KPK gjatë një seance. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurori Binas Nina gjendet me probleme të pasurisë dhe dyshime për favorizime

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe ngriti dyshime për fiktivitetin e një deklarate noteriale, ndërsa në kriterin e figurës u relatuan favorizime të mundshme për disa të pandehur.

Prokurori Binas Nina mungoi edhe në seancën e dytë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Elbasanit, Binas Nina nuk u paraqit as në seancën e dytë dëgjimore të zhvilluar hënën më 6 dhjetor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me procesin e tij të vetingut. Ndryshe nga seanca e parë e mbajtur më 22 nëntor ku subjekti pretendoi se kishte probleme shëndetësore, të hënën ai nuk paraqiti asnjë justifikim dhe seanca u zhvillua pa praninë e tij.

Procesi i vetingut për prokurorin Nina po kryhet nga trupa e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitjan dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Binas Nina e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 në prokurorinë e Librazhdit dhe në vitin 1998 është transferuar në Elbasan, ku e ushtron edhe aktualisht funksionin e prokurorit.

Relatori Hamitaj sqaroi në fillim të seancës se për prokurorin Nina hetimi administrativ është përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Mungesa financiare

Nga hetimi i KPK janë konstatuar balanca negative në krijimin e disa pasurive. Për një apartament me sipërfaqe 106 m2 në Elbasan, të porositur në vitin 2000 dhe të blerë në vitin 2012, KPK ka gjetur paqartësi në kohën e pagesës së kësteve.

Hamitaj pohoi se kur subjekti është pyetur për kohën e pagesave, ka deklaruar se e gjithë vlera është shlyer brenda vitit 2003, por nuk i kujtohej se kur është paguar secili prej kësteve.

Në deklarimin e vitit 2003, Nina ka pasqyruar si vlerë të apartamentit shumën 4 milionë lekë, ndërkohë që në kontratën e pasurisë ka rezultuar 4.5 milionë lekë. Relatori Hamitaj tha se është gjetur mospërputhje e vlerës së deklaruar edhe me atë të pasqyruar në kontratën e shitblerjes së vitit 2012.

Si burim krijimi, subjekti ka deklaruar shumën 2 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në vitin 2001 dhe 1.9 milionë lekë nga shitja e një apartamenti të dytë në 2003-in. Për pjesën tjetër në shumën 100 mijë lekë ka deklaruar se ka pasur si burim kursimet nga pagat. Sipas KPK, nga analiza financiare për krijimin e kësaj pasurie ka rezultuar balancë negative në shumën 1.6 milionë lekë.

Prokurori Nina ka deklaruar se në vitin 2007 ka krijuar të ardhura nga kundërshpërblimi prej një ndërtuesi, me të cilin kanë nënshkruar deklaratë noteriale në të cilën përcaktohet se subjektit i është dhënë shuma 1 milion lekë. Nga hetimi ka rezultuar se Nina ka ngritur padi civile ndaj një shoqërie ndërtuese, duke pretenduar se ndërtimi i një pallati përbri pallatit ku ai ka apartamentin i sillte dëme, pasi objekti do të ngrihej pranë dritareve të shtëpisë tij. Në padi është përfshirë edhe një person tjetër, i cili ka ngritur të njëjtin pretendim.

Pasi ndërtuesi dhe subjekti i rivlerësimit kanë nënshkruar deklaratën noteriale për dhënien e shumës 1 milion lekë në formën e kundërshpërblimit, prokurori Nina ka tërhequr dorë nga padia dhe çështja civile është pushuar. Lidhur me paditësin tjetër, gjykata ka argumentuar se ai nuk është paraqitur.

Hamitaj sqaroi se nga hetimi adminstrativ ka rezultuar se pallati në fjalë nuk është ndërtuar ende. Nga verifikimi në terren ka rezultuar se është ndërtuar vetëm një kat dhe se subjekti nuk ka pasur shkak real për të ngritur padinë. Ndërkohë, paditësi tjetër nuk rezulton që të ketë përfituar kundërshpërblim, ndryshe nga prokurori Nina.

“Përfitimi i vlerës 1 milion lekë duket se është fiktiv, pasi nuk ka pasur një shkak real për ngritjen e pretendimit, përderisa dhe aktualisht nuk është ndërtuar objekti,” tha relatori Hamitaj.

Sipas KPK-së ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e dy depozitave që janë deklaruar prej prokurorit Nina se kanë shërbyer si burime për krijimin e një depozite tjetër në vitin 2010 në shumën 17 mijë euro.

Po ashtu, KPK konstaton balancë negative dhe në depozitimin e një shume 1.4 milion lekë në një llogari rrjedhëse në vitin 2016. Si burim krijimi të kësaj vlere, Nina ka deklaruar kursimet nga pagat për periudhën 2003-2014, me përjashtim të vitit 2007, kur ka pretenduar dhe të ardhurat e përfituara si kundërshpërblim.

Hamitaj evidentoi se në vitin 2007 Nina ka deklaruar shtesë të kursimeve vetëm në shumën 200 mijë lekë, ndërsa vlerën 1 milion lekë e ka deklaruar si të ardhur. Duke mos përfshirë në analizën financiare shumën 1 milion lekë, ka rezultuar balancë negative në vlerën 980 mijë lekë për depozitimin e shumës 1.4 milion lekë në 2016-ën.

“Edhe nëse Komisioni do të përfshinte shumën 1 milion lekë, do të përmirësohej analiza finaciare e vitit 2016, por do të përkeqësohej ajo e vitit 2007 dhe në analizën e përgjithshme financiare do të rezultonte e njëjta balancë negative,” sqaroi relatori Hamitaj.

Për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2013 kundrejt çmimit 600 mijë lekë, u konstatua se shitësi e kishte blerë në Gjermani një muaj më parë dhe se kishte shpenzuar gjithsej 701 mijë lekë. “Duke se nuk ka logjikë ekonomike,” pohoi Hamitaj dhe evidentoi se ishte i paqartë edhe transaksioni i shitjes së një mjeti tjetër nga subjekti, i cili vlerën e përfituar e ka deklaruar si burim. Sipas KPK-së, Nina e kishte shitur makinën me të njëjtin çmim që e kishte blerë 10 vite më parë.

Për dy depozita 5000 USD dhe 4000 USD për të cilat Nina ka deklaruar si burime rimbursimin e taksave si rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, Komisioni vëren paqartësi lidhur me shumën e taksave të paguara nga prokurori Nina. Hamitaj sqaroi se subjekti nuk ka dhënë shpjegime lidhur me taksat e paguara në SHBA.

Nina ka deklaruar si të ardhura në vitin 2016 edhe dy shuma nga 2000 USD, por nga hetimi ka rezultuar se ato janë futur në ekonominë familjare në vitin 2017 dhe për këtë arsye nuk janë përfshirë në analizën financiare të vitit 2016.

Komisioni konstaton se Nina nuk ka deklaruar nga viti 2003 deri para deklaratës veting pjesët takuese në dy ngastra tokë bujqësore të përfituara nga ligji “Për tokën”.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016, KPK ka gjetur mungesë të burimeve financiare në shumën totale 4.5 milionë lekë.

Raport negativ për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacioni të klasifikuar, DSIK ka raportuar në Komision informacione që ngrenë dyshime për përfshirjen e prokurorit Binas Nina në korrupsion pasiv dhe në veprime të kundërligjshme në formën e shpërdorimit të detyrës.

Bazuar në këto informacione, KPK ka verifikuar disa çështje të hetuara prej prokurorit Nina prej nga janë ngritur dyshime se ai mund të ketë favorizuar të pandehurit.

Në një rast ka rezultuar se prokurori Nina ka kërkuar pezullimin e dënimit të një të pandehuri për prodhim e shitje të narkotikëve dhe drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, kërkesë që është pranuar edhe nga gjykata. Gjithashtu, ai ka ndarë çështjen për një person tjetër të përfshirë duke e dërguar çështjen në gjykim vetëm për një të pandehur e për rrjedhojë duke evituar bashkëpunimin.

Sipas KPK-së, ka rezultuar se subjekti nuk ka hetuar për dy persona të tjerë që janë përfshirë në ngjarje. “Është e paqartë se përse nuk janë hetuar edhe dy personat e tjerë,” konstatoi Hamitaj dhe shtoi se Nina nuk ka argumentuar se përse ka kërkuar pezullimin e burgimit për të pandehurin.

Nina ka pushuar çështjen për një person të proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, megjithëse nga akti-ekspertimit ka rezultuar se ka udhëtuar me shpejtësi tej maksimales së lejuar dhe kanë ndodhur pasoja të rënda. “Nuk ka hetime të plota dhe duket se ka favorizuar të pandehurin,” tha Hamitaj.

Në një rast tjetër, megjithëse hetimi është filluar për tre persona për kryerjen e një vjedhje, nisur nga fakti se njëri prej të proceduarve ka deklaruar se e ka kryer ai gjithçka, prokurori Nina ka dërguar për gjykim vetëm atë person, duke përjashtuar nga përgjegjësia dy bashkëpunëtorët.

Po ashtu, Nina ka pushuar edhe një çështje të regjistruar për ndërtim të paligjshëm. Hamitaj tha se subjekti duket se ka favorizuar personin në hetim edhe në këtë rast.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dërguar raport pozitiv për prokurorin Binas Nina. Ndërkohë, nga burimet arkivore është gjetur se Nina është pezulluar në vitin 2006 nga detyra, por brenda atij viti është rikthyer me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe.

Në dy denoncimet e kryera nga publiku nuk janë gjetur probleme, ndërsa i janë kërkuar shpjegime për dy çështje të denoncuara në media. Në një prej çështjeve ka rezultuar se subjekti e ka pushuar hetimin, megjithëse disponoheshin dy akte ekspertime të kundërta. Gjykata e ka prishur vendimin e prokurorit Nina dhe ka kërkuar kryerjen e një aktekspertim të ri që të shprehej edhe për dy aktet e mëparshme.

“Subjekti i rivlerësimin ka pushuar hetimin duke injoruar një prej akteve të ekspertimit,” evidentoi Hamitaj.

KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 9 dhjetor, ora 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *