Prokurori Erjon Shqarri pas shpalljes së vendimit. Foto: Vladimir Karaj.
KP Lajme

Vendimi i KPK për prokurorin Erjon Shqarri ankimohet në Kolegj

Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të enjten më 23 maj ushtrimin e ankimit ndaj vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Vlorës, Erjon Shqarri. Duke u bazuar në rekomandimin e vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, që arsyetuan se Shqari nuk arrinte të kuptonte veçoritë e krimeve me bazë gjinore dhe duhej të riedukohej, Komisionerja Publike Irena Nino ndan të njëjtin qëndrim dhe i kërkon Kolegjit që të marri në shqyrtim anikimin dhe të vendosi pezullimin e këtij subjekti rivlerësimi për një vit, si dhe të detyrohet të ndjekë për një vit trajnimin në Shkollën e Magjistraturës.

Rekomandimi i ONM u fokusua te problemet e gjetura në hetimin e një rasti përndjekjeje në vitin 2016. Rasti kishte të bënte me denoncimin e një vajze ndaj ish-të fejuarit – çështje që ishte pushuar nga Shqarri. Ky i fundit pretendoi në seancë dëgjimore se viktima dhe i kallëzuari kishin qenë në komunikim me njëri – tjetrin. Madje, sipas tij, viktima kishte bërë më shumë telefonata ndaj të kallëzuarit dhe se për të pasur një rast përndjekje, refuzimi i viktimës duhej të ishte kategorik dhe i hapur.

Ndryshe nga Komisioni që i vlerësoi shpjegimet e subjektit të plota dhe bindëse, ONM i cilësoi të gabuara dhe arsyetoi se krijonin premisa për të justifikuar krimet seksuale, si dhe bien në kundërshtim me Konventën e Stambollit. Po ashtu, ONM u shpreh se Shqarri e keqinterpreton ligjin dhe e keqkupton dhunën me bazë gjinore, e për rrjedhojë duhet të pezullohet për një vit nga detyra dhe të ndjekë trajnimin.

ONM mbajti qëndrim edhe ndaj trupës së KPK, duke u shprehur se arsyetimi i shkallës së parë të vetingut në këtë rast, ëstë simptomë tipike e të menduarit patriarkal.

Edhe Komisionerja Nino paraqet të njëjtin qëndrim si ONM. “[…]Duket se subjekti i rivlerësimit ka nënvlerësuar faktet, pasi zgjedhja për t’i cilësuar ngjarjet si ‘fyese’ (sipas nenit 119 të K. Penal) dhe jo si ‘Përndjekje’ (sipas nenit 121/a të KP), bie ndesh me dispozitat, qëllimet dhe synimet e Konventës së Stambollit dhe CEDAW”, shprehet Nino dhe vlerëson se në rastin konkret veprimet e subjektit të rivlerësimit bien ndesh me nënindikatorët e aspektit të njohurive ligjore dhe arsyetimit ligjor të prokurorëve.

Në vijim trajtohet dhe një çështje penale e vitit 2022 për lirimin nga burgu të një të ndaluari, që më pas është vrarë.

Sipas gjetjeve të ONM, subjekti nuk ka shtjelluar kushtet konkrete për të cilat ka kërkuar masat e sigurisë në fjalë. Po ashtu, në kërkesën e prokurorisë është shënuar se i ndaluari nuk kishte qenë I dënuar më parë, kur aktet e administruara në dosje tregonin të kundërtën. Sipas ONM, masa e sigurimit e kërkuar nga prokurori Shqarri nuk ka qenë në përputhje me kushtet dhe kriteret e parashikuara, duke marrë në konsideratë edhe disa rrethana të tjera, si rrezikshmëria e autorit, karakteri i të pandehurit, shkalla e fajësisë etj..

Edhe në këtë rast, KPK është bindur nga shpjegimet e subjektit se deri në momentin e kërkesës për masë sigurie, nuk ishin siguruar të dhënat për të ndaluarin, duke mos konstatuar mangësi.

Ndërsa Nino, bazuar dhe rekomandimin e ONM, i vlerëson jo bindëse shpjegimet e Shqarrit, duke vërejtur se subjekti nuk ka marrë parasysh rrethanat dhe faktet që kanë të bëjnë me karakterin e të dyshuarit, të cilat nuk janë analizuar.

Komisionerja Publike vlerëson se dhe në rastin konkret, veprimet e subjektit bien ndesh me indikatorët vlerësues të aftësive profesionale të prokurorit të aspektit të njohurive ligjore me kryerjen e veprimeve dhe procedurave të tjera hetimore. Nino shprehet se KPK më së paku, duhej të arrinte në përfundimin e pezullimit të subjektit të rivlerësimit nga detyra për një periudhë njëvjeçare, me detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, gjë që ia kërkon Kolegjit ta realizojë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *