Skeda e pasurisë së deklaruar – Ilir Hoxha – Prokuroria e Durrësit
KPK Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar – Ilir Hoxha – Prokuroria e Durrësit

Prokurori Ilir Hoxha i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të përballet të enjten më 18 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Roland Ilia, Genta Tafa Bungo dhe Suela Zhegu.

Ilir Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si oficer i Policisë Gjyqësore, të cilën e ka ushtruar pranë Prokurorisë së Pogradecit. Në vitin 2015, Hoxha është emëruar prokuror në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa në vitin 2023 ai u transferua në Prokurorinë e Durrësit me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Ilir Hoxha nga viti 2003 deri në fund të vitit 2019.

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga prokurori Ilir Hoxha.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Ilir Hoxha deklaron pronësinë mbi një apartament banimi të përfituar nga privatizimi, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 17.4 milionë lekëve.

Hoxha zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 11.4 milionë lekë, likujditete bankare prej 4.5 milionë lekësh, automjet me vlerë 920 mijë lekë, kursime në cash prej 100 mijë lekësh si dhe pjesë në aksione me vlerë 400 mijë lekë.

Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 11.4 milionë lekë, nga të cilat rreth 64% kanë si burim pagën e subjektit, 26% pagat e familjarëve dhe gati 6% të ardhura nga aktiviteti privat.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” mungesën e burimit për njërën prej pronave të paluajtshme si dhe pasuritë në proces legalizimi të përfituara përmes trashëgimisë.

Subjekti Ilir Hoxha ka deklaruar fillimisht pasurinë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitet 2004-2005 dhe pas një shkëputje disavjeçare ka rinisur të deklarojë në vitin 2015 me marrjen e detyrës së prokurorit.

Në deklarimin Para Fillimit të Detyrës 2015 deklarohet blerja e pasurisë së cilësuar si “garazh” në Pogradec me sipërfaqe 108.72 m2, blerë nëpërmjet kontratës së shitblerjes dt. 14.06.2013, me vlerë 5,400,000 lekë. Lidhur me këtë pasuri mungon burimi i krijimit.

Subjekti deklaron përfitimin e pronësisë nga trashëgimia e babait të një ndërtese 5 katëshe me sipërfaqe të bazës ndërtimore 182 m2, me sipërfaqe të truallit të zënë 409.5 m2, trualli në pronësi shtet, ndërtuar në vitin 2006, në proces legalizimi. Gjithashtu subjekti ka përfituar nga trashëgimia 1/3 pjesë të një shtese anësore pallati 5 katësh në tejkalim të lejes së ndërtimit, 1 kat me sipërfaqe banimi 108 m2, ndërtuar në vitin 2000 dhe në proces legalizimi në Pogradec.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Deklarata e pasurisë së vitit 2019

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *