Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë një seance dëgjimore.
KPK Lajme Vendi

Mbarimi i statusit, KPK mbyll procesin për Piro Samara inspektor pranë ish-KLD-së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi mbylljen e procesit të vetingut për ish-inspektorin e ish-KLD-së Piro Samara, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor e cilësoi të përfunduar statusin e magjistratit për të.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë një seance dëgjimore.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të mërkurën përfundimin e procesit të rivlerësimit për ish-inspektorin e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak se ai nuk kishte statusi e magjistratit dhe nuk i nënshtrohej procesit të vetingut.

Në vendimin e trupës së kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja vihet në dukje se ish-inspektori Piro Samara nuk gëzonte statusin e magjistratit pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësore në 22 tetor 2019.

“Për sa më lart, Komisioni konstaton se nga momenti që z. Piro Samara nuk ka statusin e magjistratit nuk mund të jetë një nga subjektet e rivlerësimit, që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit ex officio”, thuhet në vendim.

Në tetor 2019 Këshilli i Lartë Gjyqësorë vendosi përfundimin e statusit të magjistratit për tre nga 8 inspektorë të Inspektoriatit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Katër nga inspektorët u vlerësua se kishin statusin dhe u komanduar pranë KLGJ-së, deri në ngritjen e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ndërkohë  për ish-kryeinspektoren Marsida Xhaferllari nuk u mor vendim në pritje të vlerësimit që duhej t’i bëhej rastit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Procesi i cili përfundoi po ashtu pa vendim, ndërsa Xhaferllari u zgjodh mes polemikash si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *