Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ
Lajme

Pas Magjistraturës, edhe KLGJ ndryshon kriterin e mesatares për ndihmësit ligjorë

Pas Shkollës së Magjistraturës, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të mërkurën që të heqë kriterin e notës mesatare mbi 7 për lëndët kryesore për juristët që do të konkurrojnë për 15 vende vakante për ndihmës ligjorë.

Pasi vendosi më 31 janar që të pranohen 20 studentë për magjistratë dhe 15 për pozicionet e ndihmësve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrtoi të mërkurën në mbledhje plenare projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 31, datë 31.01.2024 ‘Për numrin e kandidatëve që do të pranohen në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2024-2025’ të Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

Heqja e kriterit të mesatares edhe për ndihmësit ligjorë vjen pasi Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës vendosi të ndryshonte rregullimin e kriterit të mesatares së lëndëve, duke hequr kërkesën për notë mesatare mbi 8 të lëndëve kryesore. Me ndryshimin e bërë, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka mundësuar që edhe të diplomuarit si juristë që nuk arrijnë këtë kriter të munden të jenë pjesë e trupës së magjistratëve të rinj, nëse zgjidhen si fitues.

Relatori i projektvendimit të KLGJ-së, anëtari Klodian Kurushi u shpreh në seancën plenare se nevoja e ndryshimit të vendimit vinte si rrjedhojë e ndryshimit të bërë nga Këshili Drejtues i Shkollës së Magjistraturës në rregulloren e brendshme. Kurushi parashtroi se Shkolla e Magjistraturës kishte argumentuar se nuk mund të përcaktohej në mënyrë objektive se cilët janë lëndët kryesore dhe në këto kushte, heqja e këtij kriteri do të ishte pozitiv në procesin e rekrutimit, duke mos cënuar barazinë e kandidatëve.

Bazuar në të njëjtat argumente, edhe KLGJ vendosi në mënyrë unanime që të lërë si kriter vetëm mesataren e përgjithshme mbi notën 7 për të gjithë ata që do të garojnë për ndihmësa ligjorë, duke hequr kriterin e notës mbi 7 për lëndët kryesore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *