Seacë dëgjimore në KPA - foto arkive | BIRN/Nensi Bogdani
Analiza KPA Veting

Dy qëndrimet e KPA për përfundimin e procesit të vetingut të prokurorit Pelivan Malaj

Prokurori Apeli të Vlorës, Pelivan Malaj u shkarkua në vitin 2021 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për mungesë të burimeve financiare, deklarim të rremë dhe dy raste të konfliktit të interesit. Malaj e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA dhe njëkohësisht i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP-së që t’i zgjatej mosha e pensionit – çka i mundësoi marrjen e 70% të rrogës edhe për tre vjet, ndërkohë që ishte i pezulluar nga detyra. Zgjatjen e moshës së pensionimit me tre vjet ai e përfitoi në shtator të vitit 2022, kur mbushi 67 vjeç.

Dy vjet pas këtyre veprimeve të Malajt, pasi KPA shpalli datën e seancës për t’u zhvilluar më 22 prill 2024, KLP pranoi me urgjencë një kërkesë tjetër të ktij subjekti rivlerësimi për daljen e tij në pension para se të përfundonte zgjatja 3-vjeçare e mëparshme, vendimmarrje që u mor në kapërcim të procedurave. Për rrjedhojë, u deklarua edhe mbarimi i statusit të magjistratit për këtë prokuror. Procedura e nxjerrjes në pension të Malajt u debatua në mbledhjen e 17 prillit mes anëtarëve të KLP.

Më 22 prill, kur duhej që të shqyrtohej ankimi i Malajt, trupi gjykues i KPA-së i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj, vendosi me shumicë votash që të pranojë kërkesën e tij për shtyrjen e seancës.

Po me shumicë votash, u vendos më 14 maj që të përmbyllej procesi i rivlerësimit për Malajn, pa një vendim përfundimtar.

Shumica e përbërë nga kryesuesja Rezarta Schuetz, relatori Sokol Çomo dhe anëtaret Albana Shtylla e Ina Rama, çmoi se qëllimi i vetingut të Malajt ishte bërë i pamundur. Ndërsa anëtarja Natasha Mulaj në pakicë vlerësoi se duhej të ishte analizuar qëllimi që kishte pasur Malaj për të arritur nëpërmjet kërkesave drejtuar KLP-së dhe Kolegjit, pasi kishte arritur të fitonte më parë qëndrimin në detyrën e gjyqtarit deri në moshën 70-vjeçare.

Në vendimin e shumicës sqarohet se kërkesa e Malajt për shtyrje të seancës së 22 prillit u pranua, me qëllim konfirmimin që vendimi i KLP-së për mbarimin e statusit të magjistratit për këtë prokuror kishte marrë formë të prerë. Në vijim, Kolegji ka konstatuar se vendimarrja e KLP-së për Malajn kishte marrë formë të prerë.

Shumica vëren se në momentin e paraqitjes së ankimit dhe regjistrimit të çështjes së Malajt në Kolegj, ai e gëzonte statusin e magjistratit, por në momentin e gjykimit e kishte humbur si pasojë e vendimarrjes së KLP-së, në muajin prill.

Sipas shumicës, në momentin e shqyrtimit të ankimit, Malaj e kishte humbur statusin e magjistratit dhe për rrjedhojë nuk bënte më pjesë në rrethin e subjekteve që duhet t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar ex officio. “Në këtë mënyrë, objekti dhe qëllimi për të cilin kishte nisur procedura e rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Pelivan Malaj, është bërë i pamundur”, citohet në vendim.

Shumica vëren se Aneksi i Kushtetutës dhe ligji për ventingun e magjistratëve nuk kanë parashikuar ndonjë rregullim të posaçëm për situatën faktike të Malajt dhe si pasojë, duhet të zbatohen procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative, ose në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

“Në kushtet kur në momentin e gjykimit të çështjes, bazuar në analizën e mësipërme, objekti dhe qëllimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të z Pelivan Malaj, është bërë i pamundur, trupi gjykues vlerëson se zgjidhja e çështjes mund të bëhet sipas parashikimit të nenit 95 të Kodit të Procedurave Administrative, të titulluar ‘Pamundësia në objekt apo qëllim’, i cili parashikon se: Organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative pa një vendim përfundimtar për çështjen, kur objekti për të cilin kishte nisur procedura apo qëllimi i tij është bërë i pamundur”, argumenton shumica duke vendosur përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar pa një vendim përfundimtar.

Mulaj vëren se, në vijimësi dhe të qëndrimit të mbajtur prej saj në raste të ngjashme, ka votuar kundër vendimmarrjes së shumicës.

Ajo çmon se prokurori Malaj, nëpërmjet kërkesës së dytë drejtuar KLP-së, për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë, me vullnetin e tij ka hequr dorë nga statusi i magjistratit, ndonëse ishte i shkarkuar nga Komisioni dhe priste për t’u gjykuar në Kolegj.

Mulaj sjell në vëmendje se subjekti ka kërkuar zgjatjen e afatit për daljen e tij në pension dhe se periudha e zgjatur deri në mbushjen e moshës 70 vjeç, i përket statusit të tij të magjistratit të miratuar nga KLP-ja.

“[…]Për rrjedhojë, shprehja e vullnetit për t’u larguar përgjatë kësaj periudhe, dëshmon qëllimin e tij për heqje dorë nga ky status”, arsyeton Mulaj dhe vlerëson se shumica duhej ta kishte zgjidhur këtë çështje nën dritën e dispozitave ligjore që parashikojnë dhe rregullojnë pikërisht institutin e dorëheqjes. Sipas pakicës, vullneti i i subjektit të rivlerësimit për dorëheqje konfirmohet me veprime të ndërmarra prej tij, siç është kërkesa drejtuar KLP-së dhe ajo drejtuar Kolegjit në prill 2024.

Mulaj shton se, bindjen që çështja duhet trajtuar në kuadër të heqjes dorë nga detyra, e përforcon dhe fakti se Malaj ka përfituar 75% të pagës deri në momentin e daljes në pension, megjithëse kur ka bërë kërkesën për qëndrimin në detyrë deri në moshën 70 vjeç, ka qenë në pritje të vendimmarrjes së Kolegjit. Pakica vëren, se nëse Malaj nuk do kishte bërë kërkesën për të qëndruar në detyrë deri në moshën 70 vjeç, atëherë do të ishte trajtuar me pension pleqërie që prej shtatorit 2022, kur ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, 67 vjeç.

Mulaj konstaton se shumica e përmbylli vetingun e Malajt pa vendim përfundimtar, pa u shprehur për fatin e vendimit të Komisionit, edhe pse objekt të vendimmarrjes kishte pikërisht shqyrtimin e asaj vendimarrjeje, në të cilën ishte konstatuar pamjaftueshmëri e konsiderueshme financiare, përpos probleme të tjera. “[…]Duke anashkaluar kështu interesin publik dhe qëllimin e procesit të rivlerësimit në tërësi”, thekson Mulaj.

Në përfundim, pakica konkludon se do të duhej që në çështjen e prokurorit Pelivan Malaj të ishte analizuar dhe vlerësuar vullneti këtij subjekti dhe atë që ai donte të arrinte nëpërmjet kërkesave drejtuar KLP-së dhe Kolegjit, pasi kishte fituar më parë të drejtën për të mbajtur funksionin deri në moshën 70 vjeç. Sipas Mulajt, duke i klasifikuar veprimet e Malajt si heqje dorë nga detyra do të duhej të ishte zbatuar neni G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës që përcakton ndalimin e emërimit si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *