamentin 136 m2. Roshi theksoi se pasuritë e vetme të subjektit janë vetëm apartamenti me sipërfaqe 136 m2, garazhi dhe një automjet. “Kjo është e gjithë pasuria”, deklaroi ai dhe solli në vëmendje se vlera e apartamentit nuk është shlyer ende pasi po paguhet çdo muaj kredia 95 mijë euro, ku si garanci është vendosur banesa në fjalë.

“Relatimi krijon përshtypjen se janë disa apartamente”, vërejti Roshi dhe sqaroi se kur është kryer prenotimi në vitin 2004 për apartamentin me sipërfaqe 72 m2, nuk ka pasur objekt të ndërtuar. Sipas tij, ndërtimi ka pësuar ndryshime dhe subjekti me ish-bashkëshortin e kanë parë të arsyeshme për të pasur një apartament më të madh, duke vijuar me kontratën e vitit 2007 me apartamentin me sipërfaqe 117 m2.

Sipas Roshit, në këtë kontratë përcaktohet edhe garazhi, ku të dyja pasuritë janë përcaktuar të blihen për shumën 127 mijë e 300 euro. Sipas mbrojtësit të Shallës, këto pasuri janë krijuar para fillimit të detyrës.

Për burimin e të ardhurave të ish-bashkëshortit nga emigracioni Roshi deklaroi se në atë periudhë shqiptarët nuk kanë punuar me dokumentacion të rregullt jashtë shtetit.

Ai këmbënguli se apartamenti i porositur në vitin 2007 është i njëjti me atë që zotëron subjekti. Sipas tij, në sipërfaqen 117 m2 të pasqyruar në kontratën e vitit 2007 nuk përfshihet veranda që rezulton në dokumentacionin e vitit 2013.

Po ashtu, Roshi theksoi se nuk ka ndryshuar burimi i krijimit të kësaj pasurie. Sipas tij, kanë qenë të njëjtat burime financiare që prej vitit 2004. “Administratorja e pallatit thotë në deklarimin e saj se marrdhënia ka filluar me apartamentin 72 m2 në vitin 2004 dhe se është ndryshuar struktura e apartamentit. Nuk ka pasur marrdhënie për apartament tjetër. Bëhet fjalë për marrdhënie të shtrirë në kohë. Apartamenti me sipërfaqe 117 m2 është ai i njëjti, apartamenti 136 m2”, sqaroi Roshi dhe shtoi se kishin depozituar një akt ekspertimi që konfirmon se është i njëjti apartament.

Ai shtoi se formalizimi i marrdhënies për këtë pasuri ishte kryer në vitin 2007 dhe se nuk kishte pasur detyrim për deklarimin në 2011-ën. Në vijim, Roshi sqaroi se subjekti kishte qenë në proces divorci në vitin 2010 dhe për këtë arsye ishte konsultuar në ILDKPKI që i kishin sygjeruar ta deklaronte.

Avokati shpjegoi se në këtë periudhë subjekti nuk ka qenë në dijeni për mosshpërndarjen e dividentit të shoqërive të zotëruara prej ish-bashkëshortit të saj. Sipas tij, mosrespektimi i procedurave të ish-bashkëshotit në këto shoqëri si ortak i vetëm, nuk mund të kompromentojë burimit e krijimit.

Ai këmbënguli se garazhi ishte deklaruar në vitin 2007 dhe se kishte pasur burime.

Lidhur me huanë në shumën 280 mijë euro të marrë prej ish-bashkëshortit, për të cilën është lënë si kolateral apartamenti 136 m2, Roshi deklaroi se Shalla nuk ka qenë në dijeni. Sipas tij, për këtë arsye në kontratë nuk figuron nënshkrimi i gjyqtares.

Edhe gjyqtarja Matilda Shalla theksoi se marrdhënia e e apartamentit kishte filluar në vitin 2004 dhe ishte finalizuar në 2011-ën. “Është pasuri  fituar para fillimit të detyrës me të ardhura të ish-bashkëshortit të krijuara para martesës dhe me kredinë. Ajo është një pasuri e pakësuar dhe është në llogari të bankës. Kur legjislacioni për rivlerësimin hyri në fuqi kjo pasuri nuk egzistonte”, deklaroi Shalla.

Mosshpërndarja e dividentit të shoqërive të zotëruara nga ish-bashkëshorti e kanë penalizuar Shallën edhe për justifikimin e burimeve të një automjeti tip Scoda në vitin 2008, kundrejt shumës 23 mijë e 200 euro. Një pjesë të vlerës subjekti e ka paguar me një kredi, që e ka shlyer më shpejt nga sa ishte përcaktuar. Por dhe në këtë rast ka reuzltuar në pamundësi financiare për shkak të mungesës së ligjshmërisë së të arhdurave të ish-bashkëshortit nga aktivitetet tregtare. Nisur dhe nga fakti se në periudhën kur Shalla ka shlyer kredinë ka prenotuar dhe një apartament, ka rezultuar sipas Komisionit me labancë negative në shumën 11.6 milionë lekë.

Lidhur me automjetin Skoda, Roshi deklaroi se situate ishte e qartë pasi ish-bashkëshorti i kishte kryer të gjitha pagesat në rrugë bankare.

Prej hetimit ka rezultuar se në vitin 2007 subjekti ka deklaruar blerjen e një automjti tip Volskwagen Tuareg, në shumën 40 mijë euro, por në kontratën e shit-blerjes është shënuar shuma 500 mijë lekë. Ky mjet është shitur në vitin 2008 kundrejt shumës 25 mijë euro. Qirko tha se duket se nuk është paguar tatimi mbi të ardhurat.

Roshi theksoi se subjekti ka deklaruar vlerën e vërtetë të blerjes së mjetit, dhe se kishte qenë pala shitëse që kishte kërkuar vendosjen e çmimit 500 mijë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, ai tha se kanë shërbyer të ardhurat e ish-bashkëshortit nga emigracioni.

Qirko konstatoi se ish-bashkëshorti i subjektit ka kryer transaksione në vlera të konsiderueshme, përkatësisht në shumën 19 milionë lekë në 2010-ën dhe 33.5 milionë lekë në 2013-ën, vlera që janë përfshirë në analizë si shpenzime.

Komisioni ka konkluduar paraprakisht se nga fillimi i detyrës deri në vitin 2016, subjekti gjendet në pamundësi financiare për të justifikuar pasuritë dhe shpenzimet në vlerën totale 69.5 milionë lekë.

Avokati Roshi theksoi se subjekti ka qenë në proces divorci prej vitit 2010 dhe për rrjedhojë nuk ka pasur dijeni për aktivitetin e bashkëshortit.

Gjyqtarja Matilda Shalla vërejti e emocionuar se balanca negative rezultonte afro 70 milionë lekë, ndërkohë që zotëron një makinë që aktualisht  eka vlerën 2000 euro, një garazh në vlerën 22 mijë euro dhe një apartament, që sipas saj nuk e ka ende në pronësi, pasi është garanci në bankë për kredinë 95 mijë euro.

Ajo theksoi se nuk kishte fshehur pasuri dhe se burimet nuk rridhnin nga të ardhura prej burimeve të paligjshme.

Në fund të seancës gjyqtarja Matilda Shalla deklaroi se i bënte përshtypje përse nuk merrej e besueshme prej Komisionit ndërprerja e martesës me argumentin se ishte kryer me dakordësim. Edhe gjatë seancës, Shalla u pyet nga Qirko lidhur me situatën e zgjidhjes së martesës, për të cilën dha shpjegime të detajuara. Shalla dhe avokati kundërshtuan konstatimet e Komisionit se ish-bashkëshorti kishte kryer disa pagesa për blerjen e një pasurie gjatë periudhës kur kanë qenë të ndarë. Sipas tij, i vetmi rast kur ish-bashkëshorti ka kontribuar ishte kur për shkak të borxhit të tij, subjekti dhe fëmija i mitur kishin mbetur pa strehim.

Roshi sqaroi se, nisur dhe nga fakti se ish-bashkëshorti kishte të ardhura të konsiderueshme, ndërkohë që ishte bërë shkak për humbjen e apartamentit, kishte paguar në 2013-ën vlerën 80 mijë euro dhe kishin marrë kredinë së bashku me subjektin. Por sipas tij, kredia shlyhej rregullisht nga Shalla.

Në përfundim të seancës, Shalla kërkoi hapjen e hetimit dhe për figurën dhe profesionalizmin. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 28 prill, në orën 12:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *