Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : B. Likmeta
Lajme Veting

Mimoza Tasi merr detyrën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit

E zgjedhura nga Kuvendi si anëtare zëvendësuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Mimoza Tasi ka filluar detyrën të martën më 1 shkurt, pas vakancës së krijuar si pasojë e shkarkimit të Luan Dacit për shkak të dënimit penal për falsifikim.

Në faqen zyrtare të KPA-së, në rubrikën “gjyqarët” është fshirë emri i ish-gjyqtarit Daci dhe është shtuar Mimoza Tasi, e cila është renditur e para në pikëzim. Si gjyqtare zëvendësuese është zgjedhur nga Kuvendi edhe Etleva Papleka.

Ish-gjyqtari Luan Daci u shkarkua nga detyra më 9 dhjetor 2021 me vendim të Komisionit Disiplinor të ngritur në KPA për çështjen e tij, nëntë muaj pasi u dënua me vendim të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’.

Procedimi disiplinor ndaj Dacit filloi me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, pas dënimit të Dacit me vendim të formës së prerë për falsifikim të dokumenteve në muajin mars, pasi gjatë aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut nuk deklaroi shkarkimin nga detyra në vitin 1997.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla. Prej korrikut 2020, ai ishte i pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *