Gjyqtarja Sonjela Voskopi pas vendimit të KPK. Foto| BIRN
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik ankimon dy vendime të KPK

Komisionerët Publik njoftuan të mërkurën se kishin ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Sonjela Voskopi dhe të ndihmësit ligjorë të Gjykatës së Apelit Administrativ, Ervin Aliu.

Ankimi për Voskopin, i bërë nga komisioneri Florjan ballhysa i kërkon Kolegjit që të rishqyrtojë pasurinë e gjyqtares dhe të analizojë sërish provat e mbledhura. Ankimi ka në fokus një apartament në Korçë blerë nga prindërit e gjyqtares dhe përdorur nga kjo e fundit dhe Ballhysa kërkon që pas një shqyrtimi të ri Kolegji të dalë me vendim shkarkimi ose konfirmimi në detyrë të Voskopit.

Në krahun tjetër Komisionerja Irena Nino kërkon shkarkimin e Aliut, që sipas saj ka probleme me pasuritë dhe ka bërë deklarim të pasaktë duke mos provuar të kundërtën e barrës së provës.

“Referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”, thuhet në ankimin ndaj Aliut.

Voskopi u konfirmua nga KPK më 31 maj me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Ndërkohë edhe Aliu u konfirmua me shumicë votash më 22 maj nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Siç del nga vendimet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në të dy rastet në pakicë kundër vendimeve të konfirmimit në detyrë ka qenë anëtarja e trupës Valbona Sanxhaktari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *