Trupa gjyqësore e drejtuar nga Sokol Çomo dhe me anëtarë Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz. Foto: Malton Dibra/LSA
KPA Lajme

Pas vendimit të Strasburgut, KPA pranon rishikimin e vendimit për Antoneta Sevdarin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, do të shqyrtojë pas afro një viti kërkesën e paraqitur nga ish-prokurorja Antoneta Sevdari për rishikimin e vendimit të shkarkimit të saj nga detyra. Në faqen online të KPA është njoftuar se të hënën më 19 shkurt, do të shqyrtohet në dhomë këshillimi kërkesa e Sevdarit për vendimin e datës 28 shkurt të vitit 2019.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi gjithashtu se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vetingut në Shqipëri.

Po ashtu, GJEDNJ rekomandoi se mënyra e duhur për rivënien në vend të drejtësisë në rastin e Sevdarit është rihapja e procesit në rrugët e brendshme.

Trupi gjykues i KPA-së që do të shqyrtojë kërkesën e Sevdarit kryesohet nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz.  Tre prej anëtarëve të trupës, gjyqtarët Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo kanë qenë pjesë e trupit gjykues që shkarkoi Sevdarin rreth katër vjet më parë.

Çomo dhe Schuetz nënshkruan për largimin nga detyra të Sevdarit, së bashku me Luan Dacin dhe Ardian Hajdarin – i pari i deklaruar fajtor me vendim përfundimtar për falsifikim të dokumenteve gjatë aplikimit për pozicionin në KPA, ndërsa i dyti u gjet fajtor dy jaavë më parë për fshehje pasurie nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.

Ina Rama në pakicë çmoi se vendimi i kolegëve ishte i padrejtë.

Në kërkesën për rishikim, Sevdari argumenton se kërkesën e ka paraqitur në KPA, pasi është ky atoritet që e ka shqyrtuar çështjen në themel dhe ka dhënë vendimin, sipas të drejtës së brendshme. Nisur nga fakti se KPA është një nga Kolegjet e Gjykatës Kushtetuese, Sevdari vëren se kërkimi i saj mund të rishqyrtohet edhe bazuar në parashikimet e nenit 71/c të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Në vijim, në kërkesë konstatohet se GJEDNJ ka theksuar se shkaqet mbi të cilat është vendosur marrja e masës disiplinore ndaj ankueses, nuk janë proporcionale me qëllimin e ndjekur nga ligji i rivlerësimit.

Duke u bazuar në vendimin e Gjykatës së Strasburgut që ka theksuar se rishqyrtimi  duhet të kryhet në përputhje me kërkesat e nenit 8 të Konventës, Sevdari ka kërkuar që KPA në rishqyrtim ta zgjidhë çështjen në themel dhe të vendosi lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të vitit 2018, për konfirmimin e saj në detyrë – duke argumentuar se shkaqet e ngritura në ankimin e Komisionerit Publik ashtu siç ka theksuar GJEDNJ, nuk mund të çojnë në marrjen e masës disiplinore të shkarkimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *