Prokurori Arben Agovi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Arben Agovi përballet me vetingun

Prokurori i Tiranës, Arben Agovi u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për burimin e një apartamenti të blerë nga prindërit, një bilanc negativ si pasojë e pasaktësive në deklarimin e kursimeve cash si dhe për gjetjet në disa prej çështjeve të denoncuara nga publiku. Agovi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Arben Agovi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Arben Agovi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 dhe ka punuar deri në vitin 2007 në Prokurorinë e Mirditës. Më pas, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Lezhës dhe në dhjetor 2020 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes një vendimi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në një apartament në përdorim të subjektit, i përfituar me privatizim nga prindërit dhe motra, ku secili prej tyre kanë zotëruar 1/3 pjesë takuese. Po ashtu, nuk u evidentuan probleme në blerjen e një automjeti në vitin 2013.

Ndërkohë, KPK konstaton se subjekti ka kryer pasaktësi në deklarimit e gjendjes së likujditeteve cash gjatë periudhës 2009-2016, nga për rrjedhojë është konstatuar bilanc negativ në shumën 515 mijë lekë në vitin 2013.

Prokurori Agovi tha se kishte dhënë përgjigje për gjendjen e cash-it ndër vite. Ai paraqiti versionin e tij të kursimeve cash, duke pretenduar se në fund të vitit 2012 kishte pasur gjendje në shumën 870 mijë lekë. Sipas subjektit, pas blerjes së mjetit 270 mijë lekë në vitin 2013, kursimet mbeteshin në masën 600 mijë lekë, shumë më e madhe se bilanci negativ, duke këmbëngulur se rezultonte me bilanc pozitiv dhe në vitin 2013.

Në vitin 2001, prindërit e subjektit kanë blerë një apartament në Tiranë për shumën 1.9 milionë lekë, me burim të ardhurat e përfituara nga shitja e një trualli dhe njësie në pronësi të nënës, po për vlerën 1.9 milionë lekë. Kontrata e shitjes së pronave nga nëna është nënshkruar në vitin 2002 dhe për rrjedhojë KPK konstaton se duket se ky burim nuk ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2001.

Prokurori Agovi deklaroi se paratë për shitjen e pasurive të nënës ishin dhënë jashtë zyrës noteriale, përpara nënshkrimit të kontratës në vitin 2002. Sipas tij, nëna e kishte qenë shitëse e ish-Mapos së bashku me motrën e blerësit, të cilat kishin përfituar nga privatizimi objektit shtetëror pas viteve ’90. Subjekti pretendoi se për shkak të lidhjes miqësore që kishin, blerësi kishte dhënë në mirëbesim shumën 1.9 milionë lekë para nënshkrimit të kontratës.

Ai argumentoi se kishte qenë kërkesa e prindërve për të dhënë këtë shumë sa më shpejt, pasi kishin gjetur një apartament në shitje që donin ta blinin. Sipas subjektit, pronari i apartamentit e kishte blerë këtë pasuri dy muaj para për vlerën 1.9 milionë lekë dhe e shiste po aq, por donte sa më shpejt paratë. Në këto kushte kishin negociuar me blerësin e dyqanit dhe truallin që u kishte dhënë vlerën 1.9 milionë lekë që në vitin 2001.

Relatori Ilia shpjegoi se analiza financiare është ndarë në dy periudha, 1993-2002 dhe 2003-2016, prej nga ka rezultuar në total një bilanc negativ në shumën rreth 700 mijë lekë. Por, prokurori Agovi pretendoi se kishte arritur të vërtetonte se rezultonte me balancë pozitive në çdo vit.

Prokurori Agovi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u konstatua se i janë kërkuar shpjegime për 7 prej 15 çështjeve të denoncuara nga publiku. Ilia relatoi pretendimet e ngitura për moskryerje hetimesh; mosrespektim të udhëzimeve të gjykatës për kryerje të veprimeve hetimore; hetime të paplota; si dhe vonesa e zgjatje të hetimeve.

Subjekti pretendoi se kishte kryer hetime të plota dhe se kishte zbatuar gjithë udhëzimet apo urdhërimet e gjykatave në rastet kur kishte pasur prishje të vendimeve të tij.

Në përfundim, prokurori Arben Agovi kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 13 dhjetor, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *