Seanca dëgjimore për gjyqtarin Jak Ndoka | Foto : E. Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

“Transaksione me vlera të pazakonta”: Gjyqtari Jak Ndoka gjendet me probleme për pasurinë

KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit të rivlerësimit për burimet financiare mbi një seri transaksionesh me pasuri të paluajtshme.

Seanca dëgjimore për gjyqtarin Jak Ndoka | Foto : E. Hoxhaj

Gjyqtari Jak Ndoka i Gjykatës së Lezhës nuk u paraqit as në seancën dëgjimore të dytë të zhvilluar të hënën në Komisionin e Paravarur të Kualifikimit, KPK. Ai u përfaqësua sërish nga avokati Gedeon Dudushi i cili dha shpjegime dhe kundërshtoi barrën e provës që Komisioni i ka kaluar gjyqtarit Ndoka për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përfunduar hetimi administrativ.

Në seancën parardhëse të premten më 19 nëntor, avokati Dudushi paraqiti dy kërkesa të njëpasnjëshme që sollën shtyrjen e seancës. Ai kërkoi riçeljen e hetimit për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin, si dhe përjashtimin e trupit gjykues.

Kryesuesja Sanxhaktari njoftoi në fillim të seancës të hënën se ishte rrëzuar një kërkesë e re për shtyrjen e seancës dëgjimore dhe relatorja Xhensila Pine vijoi me paraqitjen e rezulteteve të hetimit administrativ për Ndokën.

Komisioni ngre dyshime se gjyqtari i lezhës Jak Ndoka ka deformuar të vërtetën nëpërmjet disa transaksioneve në shitjen e një apartamenti të vjetër në Lezhë me qëllim justifikimin e burimeve financiare për blerjen e disa pasurive të tjera në këtë rreth.

E dyshimtë u cilësua edhe bashkëpronësia e vëllait në një apartament në Tiranë që përdoret vetëm prej subjektit, si dhe u konstatua pamundësi financiare në krijimin e pasurive.

Jak Ndoka e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995. Prej gati dy dekadash, ai ka punuar kryetar dhe gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Transaksione me vlera të pazakonta

Komisioni ngriti dyshime lidhur me të ardhurat e deklaruara nga subjekti si të përfituara nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 68 m2 në Lezhë në vitin 2007, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive të tjera.

Në deklaratën veting Ndoka ka shënuar se këtë apartament e ka blerё nga Enti i Banesave në vitin 2001 për shumën 557 mijë lekë, ndërsa në deklaratën fillestare të dorëzuar në vitin 2004 ka deklaruar se vlera e apartamentit ishte rreth 1.2 milionë lekë.

Në vitin 2007 Ndoka ka deklaruar shitjen e këtij apartamenti në shumën 5.3 milionë lekë. Në seancë u evidentua nga Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs se rezultonin katër kontrata të ndryshme për shitjen e kësaj pasurie, të gjitha të nënshkruara në të njëjtën ditë.

Avokati Dudushi këmbënguli se thelbi i kontratës ishte i njëjtë, pasi çmimi figuronte 5.3 milionë lekë, ndërsa ndryshimet për mënyrë e pagesës së kësteve kishin ndodhur në funksion të mundësisë së përfitimit të një kredie nga ana e blerësit.

Megjithatë, Jacobs evidentoi se kontratat ishin ndryshuar në një ditë dhe ngriti dyshime lidhur me ndryshimin çdo orë të mënyrës së pagesës së kësteve nga blerësi.

Në një prej katër kontratave, në atë të përcjellë nga ZVRPP Lezhë, ka rezultuar se çmimi i shitjes ishte 3 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se tatimi mbi të ardhurat për kalimin e të drejtës së pronësisë është paguar për çmimin 3 milionë lekë. Gjithashtu, blerësi L.M. ka depozituar në llogarinë e subjektit në maj të vitit 2007 shumën 3 milionë lekë.

Pretendimet e Ndokës për përfitimin e vlerës 5.3 milionë lekë janë konsideruar prej KPK jo bindëse dhe në kundërshtim me logjikën e ligjit

Në deklaratë noteriale e vitit 2008 mes subjektit të rivlerësimit dhe palës blerëse, deklarimi se është likujduar kësti i fundit në shumën 1.5 milion lekë për apartamentin 68 m2, është konsideruar në kundërshtim me kontratën e lidhur nga palët në vitin 2007 e cila është dërguar nga ASHK.

“Gjithashtu në vitin 2007 subjekti nuk ka deklaruar detyrime të papaguara nga blerësi, konkretisht në vlerën 1.5 milion lekë nga shitja e apartamentit”, vërejti Pine dhe e cilësoi të pabesueshëm këtë deklarim në raport me faktet.

Komisioni vlerëson se subjekti ka ndërmarra veprime për të paraqitur në mënyrë të pasaktë të ardhurat e përfituara nga shitja e kësaj pasurie dhe ka përfshirë në analizën financiare vetëm shumën 3 milionë lekë për të cilën janë paguar detyrimet tatimore.

Sipas Pines, lidhja dhe nënshkrimi i disa  kontrateve me çmime të ndryshme për të njëjtën pasuri në qytetin ku subjekti kryente funksionin e gjyqtarit dhe njihej si i tillë përbëjnë zgjedhje të cilat jo vetëm që nuk shërbejnë në krijimin e besimit të publikut te drejtësia, por edhe e dëmtojnë atë.

Dudushi deklaroi se besimi i publikut mund të vlerësohej bazuar në mënyrën se si subjkti ka ushtruar detyrën e gjyqtarit. “Duhet vlerësuar nëse ka dhënë drejtësi”, theksoi avokati dhe sqaroi se kjo kishte qenë arsyeja përse kishte kërkuar çeljen e hetimit për profesionalizmin dhe figurën.

Sipas Dudushit, Ndoka nuk kishte qenë në dijeni të ndryshimit të vlerës së shitjes në kontratën e dorëzuar në zyrën e regjistrimit. Ai solli në vëmendje se për këtë arsye subjekti kishte këmbëngulur që të thirrej dhe të pyetej blerësi për çmimin e shitjes së apartamentit.

Dudushi pretendoi se pagesa e detyrimeve tatimore ishte kryer nga blerësi. Anëtari i Komisionit, Olsi Komici dhe kryesuesja Sanxhaktari konstatuan se ishte detyrim ligjor i palës shitëse të kryente pagesën lidhur me të ardhurat e përfituara nga shitja e sendit, ndërsa avokati Dudushi dha se kishte qenë dakordësi mes palëve që t’i paguante pala blerëse.

Sipas avokatit, subjekti ishte i gatshëm që të hetohej ndryshimi i vlerës në kontatën që gjendejh në zyrën e regjistrimit.

Vlera 3 milionë lekë e pretenduar nga subjekti se është përfituar si këst i parë i shitjes së apartamentit me sipërfaqe 68 m2 është deklaruar prej tij si burim për blerjen e një apartamenti tjetër 108 m2 kundrejt çmimit 3.2 milionë lekë dhe të një njësie 20 m2 për shumën 600 mijë lekë, po në vitin 2007. Nga analiza financiare ka rezultuar se Ndoka nuk ka pasur mundësi financiare për shlyerjen e gjithë çmimit 3.8 milionë lekë për blerjen e dy pasurive në vitin 2007 me shumën 3 milionë lekë.

Ndërkohë, Komisioni konstaton se këto pasuri janë blerë në vlerë disa herë më të vogël nga ajo sipas çmimit të referencës së EKB-së, por subjekti nuk e ka deklaruar çmimin preferencial.

Po ashtu, KPK vëren se Ndoka nuk ka vërtetuar si burim të ligjshëm të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga dhënia me qira e njësisë së shërbimit, pasi nuk ka rezultuar të jetë paguar detyrimet tatimore mbi të ardhurat.

Pine konstatoi se Ndoka ka kryer deklarim të pasaktë për burimin e apartamentit 108 m2 dhe njësisë 20 m2 dhe sqaroi se rrethanat faktike të evidentuara nga hetimi e bëjnë të pamundur qartësimin e të vërtetës për krijimin e tyre.

“Duket se ka përpjekje te subjektit të rivlerësimit për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes të të dhënave që lidheshin me justifikimin e burimeve të kësaj pasurie apo dhe me përfitimin e të ardhurave prej kësaj pasurie”, u shpreh Pine.

Ndoka ka deklaruar se me të ardhurat e përfituara nga kësti i dytë i apartamentit 68 m2, ka blerë një banesë tjetër në Shëngjin me sipërfaqe 87.4 m2 në vitin 2010, kundrejt çmimit 2.6 milionë lekë. Pasi kësti i dytë i petenduar nuk është konsideruar në analizën financiare, ka rezultuar pamundësi për blerjen e apartamentit në Shëngjin.

Nisur nga një deklarim i vitit 2008 ku Ndoka ka sqaruar se apartamentin në Shëngjin do ta blinte në shumën 2.4 milionë lekë, Komisioni konstaton mospërputhje lidhur me çmimin e blerjes. Megjithëse subjekti ka pretenduar se çmimi përfundimtar ka qenë 2.6 milionë lekë për shkak të disa punimeve të kryera nga shoqëria, KPK i vlerëson deklarimet e Ndokës të paprovuara nga ansjë dokumentacion ligjor.

Edhe në këtë rast është vërtejtur se pasuria është blerë sa gjysma e çmimit të tregut, por nga subjekti nuk është deklaruar trajtim preferencial.

Komisioni ngre dyshime lidhur me transaksionet e subjektit me pasuritë në rrethin e Lezhës, sipas të cilave ai pretendon se shiti një apartament të vjetër me sipërfaqe 68 m2 të përfituar me privatizim për çmimin 5.3 milionë lekë dhe bleu apartament banimi me sipërfaqe 108 m2 dhe njësi tregtimi me siperfaqe 20 m2 me vlerë totale 3.8 milionë lekë, si dhe një apartament tjetër në Lezhë 2.6 milionë lekë.

“Transaksione me vlera të pazakonta, të cilat nuk  mbështeten  dukshëm në llogjikën ekonomike”, theksoi Pine dhe vijoi se këto transaksione duket se janë kryer prej subjektit vetëm për të justifikuar të ardhurat për blerjen e pasurive të tij.

Avokati Dudushi i kundërshtoi konstatimet për trajtim preferencial në blerjen e pasurive duke pretenduar se Ndoka kishte dorëzuar kontrata të tjera për shitjen e apartamenteve me të njëjtin çmim për m2.

Probleme janë gjetur edhe në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2 në Tiranë në vitin 2012 kundrejt çmimit 60 mijë euro. Ndoka ka deklaruar se e ka blerë së bashku me vëllanë e tij këtë pasuri, duke paguar vetë 15 mijë euro. Ai ka pretenduar si burim të kësaj shume kursimet gjatë periudhës 2009-2012, por nga analiza financiare ka rezultuar në pamundësi.

Si burim për vlerën 45 mijë euro të paguar nga vëllai, ka deklaruar të ardhurat e këtij të fundit nga puna në Greqi që prej vitit 1992 e në vijim, si dhe nga bashkëshortja greke. Pasi subjekti ka dorëzuar dokumentacion për të ardhurat e vëllait, KPK ka hetuar mbi mundësinë për pagesën 45 mijë euro.

Nga hetimi ka rezultuar se vëllai i Ndokës ka porositur një tjetër apartament në vitin 2010 në Shëngjin kundrejt shumës 22 mijë euro që duhej të paguhej me dy këste deri në 2011-ën. Pine pohoi se veç faktit se vëllai i subjektit ka blerë një tjetër pasuri në këtë periudhë, dokumentet mbi të ardhurat në Greqi janë të paqarta.

Komisioni konstaton se kontrata e furnizimit me ujë rezulton në emër të subjektit të rivlerësimit dhe se kjo pasuri është përdorur vetëm prej familjes së tij dhe jo nga vëllai.

“Subjekti  ka deklaruar përdorimin e  këtij  apartamenti që nga viti 2012 pa ndërprerje nga momenti i blerjes”, pohoi Pine dh theksoi se bashkëpronari i deklaruar nuk provohet se ka jetuar në këtë banesë.

Shpjegimet e subjektit se vëllai i tij nuk disponon asnjë pasuri tjetër në Greqi apo në Shqipëri janë gjetur në kundërshtim me provat e administruara, pasi ka rezultuar blerja e apartamentit në Shëngjin.

“Nuk krijohet  bindja se vëllai është bashkëpronar de facto i një pjese të këtij apartamenti”, tha Pine.

Dudushi i kundërshtoi konstatimet e KPK. Ai deklaroi se vëllai i subjektit që jeton nuk e kishte finalizuar blerjen e apartamentit në Shëngjin, pasi e kishte blerë vëllai tjetër dhe ky sipas tij ishte fakt. Ai pretendoi se vëllai që ka blerë së bashku me subjektin apartamentin në Tiranë ka vërtetuar se ka pasur burime të ligjshme për investimin e kryer. Sipas avokatit, nuk qëndronte as konstatimi se vëllai i subjektit nuk dukej si bashkëpronar de facto, pasi egziston mundësia ta ketë kryer blerjen vetëm për investim, pavarësisht vendit ku jeton.

Mungesë financiare është konstatuar edhe për blerjen e një automjeti Daimler Chrysler në vitin 2014 kundrejt çmimit 500 mijë lekë, si burim krijimi të së cilit Ndoka ka deklaruar kursimet nga pagat e vitit 2013.

Avokati Dudushi kërkoi që të uleshin shpenzimet për udhëtimet e subjektit në vitin 2013 në Greqi dhe në Itali, duke pretenduar se kishte qëndruar tek vëllezërit.

Nga hetimi rezultoi se Ndoka nuk ka deklaruar përdorimin e një automjeti të vajzës dhe vëllait të tij. Po ashtu ka rezultuar se nuk ka deklaruar në vitin 2003 edhe tokën bujqësore e pemëtore të përfituara si anëtar i familjes bujqësore dhe prej trashëgimisë.

Avokati Dudushi i pranoi mosdeklarimet por vërejti se Ndoka nuk kishte pasur asnjë arsye të mos i pasqyronte këto pasuri në zotërim dhe përdorim, pasi nuk rezultonte asnjë lloj problemi.

Në fund të seancës kërkoi riçeljen e hetimit për profesionalizmin dhe figurën. KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më datë 24 nëntor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *