Prokurori i Fierit Dorian Tafilaj dhe djali i tij Eldi Tafilaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN
Analiza KPK

Vendimi i KPK: Dorjan Tafilaj nuk arriti nivel të mjaftueshëm për kriterin e pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 28 dhjetor 2023 shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit, Dorjan Tafilaj, pasi konkludoi në vlerësimin tërësor të çështjes se ky subjekt rivlerësimi kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se rezultonte në pamundësi financiare për krijimin e një pjese të tyre. Ndërkohë, Tafili mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe për aspektin profesional u çmua se kishte treguar cilësi të mira, gjykim të drejtë, si dhe kishte respektuar të drejtat e palëve, duke u konsideruar i aftë.

Vendimi për shkarkimin e Tafilit u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relator Roland Ilian dhe anëtare Suela Zhegun.

Dorian Tafilaj ka punuar fillimisht si oficer i policisë gjyqësore dhe u emërua si prokuror në vitin 2000 në prokurorinë e Vlorës. Ai punoi edhe në Prokurorinë e Korçës, përpara se të emërohej në Prokurorinë e Fierit në vitin 2016.

Komisioni konstaton kundërshti mes deklarimeve të subjektit për gjendjet cash, ç’ka kanë sjellë dhe penalizimin e tij me konkluzionet e trupës për deklarime të pasakta e të pamjaftueshme në kriterin e pasurisë.

“Në përgjigje të rezultateve të hetimit, subjekti ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me gjendjen dhe ndryshimet e kursimeve cash ndër vite. Deklarimet e tij në kohë janë kontradiktore dhe jo bindëse. Në këtë mënyrë, ai përpiqet të rregullojë rezultatin financiar të disa viteve apo të justifikojë krijimin e disa pasurive (apartament, depozita dhe automjete)”, shprehet KPK dhe duke i’u referuar jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vlerëson se gjendja e likuiditeteve cash apo kursimet e shtuara e të pakësuara mund të provohen vetëm nëpërmjet deklaratave periodike vjetore të kohës, si të vetmet dokumente që mund t’i vërtetojnë ato.

Në vendim parashtrohet se subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash në deklaratën “veting”, ndërkohë që ka shënuar gjendje apo kursime cash nga viti 2004 deri në 2016-ën. Lidhur me këtë konstatim, Tafilaj ka deklaruar se mungesa e deklarimit nga ana e tij e gjendjes cash në fund të vitit 2016 ka qenë një keqkuptim jo i qëllimshëm mbi mënyrën e plotësimit të deklaratës “veting”, pasi gjendja e kursimeve cash është deklaruar rregullisht në deklaratat periodike vjetore.

KPK vëren se sipas analizës financiare të hartuar duke u bazuar në deklarimet periodike vjetore, ka rezultuar se në fund të vitit 2016 gjendja progresive e kursimeve cash arrin në vlerën 4.5 milionë lekë. Ndërkohë që subjekti ka deklaruar gjatë hetimit se, në fund të vitit 2016 ka patur kursime në shtëpi në shumën 2.2 milionë lekë. Komisioni vëren se Tafilaj ka sjellë tre variante të gjendjes së vlerësuar të kursimeve cash në fund të secilit vit. Bazuar në këto konstatime, KPK konkludon se Tafilaj ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për gjendjen e likujditeteve cash.

Në deklaratën “veting”, subjekti ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 86 m2 në Vlorë, të blerë në vitin 2007 për çmimin 4 milionë lekë. Si burim krijimi ka deklaruar pagat e tij dhe të bashkëshortes, si dhe një shumë 9000 USD të dhuruar nga vëllai.

KPK ka hartuar analizën financiare për periudhën 1998-2003 nga ka rezultuar pamundësi totale në masën 1.5 milionë lekë.

Ndërkohë, për blerjen e apartamentit në vitin 2007 ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën 440 mijë lekë.

Duke ju referuar edhe analizës së deklarimeve të subjektit për gjendjet cash dhe konstatimeve bazuar në aktet e administruara, Komisioni ka arritur në konkluzionin se prokurori Tafilaj gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm, si dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme për këtë pasuri.

Komisioni konstaton se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për dy automjete, një të blerë në vitin 2010 në shumën 1200 euro dhe tjetri në 2015-ën për çmimin rreth 688 mijë lekë. Për makinën e parë ka rezultuar bilanc negativ në shumën 56 mijë lekë, ndërsa për tjetrën pamundësi në masën 282 mijë lekë.

Në analizimin e një gjendje 1.8 milionë lekë në një depozitë bankare në fund të vitit 2016, KPK ka analizuar të gjitha depozitat e krijuara ndër vite që finalizohen me këtë shumë. KPK konstaton se subjekti nuk i ka deklaruar depozitat në vitet e krijimit të tyre dhe as ndryshimet e tyre, si dhe se ka rezultuar me bilanc negativ në tre vite, në vlerën totale 653 mijë lekë.

KPK e ka ndarë analizën financiare në dy pjesë, për periudhën 1998-2003 që është kryer në bllok për arsye se deklarimi i parë është realizuar në 2003-in dhepër vitet 2004 – 2016, kur subjekti rezulton deklarues pranë ILDKPKI-së.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një bilanc negativ total në shumën 3.9 milionë lekë për të dy periudhat e verifikuara.

Subjekti ka kundërshtuar duke pretenduar se depozitat janë krijuar me një shumë 1.5 milionë lekë që babai i ka dhënë në vitin 2003. Por, ku pretendim nuk është konsideruar nga Komisioni, me argumentin se është paraqitur vetëm në përgjigje të rezultateve të hetimit.

“Subjekti gjatë hetimit administrativ ishte përgjigjur se burim i këtyre depozitave kanë qenë të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes të deklaruara më parë në deklarimet periodike”, citohet në vendim dhe theksohet se Tafilaj ka rënë në kundërshtim me deklarimet e tij.

Prokurori Tafilaj ka pretenduar se për shkak të bashkëjetesës me prindërit e tij për periudhën nëntor 2004 – nëntor 2007 duhet t’i zbriteshin shpenzimet e jetesës për zërin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike. Sipas tij, këto shpenzime i ishin mbuluar në atë kohë nga prindërit dhe, për këtë arsye duhet të moskonsiderohen në analizën financiare.

Trupa vëren se Tafilaj nuk kishte pretenduar më parë zbritjen e këtyre shpenzimeve dhe as ndonjë ndihmë financiare nga prindërit gjatë bashkëjetesës me ta, prandaj është vlerësuar të mos ndryshohet standardi këtyre shpenzimeve.

Po ashtu, nuk është pranuar ulja e shpenzimeve të udhëtimit me pretendimin se ato ishin mbuluar nga organizatorët, pasi nuk janë provuar me dokumentacion.

KPK ka rrëzuar dhe një pretendim të subjektit për moskonsiderimin në analizën financiare të kostove të blerjes së dy automjeteve në vitet 2013 dhe 2014, pasi shteti nuk i ka dhënë ndonjë dëmshpërblim për atentatet që u janë bërë pasurive të tij.

Trupa e KPK vlerëson se, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura në dëm të subjektit, në të vërtetë ai i ka krijuar ato pasuri duke shpenzuar dhe se këto shpenzime nuk mund të mos jenë pjesë e analizës financiare të viteve përkatëse.

Në analizën financiare të rezultateve të hetimit paraprak, KPK ka përfshirë me rezervë të ardhurat e pretenduara nga Komisioni Epror Mjekësor Parësor (KEMP) për vitet 2003 – 2013 nga djali i subjektit, sipas një vërtetimi nga Bashkia Vlorë, pasi mungonte nënshkrimi i titullarit të institucionit.

KPK vërën se, pasi subjekti nuk e solli dokumentit në formën e kërkuar nga ligji, këto të ardhura nuk janë bërë pjesë e analizës. Nga analiza financiare përfundimtare, bilanci negativ është thelluar duke rezultuar në total në masën 4.5 milionë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *