Gjqtarja Tereza Merkaj në KPK | Foto : Edmon Hoxhaj
KPK Veting

Huaja e marrë nga Tereza Merkaj nga një i panjohur, nuk e vlerësua nga KPK si hua

Gjyqtarja Tereza Merkaj u konfirmua në detyrë më 15 dhjetor 2021, pasi u vlerësua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK se kishte arritur nivel të besueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Riçelja e hetimit pas seancës dëgjimore të zhvilluar më 13 dhjetor për gjetjet lidhur me dy transaksione bankare të kryera prej subjektit në vitin 2002 kur ajo ndiqte studimet në Shkollën Administrative nuk sollën ndryshime në rezultatin e hetimeve.

Tereza Merkaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe kreu stazhin për një vit në Gjykatën e Durrësit. Në vitin 2004 u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në 2013-ën u transferua në Gjykatën e Tiranës, në fushën e drejtësisë për të mitur.

Prej vitit 2019 ajo është komanduar si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës, me afat 5-vjeçar, si dhe ka aplikuar për një pozicion në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Merkaj u pyet më së shumti lidhur me një hua të marrë nga një person, sipas saj i panjohur, që kishte shërbyer për blerjen e një apartamenti 1 +1 me sipërfaqe 57.4 m2 në Tiranë në vitin 2004, kundrejt çmimit 5 milionë lekë.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Merkaj ka deklaruar një kredi në shumën 32 mijë euro dhe kursimet e saj e të bashkëshortit në shumën 1 milion lekë. Por, nga verifikimi i dokumentacionit bankar KPK ka konstatuar se kredia është disbursuar rreth 20 ditë pas formalizimit të kontratës së shitblerjes.

Kur është përballur me këtë gjetje, subjekti ka shpjeguar se bankat kërkonin detyrimisht që para lëvrimit të kredisë të vendosej si garanci hipotekore vetë banesa.

“Nga ana tjetër edhe shitësi i pasurisë së paluajtshme, apartamentit objekt financimi, shtetasi V. I., nuk pranonte që të lidhte kontratën e shitblerjes për kalimin e të drejtës së pronësisë së pasurisë tek ne, me rezervën e kalimit të çmimit të apartamentit pas lëvrimit të kredisë nga banka, duke kërkuar detyrimisht pagimin e shumës në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes”, ka vijuar shpjegimin subjekti.

Merkaj ka deklaruar se në kushtet kur dispononin vetëm 1 milion lekë kursime, në përfundim janë dakordësuar me zgjidhjen e ofruar nga banka, që një pjesë e shumës së çmimit të apartamentit të huazohej paraprakisht, po nga banka nëpërmjet një klienti të saj, por të panjohur për subjektin dhe bashkëshortin e kësaj të fundit.

“Për këtë shkak janë nënshkruar dy deklarata noteriale prej meje dhe klientit të bankës A. B., respektivisht deklarata noteriale nr. ***, datë 1.12.2004, për marrjen e shumës prej 4.000.000 lekësh dhe pas lëvrimit të kredisë, deklarata noteriale nr. ***, datë 22.12.2004, që konfirmon kthimin e saj nëpërmjet bankës tek llogaria e tij”, ka pohuar Merkaj dhe ka vërejtur se kjo procedurë është pjesë përbërëse e kontratës së kredisë si në anën dokumentare ashtu dhe në përmbajtjen e saj.

Nga hetimi ka rezultuar se po në datën që është disbursuar kredia në shumën 32 mijë euro, vlera 31 mijë e 480 euro ka kaluar në llogarinë e shtetasin A.B..

Në analizën e gjetjeve KPK vëren se, deklaratat noteriale për dhënien e shumës nga personi i panjohur për subjektin është bërë pjesë integrale e kontratës së kredimarrjes. Gjithashtu, evidentohet qëndrimi i përsëritur i Merkajt se nuk e ka njohur asnjëherë këtë shtetas, por thjesht dhe vetëm ka zgjidhur me të një kohë të shkurtër kohore, një situatë të ofruar prej vetë bankës.

Komisioni ka administruar në cilësinë e provës një deklaratë noteriale të huadhënësit të datës 17 nëntor 2021, ku ai konfirmon ato çfarë ka pretenduar subjekti. Ndërkohë, edhe banka ka konfirmuar që praktika të tilla kredidhënieje janë të zakonshme dhe të ligjshme në sistemin e tyre.

Trupi gjykues vlerëson se subjekti ka shpjeguar dhe dokumentuar gjithë historikun e formalizimit të kontratës së shitblerjes së këtij apartamenti dhe rolin e bankës kredidhënëse në përfitimin paraprak të shumës 4 milionë lekë nëpërmjet një personi të panjohur për gjyqtaren.

Në vlerësimin e Komisionit janë konsideruar arsyeja e marrjes së shumës për blerjen e apartamentit; parashikimet kontraktuale të kredimarrjes ku është pasqyruar dhe huaja; dokumentacioni provues për situatën e deklaruar, i nënshkruar në kohë reale mes subjektit dhe huadhënësit të panjohur dhe mungesa e konfliktit të interesit mes tyre; roli ndërmjetusues i bankës; marrjen e kredisë dhe destinacioni i saj për shlyerjen e huasë menjëherë pas disbursimit – të gjitha sipas KPK, të konfirmuara me gjurmë bankare.

“[…]Trupi gjykues krijon bindjen se të gjithë veprimet e kryera nga subjekti për të arrirë plotësimin e shumës përpara disbursimit të kredisë, jo vetëm janë realizuar në nivel provash, por edhe janë kryer në kushtet e mirëbesimit”, shprehet KPK dhe pranon që kushtëzimi i shitësit ka shërbyer si një faktor nxitës për Merkajn për të kërkuar dhe gjetur një zgjidhje provizore.

Ofertën e bankës për dhënien e huasë nga klienti i saj, trupi gjykues e vlerëson si rrethanë diktuese te subjekti për të përligjur përmbushjen e qëllimit reciprok mes palëve shitës e blerës, për blerjen e pasurisë. Gjithashtu, konstatohet se Merkaj nuk është trajtuar në mënyrë preferenciale apo të jetë favorizuar në lidhje me kushtet dhe termat e përfitimit të kredisë.

Komisioni shkon më tej në arsyetimin e tij dhe vlerëson se marrdhënia e huasë në të vërtetë nuk ka qenë e tillë. “[…]Për sa kohë provohet se ato janë karakterizuar nga një marrëdhënie ndërmjetësimi nga një institucion legjitim, pra, nuk konfirmohet një marrëdhënie huaje sipas parashikimit të Kodit Civil dhe, si të tilla, vlerësohen nga trupi gjykues si rrethana përjashtuese për subjektin e rivlerësimit, nga detyrimi ligjor sipas nenit 32/4 të ligjit nr. 84/2016”, vlerëson trupa dhe nuk e konsideruar si person të lidhur huadhënësi A.B. e për rrjedhojë nuk rezulton të ketë kryer analizë të burimeve financiare të tij për krijimin e shumës që i ka dhënë subjektit në 2004-ën.

Këtë vlerësim trupi gjykues e mbështet dhe me rolin aktiv të bankës në marrjen e huasë. “[…]Ndërsa subjekti është gjendur në rolin e tij pasiv dhe, për më tepër në kushtet e mirëbesimit”, citohet në vendim ku shtohet dhe fakti se nuk ka rezultuar në asnjë rast që subjekti dhe huadhënësi të kenë pasur njohje apo të jenë gjendur ndonjëherë në kushtet e konfliktit të interesit.

Gjithashtu, trupi gjykues shprehet se ky rast është vlerësuar edhe në krahasim me çështje të tjera, që sipa KPA në dukje prezantohen të ngjashme. “[…]Rezultoi se çështja objekt hetimi nuk paraqet të njëjtën panoramë me çështje të tjera, qoftë në aspektin e deklarimeve të subjektit, pasi ato kanë rezultuar të jenë në vijueshmëri konsistente dhe jo kontradiktore, por dhe në aspektin e nivelit të provueshmërisë së pretendimeve, të cilat në këtë rast nuk kanë mbetur në nivel deklarativ, por janë mbështetur me një mori provash të realizuara në kohën e kryerjes së veprimeve”, vëren Komisioni dhe vlerëson se nuk gjendet para të njëjtës zgjidhje ashtu sinë rastet në dukje të ngjashme për subjektet e tjerë të rivlerësimit.

Në përfundim, KPK e ka konsideruar vlerën 4 milionë lekë të krijuar me burime të ligjshme dhe pa pasoja negative në vlerësimin e burimeve të krijimit të apartamentit.

Komisioni konkludon se nuk janë gjetur probleme as për kursimet e deklaruara, pasi shpjegimet dhe provat e subjektit lidhur me një balancë negative në shumën 365 mijë lekë të konstatuar gjatë hetimit paraprak janë konsideruar bindëse, duke rezultuar në fund me të ardhura të mjaftueshme dhe për pagesën 1 milion lekë.

Po ashtu, trupi gjykues konkludon se Merkaj ka deklaruar saktë një apartament 2+1, me sipërfaqe 88.82 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2011 për vlerën 5.3 milionë lekë, ku si burim janë deklaruar një hua me interes 6% në vit në shumën 5 milionë lekë të marrë prej bashkëshorti i subjektit nga një shok i tij, ndërsa pjesën e mbetur nga të ardhurat vjetore.

KPK konkludon se huadhënësi ka pasur mundësi financiare për krijimin e vlerës 5 milionë lekë, si dhe nuk janë gjetur probleme në shlyerjen një vit më vonë të huasë me të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit 1+1 kundrejt çmimit 5.5 milionë lekë që është konsideruar e mjaftueshme.

Trupa e KPK është bindur edhe nga shpjegimet e Merkajt lidhur me blerjen e një apartamenti garsoner me sipërfaqe 34 m2 në Durrës , Plazh kunddrejt çmimit 1.1 milion lekë, që është konsideruar më i ulët nga vlera e tregut.

“Trupi gjykues i gjen bindëse argumentet e prezantuar nga subjekti se shitësit duke qenë pronarë të truallit dhe përfitues të disa apartamenteve dhe garazheve dhe, për më tepër, duke qenë se këtë apartament e kanë përdorur ata vetë më parë, kanë qenë tërësisht në kushte të vullnetshme për të shitur pasurinë në vlerën që vetë ata kanë menduar[…]”, argumenton Komisioni.

“[…]Në vlerësimin tërësor të komponentit të pasurisë, mbështetur në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti i rivlerësimit, me veprimet dhe mosveprimet e saj, nuk ka cenuar besimin e publikut dhe ka arritur nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë”, konkludon trupi gjykues.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *