Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Konfirmimi i prokurorit Gentjan Osmanit “përplas” KPK me Operacionin Ndërkombëtar

Vendimi i zbardhur tregon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dolën në përfundime të kundërta bazuar mbi të njëjtat dokumente. KPK vendosi pro konfirmimit të Gentjan Osmanit, duke cilësuar deklarimin e tij të besueshëm. ONM thotë në rekomandimin e saj se e vetmja mënyrë që ai të mbulonte shpenzimet ishin “të ardhurat e fshehura”.

Prokurori i Prokurorise per Krimet e Renda, Gentjan Osmani, | Foto nga :LSA

Blerja e një apartamenti 1+1 për 63 mijë euro, porositur në vitin 2009 dhe marrë në dorëzim në vitin 2016, huaja nga një i afërm në Itali dhe mungesa e burimeve financiare për 5 vite për të paguar këstet e apartamentit, ishin problemet që KPK gjeti gjatë hetimit administrativ të pasurisë së prokurorit Gentjan Osmani.

Megjithatë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmojë Prokurorin e Krimeve të Rënda njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke i cilësuar të mjaftueshme shpjegimet e tij. Në vendimin e zbardhur sëfundmi, KPK shprehet se argumentet e dhëna nga Osmani “janë bindëse dhe Komisioni në përfundim konkludon se ai ka pasur burime të mjaftueshme (financiare)”, ndërsa thekson se nuk janë gjetur probleme që e penalizonin.

Megjithatë vendimi i marrë nga treshja e KPK-së kryesuar nga Firdes Shuli, Roland Ilia relator dhe Pamela Qirko anëtare më 9 gusht, u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili në seancë u përfaqësua nga Elka Ermenkova. Në rekomandimin për apelim nisur Komisionerit Publik thuhet se nga shqyrtimi i provave, ONM del në një përfundim të ndryshëm nga ai i KPK-së. Sipas saj “E vetmja mënyrë që Osmani të mbulojë shpenzimet është pasja e burimi të fshehur të ardhurash”.

Osmani është përzgjedhur si pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Procesi i rivlerësimit për prokurorin Gentjan Osmani është bërë në të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Lexo edhe:

Huaja për apartamentin

Ndërsa kaloi pa vështirësi në kriteret e pastërtisë së figurës dhe në atë të profesionalizmit Gentjan Osmanit iu desh të argumentonte burimin e të ardhurave për blerjen e një apartamenti 1+1 për 63.600  euro.

Apartamenti, tashmë i shitur, që rezulton edhe si burim për një shtëpi më të madhe të prokurorit është porositur në vitin 2009 për 67.600 euro dhe është paguar me këste nga viti 2009 e në vijim. Ai është dorëzuar me vonesë nga kompania ndërtuese në vitin 2016, e cila është penalizuar për këtë me 4 mijë euro. Më vonë prokurori e shiti atë për 80 mijë euro, për të blerë një apartament më të madh.

Ndërsa Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) nuk gjeti probleme për këtë pasuri, hetimi i Komisionit gjeti mangësi në justifikimin e burimit të të ardhurave. Sipas vendimit të zbardhur pyetje u ngritën rreth një huaje 20 mijë euro nga një i afërm me banim në Itali.

Sipas vendimit të zbardhur për këtë iu kërkua sqarim shtesë Osmanit. Ky i fundit sipas KPK-së provoi me dokumente se i afërmi në Itali kishte mundësi për të dhënë hua shumën prej 20 mijë eurosh.

KPK thotë se administroi një sërë dokumentesh që tregonin të ardhurat e personit të lidhur dhe faktin që ai kishte qenë i punësuar në Itali dhe po ashtu se që nga viti 2002 deri në vitin 2008 kishte realizuar të ardhura bruto 100 mijë euro. Komisioni duke konsideruar se emigrantët jetonin me pak shpenzime arrin në përfundimin se personi i lidhur i kishte mundësitë për të dhënë huanë.

Por përndryshe nga KPK, ONM pretendon se dokumentet e sjella duhej të provonin fillimisht faktin që huaja ekzistonte.  “Nuk provohet se huaja ka ekzistuar mbi bazë të provave të paraqitura. Deklarimi i subjektit dhe kontratat e paregjistruara me data të paqarta paraqitur si prova në përgjigje të KPK-së, nuk mund të konfirmohen dhe hedhin dyshime mbi ekzistencën dhe legjitimitetin e huasë së deklaruar”, thuhet në rekomandimin që ONM i çoi Komisionerit Publik të cilit i kërkoi apelimin e rastit.

Sipas ONM-së nuk kishte asnjë të dhënë faktike se ky transaksion ishte kryer. Nuk kishte të dhëna për dërgesë parash, deklarim në doganë e të ngjashme që të provonin se huaja ishte e vërtetë dhe jo fiktive.

Ndryshe nga KPK që vë në dukje se huadhënësi kishte mundësi financiare, ONM shprehet se me të ardhurat e deklaruara ai ka jetuar fare pranë minimumit jetik të zonës ku banonte në Itali, duke vënë në dyshim edhe mundësitë financiare.

Huaja solli ndërkohë edhe një tjetër problem për Osmanin. Sipas vendimit të zbardhur ai rezultoi në pamundësi financiare për 3 vite me një shumë total rreth 2.3 milion lekë. KPK ka kërkuar informacion shtesë për këto vite, në të cilat sipas saj Osmani rezultonte me mungesë të ardhurash. Ky i fundit argumentoi se në vitin 2011 shpenzimet nuk kishin qenë aq sa ishin paraqitur, pasi ai jetonte bashkë me familjen me prindërit dhe se kostot mbuloheshin nga të ardhurat e tyre.

Ai po ashtu shpjegoi për të tre vitet se kishte përdorur për huan kursimet e viteve të mëparshme dhe pjesërisht kursimet e vitit në fjalë. Ai argumentoi se kishte pasur para të mjaftueshme për të shlyer këstet dhe madje kishte mundur të kursente gjatë kësaj kohe. KPK thotë se u bind nga analiza financiare e bërë prej osmanit, i cili rezultoi duke përfshirë edhe kursimet me diferenca pozitive në fund të secilit vit. “Në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka pasur burime të mjaftueshme për të shlyer huan në shumën 20.000 euro”, thuhet në vendim.

Kundër këtij përfundimi është ONM. Operacioni Ndërkombëtar thotë se Osmani kishte mungesë burimi financiar për 5 vite, “2005, 2009, 2011, 2012, 2013”. Ndryshe nga KPK ONM thotë se duke konsideruar shpenzime minimale jetese të ardhurat nuk kishin qenë të mjaftueshme. “Në terma praktikë subjekti nuk ka të ardhura për të justifikuar shpenzimet”, thuhet në rekomandim.

Sipas ONM-së shpjegimet e Osmanit që ishin konsideruar nga KPK nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin e hetimit administrativ dhe konkluzionit prej atij vendimi.

Dhurimi dhe problemet e tjera

Qëndrime të ndryshme mes KPK-së dhe ONM-së ka edhe për 1.5 milion lekë që sipas Osmanit i janë dhuruar atij nga familja e bashkëshortes. ONM vë në diskutim dhurimin pasi për të nuk ka dokumente.

Ndërkohë KPK në dokumentin e konfirmimit të Osmanit thotë se familja e bashkëshortes nga viti 2004 deri në vitin 2008 kishte të ardhura të mjaftueshme. Sipas një tabele finaciare bashkëshortja e Osmanit kishte qenë kontribuesja kryesore në këto të ardhura dhe KPK merr të mirëqenë faktin se një pjesë e kursimeve të familjes i janë dhënë asaj.

Po ashtu ndërsa KPK shprehet në vendimin e zbardhur se Osmani mundi të provonte se nuk kishte pasur mungesë të ardhurash në vitin 2009, ONM e vendos këtë si një vit me probleme. Nga vendimi i zbardhur kuptohet se në këtë rast bëhet fjalë për pagesën e një kësti 32 mijë euro për shtëpinë në pranverë të vitit 2009.

Osmani i ka shpjeguar KPK-së se pavarësisht datës që ishte në faturë, pagesa ishte bërë gjatë vitit dhe mbyllur në dhjetor kur ai i kishte të ardhurat për ta realizuar këtë pagesë. KPK ka pranuar shpjegimet duke marrë si provë edhe deklarimin e kompanisë ndërtuese që ka deklaruar se kishte lëshuar një faturë në pranverë për pagesa që do kryheshin gjatë vitit, për të shmangur burokracitë.

ONM nuk ka rënë dakord me përfundimet e KPK-s edhe për mundësitë financiare në vitin 2005, ku përfshihet blerja e një makine që është deklaruar vetëm në vitin 2009. Osmani është mbrojtur duke thënë në KPK se mosdeklarimi kishte qenë harresë (ishte menduar si e deklaruar) dhe se është korigjuar më pas.

Ai ka dhënë një dinamikë të ndryshme të të ardhurave dhe shpenzimeve për atë vit, duke pretenduar se kursimet nuk kishin qenë në vlerën 1.1 milion siç ishte në llogaritjet e KPK-së, por 700 mijë lekë, duke zbritur prej tyre vlerën e makinës.

KPK nuk ka sqaruar se si këto llogaritje të reja kishin ndikuar në përllogaritjen përfundimtare të pasurive të Osmanit, por ajo del në përfundimin se ai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Komisioni po ashtu cilësoi të justifikuara kursimet në bankë në vlerën 20 mijë euro dhe 400 mijë lekë të kursyera në shtëpi. Ai po ashtu quajti të saktë deklarimin për një apartament të përfituar nga familja prej Entit të Banesave në vitin 1998.

Në fund KPK vendosi të konfirmojë Gentjan Osmanin, duke cilësuar deklarimin e tij të plotë. “Ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel të lartë të vlerësimit të aftësive profesionale”, thuhet në konkluzion.

Përndryshe ONM arriti në një përfundim tjetër. Duke konsideruar të paprovuar huanë, dhurimin nga familja e bashkëshortes dhe po ashtu të pajustifikuara shpenzimet në pesë vite, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar apelimin e vendimit.

Sipas ONM-së nga të dhënat që u mblodhën gjatë hetimit administrativ dhe ato që vetë Osmani paraqiti shpenzimet e tij nuk justifikoheshin. “Ai nuk mund të paguante gjithë huanë, siç ka deklaruar, nuk mbulonte shpenzimet për blerjen e apartamentit, ai nuk mund as të përballonte minimumin jetik të të jetuarit në këtë periudhë për shkak të borxheve që kishte marrë për blerje asetesh”, thuhet në rekomandim.

ONM del në përfundimin që e vetmja mënyrë që Osmani të mbulojë shpenzimet është pasja e burimi të fshehur të ardhurash. “Arrihet në përfundimin se subjekti kishte në dispozicion mjete të padeklaruara financiare dhe se nuk ka bërë deklarim të plotë”, thuhet në rekomandimin për apelim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *