Gjyqtari Pëllumb Zaimi (djathtas)pas seancës dëgjimore në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA Veting

KPA e shkarkoi gjyqtarin Pëllumb Zaimi për cenim të besimit të publikut tek drejtësia

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi 15 dhjetor 2023 të largojë nga sistemi drejtësië gjyqtarin e Beratit, Pëllumb Zaimi, duke e përmbysur vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e tij në detyrë. Zaimi u konfirmua më 18 tetor 2022, pasi KPK nuk i gjeti penalizuese balancat negative për dy vite, që u konsideruan si modeste. Po ashtu, në shkallën e parë të vetingut nuk u gjetën probleme shkarkuese edhe në gjetjet për raste të konfliktit të interesit në dukje në shqyrtimin e disa çështjeve, si dhe në të dhënat e një raporti të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për dyshime për veprime korruptive, dosje që u trajtuan në aspektin profesional.

 

Vendimi i KPK u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i cili vlerësoi se gjetjet e Komisionit për etikën, profesionalizimin dhe pasurinë, të trajtuara në vlerësimin tërësor, sillnin rezultatin se gjyqtari Zaimi nuk arrinte nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë. Shkaqet e ngritura nga Ballhysa u gjetën të drejta nga KPA, që duke i vlerësuar në tërësi, arriti në përfundimin se gjyqtari Pëllumb Zaimi gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

 

Pëllumb Zaimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Skraparit. Prej vitit 2008, ai e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.

Shkaqet për profesionalizmin

Komisioneri Publik në ankim parashtron se nga çështjet gjyqësore të analizuara për shkak të denoncimeve të paraqitura në Komision, ndër të tjera, janë evidentuar rrethana në të cilat duket se subjekti i rivlerësimit ka ushtruar detyrën në kushtet e konfliktit të interesit. Duke pretenduar vendimmarrje të padrejtë nga subjekti, njw denoncues e ka lidhur këtë gjë edhe me pozitën e vajzës së Zaimit, si drejtuese e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ASHK Berat, pasi ky institucion ka qenë palë e tretë në proces. Po ashtu, denoncuesi ka parashtruar në Komision se, në mënyrë të ripërsëritur ka bërë kërkesë për përjashtimin e subjektit nga zhvillimi i procesit gjyqësor të iniciuar prej tij me cilësinë e paditësit, me palë të paditur Bashkia Berat, ASHK Berat dhe një shoqëri ndërtimore. Ai ka pretenduar se Zaimi është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, pasi praktika e ASHK-së Berat në adresë të tij është nënshkruar nga vajza e subjektit, si titullarë i këtij institucioni dhe se për këtë arsye ka kërkuar përjashtimin e tij si gjyqtar.

Në vendim thuhet se subjekti ka prapësuar se çështjet janë regjistruar në gjykatë gjatë kohës që vajza e tij nuk ka qenë drejtuese e AShK-së, dhe se ky institucion në të 12 çështjet gjyqësore të shqyrtuara prej tij ka qenë në pozitën procedurale “person i tretë” dhe në të gjitha rastet nuk ka marrë pjesë në gjykim. Sipas tij, ASHK Berat nuk ka pasur ndonjë rol në gjykim dhe asnjë interes të ligjshëm. Zaimi ka pretenduar se asnjë rast të gjykimit të këtyre çështjeve nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.

KPK ka vlerësuar se duket se konflikti i interesit në raport me pozitën e palës ndërgjygjëse, ASHK-së, mbetej në nivel të parëndësishëm.

Komisioneri Publik ka ndarë qëndrim të ndryshëm nga Komisioni dhe nga subjekti për sa i përket pozitës procedurale të ASHK-së si person i tretë në proces. Sipas Ballhysës, rastet e evidentuara pasqyrojnë mungesën e kujdesit të pritshëm të subjektit të rivlerësimit, për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, qoftë dhe në dukje. Ai ka arritur në përfundimin se këto situata duhen trajtuar e konsideruar brenda indikatorit të etikës dhe angazhimit ndaj vlerave profesionale.

Konstatimi i Komisionerit Publik është gjetur i drejtë nga KPA. “Trupi gjykues çmon se pavarësisht se nuk rezulton të ketë pasur interesa personale direkte të subjektit të rivlerësimit dhe të vajzës së tij, që do të çonin në një rast dukshëm të kategorizuar si konflikt interesi, subjekti i rivlerësimit, për shkak të pozitës së vajzës si drejtuese e institucionit të ASHK-së, ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit në dukje, për më tepër kur bëhet fjalë për një numër relativisht të konsiderueshëm çështjesh gjyqësore të gjykuara prej tij në një periudhë më pak se dy vjet gjatë së cilës e bija ka qenë drejtuese e ASHK-së Berat”, shprehet Kolegji dhe vlerëson se vetëm fakti i qenies së gjyqtarit në lidhje të ngushtë familjare me drejtuesen e institucionit ka krijuar perceptimin se përbën arsye serioze njëanshmërie dhe ka ndikuar në shqyrtimin e çështjes gjyqësore me paanshmëri dhe objektivitet, duke cenuar në këtë mënyrë besimin e publikut në dhënien e drejtësisë.

Ashtu si ka kërkuar Komisioneri, Kolegji ka vendosur ti trajtojë këto rrethana brenda indikatorit të etikës dhe angazhimit ndaj vlerave profesionale.

Po ashtu, Kolegji ka konkluduar se Zaimi është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit dhe në gjykimin e 16 çështjeve civile me palë paditëse Albtelekom sh.a, në kohën kur së bashku me bashkëshorten kanë qenë aksionerë në këtë shoqëri.

Lidhur me këtë situatë, Komisioni ka konkluduar se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit, por kjo shkelje nuk është gjetur në një nivel të tillë që mund të kualifikohej penalizuese, pasi për sa i takonte zhvillimit të gjykimeve, nuk ka rezultuar të ketë pasur asnjë pasojë nga veprimtaria e ushtruar nga subjekti në lidhje me shoqërinë.

Komisioneri Publik ka vlerësuar se qëndrimi i Komisionit nuk mbështeten në jurisprudencën dhe qëndrimet e Kolegjit në trajtimin e rasteve të ngjashme, lidhur me konstatimin e gjendjes së konfliktit të interesit. Megjithëse Ballhysa ka vlerësuar se kjo gjendje e konfliktit të interesit e përsëritur, nuk mund të prodhojë e vetme efektet e deklarimit të pamjaftueshëm apo që të sjelli penalizim, çmon se këto fakte dhe rrethana të padeklaruara nga subjekti dhe në deklaratën “veting”, duhen vlerësuar në tërësi.

Trupi gjykues i Kolegjit vëren se në rastin konkret rezulton e provuar dhe e pranuar nga Komisioni se subjekti i rivlerësimit ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak të zotërimit të aksioneve. Lidhur me pretendimin e subjektit, se nuk është para rastit të konfliktit të interesit për shkak të vlerës së papërfillshme të aksioneve, KPA tërheq vëmendjen në faktin se, shkak ankimi i Komisionerit Publik nuk është konflikti i interesit me detyrën për arsye të zotërimit të kuotave në Albtelekom sh.a, por gjykimi i çështjeve në kushtet e konfliktit të interesit duke qenë aksionar i kësaj shoqërie.

Në përfundim, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka treguar mungesë kujdesi për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, qoftë edhe në dukje. “Në gjykimin e çështjeve civile me palë ndërgjyqëse apo palë të tretë ASHK-në, Drejtoria Vendore Berat, provohet ekzistenca e konfliktit të interesit në dukje për shkak të marrëdhënieve familjare, pasi vajza e subjektit ka qenë drejtuese e këtij institucioni për periudhën 16.02.2021-26.09.2022, në të cilën ai ka gjykuar 12 çështje civile me këtë subjekt procedural. Gjithashtu, trupi gjykues konstaton se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e konfliktit të interesit, pasi në kohën kur së bashku me personin e lidhur (bashkëshorten) kanë qenë aksionarë të ‘{***}’ ShA, ka gjykuar 16 çështje civile me palë paditëse/kërkuese këtë shoqëri”, konstaton KPA dhe vlerëson se denoncimet e publikut dhe çështje të tjera të konstatuara në dosjet gjyqësore të analizuara nga Komisioni, mbi të cilat është bazuar ankimi i Komisionerit Publik, janë dëshmi të perceptimit publik se subjekti i rivlerësimit ka vepruar në kundërshtim me parimin se drejtësia, jo vetëm duhet të jepet, por edhe duhet të duket se po jepet.

Komisioneri Publik, duke iu referuar disa çështjeve penale të gjykuara prej subjektit të rivlerësimit, nisur dhe nga jurisprudenca e Kolegjit, vlerëson se shkeljet e konstatuara në dosjet penale që administrohen në kuadër të vlerësimit të aftësive profesionale, marrin tjetër kuptim e peshë në konsideratë të informacioneve që rezultojnë nga agjencitë ligjzbatuese. Ballhysa vlerëson se këto çështje duhen trajtuar si pjesë e rezultateve të hetimit administrativ mbi kontrollin e figurës dhe të konsiderohen në vlerësimin përfundimtar.

Edhe Kolegji, nga vlerësimi i çështjeve penale dhe denoncimeve të publikut të paraqitura si shkaqe ankimi nga Komisioneri Publik, konstaton se Zaimi ka treguar mangësi profesionale dhe mungesë të njohurive ligjore në trajtimin e këtyre çështjeve. “Në gjykimin e këtyre çështjeve, subjekti i rivlerësimit nuk ka treguar kujdesin e nevojshëm në interpretimin e parimit të sigurisë juridike, në administrimin e provave, në aplikimin e drejtë të ligjit procedural, si dhe ka shfaqur mungesë etike në komunikimin me palët dhe pjesëmarrësit në seancat gjyqësore publike, duke sjellë një perceptim të gabuar të publikut në dhënien e drejtësisë”, citohet në vendim.

Vlerësimi pasurisë

Për një apartament me sipërfaqe 86 m2 në Tiranë, Komisioni ka konkluduar se subjekti rezulton me bilanc negativ në shumën prej 212 mijë lekësh në vitin 2005 dhe 142 mijë lekë në 2008-ën. Bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit në raport me rezultatet e tjera në tërësinë e procesit të rivlerësimit, pamjaftueshmëria financiare nuk është gjetur penalizuese nga KPK.

Komisioneri Publik ka konstatuar pamundësi në shumën 215 mijë lekë dhe në vitin 2007, që është gjetur e drejtë nga Kolegji. Në konkluzion, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se është i bazuar konstatimi i Komisionerit që subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të nuk mbulojnë me burime të ligjshme kursimet, shpenzimet dhe pagesat e kryera në vitin 2007 për apartamentin.

Për një apartament në përdorim në Berat, Komisioneri ka vlerësuar se janë kushtet e pamundësisë objektive për ta kontrolluar këtë pasuri. Ballhysa e bazon këtë konstatim në faktin se deklarimi në deklaratën “veting” për këtë pasuri në përdorim konstatohet i mangët; se subjekti dhe familja e tij kanë banuar në këtë banesë për rreth 10 vjet; se aktet e administruara lidhur më këtë pasuri janë depozituar nga Zaimi gjatë hetimit administrativ, pas konstatimeve të KPK; si dhe për faktin se në këto dokumente paraqiten të dhëna kontradiktore ndërmjet tyre, lidhur me të drejtat reale të pronësisë.

Trupi gjykues vlerëson se lidhur me situatën faktike të përdorimit të apartamentit prej subjektit të rivlerësimit të rezultuar gjatë hetimit në Komision, ai kishte detyrimin të deklaronte këtë marrëdhënie në deklaratën “veting”. “Ekzistenca e një marrëdhënieje përdorimi nga ana e subjektit dhe mosdeklarimi prej tij në kuadër të procesit të rivlerësimit me argumentin jobindës se ka qenë një marrëdhënie jo e formalizuar, e ka bërë të pamundur verifikimin e situatës reale të kësaj pasurie në raport me pretendimet e subjektit”, konstaton Kolegji dhe vlerëson se Zaimi ka bërë deklarim të pasaktë në deklaratën “veting” për përdorimin e kësaj pasurie e duke sjellë pamundësinë objektive për ta kontrolluar në kuadër të procesit të vetingut.

Duke i konsideruar në vlerësimin tërësor gjithë mangësitë e konstatuara në kriterin e aftësive profesionale dhe ato të pasurisë, Kolegji ka arritur në përfundimin se gjyqtari Pëllumb Zaimi ka cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Për rrjedhojë ka vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *