Prokurori Alket Mersini në Tiranë më 14 shtator 2020. Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Prokurori Alket Mersini u shkarkua për mungesë burimesh dhe fshehje të një makine

Në vendimin e arsyetuar, KPK thotë se prokurori i Tiranës nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti në kryeqytet dhe ngre dyshime për trajtim preferencial nga një kompani ndërtuese. Komisioni konstaton edhe fshehjen e një automjeti për disa vite.

Prokurori Alket Mersini në Tiranë më 14 shtator 2020. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisoni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 16 shtator të shkarkojë nga detyra prokurorin e Tiranës, Alket Mersini për mungesa financiare në krijimin e pasurive, ndërsa u ngritën dyshime për fshehjen e një automjeti për disa vite si dhe për trajtim të mundshëm preferencial në blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Trupi gjykues i KPK, i përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Xhensila Pine anëtare kanë votuar në mënyrë unanime për shkarkimin e prokurorit Mersini. Ndërkohë, anëtarja Xhensila Pine ka paraqitur mendim paralel për dy vlera financiare nga 10 mijë dollarë secila, të dhëna nga familjarët dhe për dyshimet e ngritura për fshehjen e automjetit tip Benz.

Mungesë burimesh për pasuritë

Për blerjen e një apartamenti në Tiranë në mars të vitit 2011 kundrejt çmimit 58 406 euro, prokurori Mersini ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat në shumën 12.5 milionë lekë të përfituara nga shitja e dy apartamenteve 1+1, adoptuar në një banesë të vetme, të ndodhur në Elbasan.

Komisioni evidentoi se në vitin 2010, subjekti ka deklaruar si adresë rezidencën ku gjendet apartamenti në Tiranë. Po këtë vit, bashkëshortja ka deklaruar tërheqjen në “Alpha Bank” të shumës prej 2,1 milionë lekë, për prenotimin e shtëpisë në kryeqytet. Mersini ka shpjeguar se kjo vlerë është përdorur si parapagim cash për likuidimin e kësteve të apartamentit, sipas kontratës së kaparit të lidhur në muajin maj 2010.

Ai ka pohuar se në deklaratën veting kishte harruar të vendoste si burim krijimi edhe kursimet ndër vite, nëpërmjet të cilave është krijuar gjendja e llogarisë në “Alpha Bank” në emër të bashkëshortes. Nga analiza financiare ka rezultuar se bashkëshortët Mersini kanë patur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar plotësisht pagesën e kaparit, por janë konstatuar mungesa në vlera të mëdha për pagesat e mëvonshme për apartamentin në Tiranë si dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera.

Komisoni ka analizuar mënyrën e përfitimit të apartamentit në Elbasan, çmimi i shitjes së të cilit ka shërbyer si burimi kryesor për blerjen e banesës në Tiranë dhe krijimin e një gjendjeje në bondo thesari.

Në vendim thuhet se Mersini nuk e ka deklaruar apartamentin e blerë në Elbasan në vitin 2003, si dhe shumën prej 4 milionë lekë të paguar deri në dhjetor të atij viti. Ai ka sqaruar se në deklarimin e parë nuk ishte bërë ende e qartë se çfarë dhe si duhej të plotësohej deklarata e pasurisë, si dhe nuk ishte bërë ende juridikisht pronar i asaj pasurie.

Në vitin 2004, Mersini e ka deklaruar apartamentin 120 m2 në ndërtim e sipër, me vlerë 3,3 milionë lekë dhe si burim krijimi ka shënuar 10 mijë dollarë të dhëna nga vëllai prej heqjes dorë nga bashkëpronësia në shtëpinë e prindërve dhe 10 mijë dollarë të tjera të dhuruara nga familja e bashkëshortes – sipas tij të përfituara në vitin 2003.

Edhe pse Komisioni ka konkluduar se vëllai i subjektit dhe prindërit e bashkëshortes kanë pasur mundësi për dhënien e shumave, nuk i ka konsideruar në analizën financiare për shkak të mospërputhjeve për kohën e dhënies se tyre.

Duke iu referuar dokumentacionit të depozituar nga vetë prokurori Mersini për të provuar marrjen e dy shumave nga 10 mijë dollarë, Komisioni konstaton se vëllai dhe prindërit e bashkëshortes deklarojnë se këto vlera i kanë dhënë në vitin 2004 dhe jo në vitin 2003, ashtu si ka deklaruar subjekti.

Mersini ka pretenduar se është gabim material shënimi i vitit 2004, por trupi gjykues i ka vlerësuar jo bindëse shpjegimet dhe ka vendosur të mos i përfshijë në analizën financiare prej nga ka rezultuar balancë negative në vlerën 2 milionë e 824 mijë lekë për blerjen e apartamentit në vitin 2003.

Anëtarja Xhensila Pine mban qëndrim tjetër lidhur me këto shuma duke u shprehur se pasaktësia e datave është shpjeguar nga subjekti dhe se nuk ka asnjë rrethanë që të vendosë në dyshim vërtetësinë e deklarimeve nga të afërmit. Sipas Pines, këto vlera financiare duhej të ishin konsideruar në analizën financiare.

Trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti ka patur detyrim për deklarimin dhe kryerjen e pagesës së detyrimeve tatimore për fitimin e realizuar nga shitja e apartamentit në Elbasan në vitin 2011 kundrejt vlerës 12.5 milionë lekë, të blerë në 2003-in për 4 milionë lekë. Për këtë arsye, në analizën financiare për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2011, nuk është konsideruar diferenca e përfituar në shumën 8.5 milionë lekë, duke rezultuar me balancë negative për krijimin e kësaj pasurie dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera në shumën 7.5 milionë lekë.

Pamundësi financiare është konkluduar edhe për krijimin e  një gjendje në bono thesari në vlerën 7 milionë lekë në vitin 2017, ku si burim krijimi është deklaruar diferenca ndërmjet çmimit të përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan me çmimin e blerjes së apartamentit në Tiranë.

Dyshimi për trajtim preferencial

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se më 31 tetor 2011, në llogarinë bankare të bashkëshortes së subjektit është transferuar nga shoqëria ndërtuese nga kanë blerë apartamentin në Tiranë, shuma financiare 40 mijë e 774 euro, me përshkrimin “për sa paguar tepër këst apartamenti”.

Lidhur me këtë transfertë, prokurori Mersini ka pretenduar se kalimi i kësaj vlere ka qenë një gabim i shoqërisë ndërtuese dhe se është korrigjuar brenda ditës.

Mersini ka thënë se pasi bashkëshortja e ka tërhequr, e ka depozituar menjëherë këtë shumë në arkën e shoqërisë dhe po atë ditë, kompania ndërtuese e ka derdhur në llogarinë e saj bankare.

“Kjo provohet nga mandati i arkëtimit në arkën e shoqërisë nga M.M., nga deklarata e shoqërisë për këtë gabim si dhe llogaria bankare e shoqërisë, në të cilën është riderdhur shuma e tërhequr gabimisht po atë ditë,” ka deklaruar Mersini.

Komisioni ka ngritur dyshime lidhur me këtë transaksion dhe qëllimin e kryerjes së tij dhe i ka kërkuar Mersinit të japë shpjegime shtesë. KPK i ka kërkuar që të shpjegojë se si e dispononte firma ndërtuese numrin e llogarisë së bashkëshortes së tij, kur të gjitha pagesat për prenotimin  ishin kryer cash; kush e ka njoftuar bashkëshorten e tij për transferimin e kësaj shume në llogarinë e saj; si u bë e mundur tërheqja e kësaj shume në vlerë të madhe brenda ditës, kur në raste të tilla, bankat bëjnë njoftimin disa ditë përpara dhe se vlera nuk e kthye nëpërmjet transfertës bankare.

Mersini ka shpjeguar se për shkak se ka ndodhur disa vite më parë, nuk i kujtohen detajet. Ai ka këmbëngulur se nuk ka përfituar ndonjë vlerë monetare nga kryerja e këtij transaksioni, përveç faktit të sistemimit të gabimit të kryer nga shoqëria ndërtuese.

Bazuar në faktin se llogaria bankare është hapur nga bashkëshortja në ditën e kryerjes së transfertës nga shoqëria ndërtuese, trupi gjykues nuk i konsideron bindëse shpjegimet e dhëna nga subjekti dhe ngre dyshime se transaksioni lidhet me trajtim të mundshëm preferencial të prokurorit nga shoqëria, për çmimin e blerjes së apartamentit.

Fshehja e mjetit

Komisioni konstaton se prokurori Mersini ka fshehur për disa vite përdorimin e një automjeti tip Benz, që më vonë e ka blerë. Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se mjeti është blerë në Itali nga shtetasi E.M. në prill të vitit 2008 dhe pas disa ditësh, nëpërmjet prokurës së posaçme, ka autorizuar prokurorin Mersini të kryente procedurat e zhdoganimit dhe regjistrimit, ta përdorte atë brenda dhe jashtë vendit, si edhe të kryente të gjithë procedurat për shitjen duke vendosur vetë për çmimin dhe mënyrën e likuidimit, ose të kryente të gjithë procedurat për kalimin e pronësisë së makinës në emër të tij.

Në janar 2015, Mersini ka kryer zhdoganimin e mjetit, duke paguar në total detyrimet doganore, si dhe është nënshkruar kontrata e shitblerjes. “Por, vërehet se në cilësinë e shitësit ka nënshkruar subjekti i rivlerësimit, si përfaqësues me prokurë i shtetasit E.M.”, evidenton KPK.

I pyetur nga Komisioni, Mersini ka deklaruar se e ka përdorur këtë makinë vetëm 2-3 muaj në vitin 2007. Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se prokura është lëshuar më 30 prill 2008.

Gjithashtu, Komisioni ka gjetur në të dhënat e sistemit “TIMS” se në nëntor 2011, prokurori Mersini ka kryer dalje dhe hyrje nga pika kufitare e Qafë Thanës me këtë mjet.

Pas kalimit të barrës së provës, Mersini ka shpjeguar se me shtetasin E.M., është njohur në qytetin e Durrësit, përpara vitit 2008, nëpërmjet një kolegut të tij të punës. Ai ka deklaruar se në prill të vitit 2008, është takuar me shokun e tij për të pirë një kafe dhe se aty ka shkuar edhe E.M.. Sipas subjektit të rivlerësimit, në bisedë e sipër, meqënëse nuk kishte makinë në përdorim në atë kohë, E.M. i sugjeroi një makinë të tij, të tipit Benz, për ta përdorur derisa të blinte vetë një automjet.

Mersini ka thënë se E.M ka përpiluar një prokurë me të cilën përveç të drejtës për ta përdorur, i ka dhënë edhe të drejtën që këtë automjet ta shiste, pasi ai do largohej përsëri për në Itali. Ai ka pretenduar se e ka përdorur vetëm disa muaj në vitin 2008 dhe se deklarimet e mëparshme për përdorimin në vitin 2007 janë lapsus i tij.

Subjekti ka shtuar se në nëntor të vitit 2011 është takuar përsëri në Durrës me E.M., i cili i kishte sygjeruar ta blinte automjetin tip Benz dhe se për këtë arsye e ka marrë ta provonte nga ana teknike. Mersini ka deklaruar se për të provuar gjendjen e mjetit është nisur për në Ohër të Maqedonisë, por se makina i ka dhënë defekt në monentin e kalimit në pikën e kalimit kufitar Qafë Thanë dhe është detyruar të kthehet, duke e rikthyer edhe mjetin.

Në vijim, Mersini ka sqaruar se në vitin 2015, gjatë një bisede në rrjetet sociale me E.M., ka rënë fjala sërish për automjetin tip Benz dhe se i është dhënë oferta për ta blerë në vlerën 3,000 Euro, pa doganë.

Sipas subjektit, këtë herë automjeti ka qenë në gjendje të mirë teknike dhe nisur nga fakti se ishte i pajisur me prokurë ka kryer procedurat e zhdoganimit të automjetit, duke paguar dhe taksat për ditët e qëndrimit në Shqipëri.

Komisioni konstaton se subjekti ka pasur tagra të plota mbi këtë automjet që prej vitit 2008. “Gjithashtu, duket se në vazhdimësi subjekti i rivlerësimit është sjellë si pronar i këtij automjeti, çka bën që Komisioni të ngrejë dyshimin e arsyeshëm se kjo pasuri që në prill të vitit 2008 është porositur dhe blerë nga subjekti i rivlerësimit, por për rreth 7 vjet është munduar të fshehë ekzistencën dhe deklarimin e burimit të pagesës së kryer për blerjen e tij”, konkludon shumica e tripit gjykues.

Pine në pakicë, vlerëson se subjekti ka kryer vetëm deklarim të pasaktë duke konstatuar se nuk është provuar pamundësia financiare dhe se prokurori Mersini e ka deklaruar përdorimin e mjetit gjatë hetimit administrativ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *