Gjyqtari Seladin Pysqyli pas vendimit të KPK. Foto | BIRN
Analiza KPK Veting

KPK e shkarkoi gjyqtarin Seladin Pysqyli për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë

Gjyqtari i Gjykatës së Korçës, Seladin Pysqyli u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 25 korrik, pasi u konkludua se subjekti dhe personat e lidhur ndodhen në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera dhe pasuritë e krijuara. Sipas KPK, Pysqyli bëri përpjekje për të deformuar të vërtetën lidhur me një apartament në Tiranë. Ndërkohë, Pysqyli u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin.

Në deklaratën “veting”, djali i gjyqtarit Pysqyli ka deklaruar një apartament banimi të ndodhur në Tiranë, blerë në vitin 2015, me burime krijimi 400 mijë lekë të fituara në lojëra fati dhe nga ndihmat e dhëna prej familjes, si dhe vlerën 5.2 milionë lekë nga prindërit.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se në vitin 2015, shoqëria ndërtuese ka lidhur kontratë sipërmarrje me shtetasin F.T. për ndërtimin e këtij apartamenti për çmimin 73 mijë euro. Me anë të një deklarate noteriale të vitit 2012, shoqëria ka pranuar se shuma prej 73 mijë eurosh është marrë e plotë.

Po në vitin 2012 është lidhur kontrata paraprake e shitjes mes shoqërisë dhe shtetasve F.T. e A.G., që janë përfaqësuar në kontratë nga shtetasi E.B. Në kontratë është shënuar se shtetasi F.T. ia ka shitur apartamentin shtetasit A.G. për vlerën 73 mijë euro, duke deklaruar se kjo shumë ishte paguar nga ky i fundit. KPK ka konstatuar se kontrata e energjisë për këtë apartament ka qenë në emër të A.G., para se të ndërrohej në emër të djalit të subjektit.

Në mars të vitit 2015, shtetasi E.B. i cili ka përfaqësuar në 2012-ën shtetasit F.T dhe A.G në shitblerjen e atëhershme të apartamentit, i ka shitur djalit të subjektit këtë banesë për çmimin 5.6 milionë lekë. Ndërkohë, në të njëjtën datë dhe para të njëjtës notere, A.G. dhe E.B. kanë nënshkruar një deklaratë noteriale, sipas së cilës shtetasi E.B. i kishte marrë hua shumën 73 mijë euro shtetasit A.G.

Tjetër konstatim që ka dalë nga hetimi administrativ, është fakti se në ditën kur djali i subjektit ka nënshkruar kontratën e blerjes së apartamentit, pasuria ka qenë e bllokuar dhe nuk mund të kryhej asnjë veprim.

Sipas KPK, duket se palët kanë pasur si qëllim shmangien e deklarimit të vlerës reale të përfitimit të kësaj pasurie të paluajtshme, që sipas dokumenteve duket se është 73 mijë euro. Për rrjedhojë, në analizën financiare është konsideruar si shpenzim vlera 73 mijë euro.

Edhe pas kalimit të barrës së provës, Komisioni ka vlerësuar se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën. Sipas KPK, subjekti nuk mundi të shpjegojë se si ai dhe familjarët e tij arritën të kontaktojnë me shoqërinë e pezulluar dhe pa aktivitet dhe si mundën të përfitojnë këtë pasuri të paluajtshme me 1/2-ën e vlerës së transaksioneve të mëparshme.

“Çmimi i deklaruar në hartimin e kontratës së shitblerjes korrespondonte me mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit në vitin 2015, vlerën e tërhequr nga llogaritë bankare prej 5.200.000 lekësh”, nënvizon trupa e Komisionit.

Shpjegimet e Pysqylit se veprimet e mëparshme ligjore me apartamentin ishin kryer në kuadër të huave nga palët e mëparshme dhe që asnjëherë nuk kanë pasur për qëllim shitjen e asaj banese, nuk janë gjendur në përputhje me faktet reale dhe historikun e transaksioneve të kryera mbi këtë pronë.

Trupa e KPK vlerëson se, marrëveshja e palëve në rastin konkret ka pasur si qëllim shmangien e deklarimit të vlerës reale të përfitimit të kësaj pasurie të paluajtshme.

Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi që subjekti dhe familja e tij të kursenin shumën 5.1 milionë lekë. Po ashtu, bilanc negativ ka rezultuar edhe për shumën 400 mijë lekë të deklaruar nga subjekti me burim lojërat e fatit dhe ndihmat familjare.

Sipas KPK, nga të dhënat e administruara në drejtim të verifikimeve të burimit të krijimit të likuiditeteve në bankë nga djali i subjektit të rivlerësimit, arrihet në konkluzionin se nuk provohet mundësia financiare për krijimin e këtyre likuiditeteve dhe mbulimin e shpenzimeve të jetesës.

Vlera 5.2 milionë lekë e dhënë nga subjekti e bashkëshortja djalit për blerjen e apartamentit, kanë pasur si burim krijimi të ardhurat e familjes dhe të ardhurat nga bujqësia.

Komisioni ka analizuar të ardhurat nga bujqësia, prej nga ka rezultuar se ato janë deklaruar periodikisht nga viti 2007 deri në 2016-ën. Por, këto të ardhura nuk janë konsideruar në analizën financiare paraprake, pasi nuk është provuar realizimi faktik dhe as masa e tyre.

Pas kalimit të barrës së provës, subjekti ka paraqitur në Komision një akt ekspertimi të hartuar nga ekspert kontabël, sipas të cilit janë pretenduar të ardhura nga toka për periudhën 2003 – 2016, në shumën 4 milionë lekë.

Trupa e KPK vlerëson se ky akt ekspertimi vjen në kundërshtim me vetë deklarimet e subjektit të rivlerësimit ndër vite, sipas të cilave ai ka deklaruar ½ e vlerës së pretenduar në akt ekspertimi. Për këto arsye, akti ekspertimit është çmuar pa vlerë provuese.

“Fakti që familjet kanë përfituar tokë arë në zbatim të ligjit nr. 7501/1991 ‘Për tokën’, apo dhe shlyerjen e taksës vendore të tokës ndër vite nga njësia administrative vendore, jo domosdoshmërish provojnë që toka është shfrytëzuar dhe ka prodhuar të ardhura. Në këto kushte, trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të të ardhurave nga bujqësia për të dhe bashkëshorten”, citohet në vendim.

Po ashtu, është gjetur i pabazuar në ligj pretendimi për llogaritjen e një page minimale për periudhën kur janë deklaruar të ardhura nga bujqësia.

Nga mospërfshirja e këtyre të ardhurave në analizën financiare ka rezultuar pamundësi ndër vite për krijimin dhe shtimin e likuiditeteve në llogaritë bankare, të cilat kanë shërbyer për pagimin e çmimit të apartamentit në vitin 2015.

Komisioni ka çmuar të pambështetur në ligj e prova edhe pretendimin tjetër të subjektit për të konsideruar kursimeve cash, të padeklaruara. KPK sjell në vëmendje jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lidhur me mungesën e deklarimit të gjendjeve cash në deklaratat periodike, sipas të cilave saktësia dhe mjaftueshmëria e deklarimeve për një subjekt deklarimi “matet vetëm përmes deklarimeve të sakta dhe të plota”.

“Gjendja e likuiditeteve cash apo kursimet e shtuara për periudhën 2003 – 2016 nuk mund të provohen ndryshe, përveçse me deklaratat periodike, si i vetmi dokument i krijuar në kohën që pretendohet krijimi i kësaj pasurie, që mund ta provojë atë”, argumenton KPK.

Sipas Komisionit, edhe do të konsiderohej në analizën përfundimtare financiare skenari më favorizues e garantues për subjektin, se për apartamentin ishte paguar çmimi 5.6 milionë lekë, përsëri do të rezultonte në pamundësi financiare për krijimin e likuiditeteve ndër vite dhe shtimin e tyre.

Në përfundim të hetimit të kryer për apartamentin në Tiranë, trupa e KPK vlerëson se veprimet e subjektit për të deformuar të vërtetën lidhur me këtë pasuri, përfaqësojnë përpjekje për të justifikuar mungesë burimesh të ligjshme dhe se këto veprime rezultojnë të shoqëruara me mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pagimin e çmimit të banesës.

Komisioni ka konstatuar pamundësi të subjektit dhe për ndërtimin e një shtëpie në një fshat të Devollit, në kohën kur ai e ka ushtruar funksionin.

Nga analiza financiare përfundimtare ka rezultuar pamundësi në shumën 437 mijë lekë për vitet 1993-2002 dhe 3.2 milionë lekë për periudhën 2003-2016.

Në përfundim, Komisioni ka çmuar se gjyqtari Seladin Pysqyli gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *