Gjyqtarja Marjola Beluli pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtarja Marjola Beluli konfirmohet në detyrë

Gjyqtarja Marjola Beluli e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës u konfirmua në detyrë të enjten 21 nëntor, pas një seance të shkurtër dëgjimore ku nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit kalimtar. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, ndërsa në kriterin e pasurisë dha shpjegime lidhur me burimet financiare që kishin shërbyer për blerjen e një kamioni nga ish-bashkëshorti, para martesës dhe para emërimit në detyrë.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Beluli u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Relatorja Zhegu shpjegoi në seancë se Beluli është bërë subjekt rivlerësimi pasi në kohën kur ka hyrë në fuqi legjislacioni për vetingun e magjistratëve, ajo ka punuar si mdihmëse ligjore në Gjykatën e Vlorës.

Në vitin 2020, Marjola Beluli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe punoi si gjyqtare pranë Gjykatës së Përmetit deri në vitin 2023. Ajo u transferua më pas në Gjykatën e Gjirokastrës, ku e ushtroi funksionin edhe si zv.kryetare. Prej shtatorit të këtij viti, Beluli punon si gjyqtare pranë Gjykatës së Durrësit.

Për një apartament të blerë në Vlorë në vitin 2001 nga Enti Banesave nga nëna e subjektit, ku kjo e fundit zotëron gjysmën e kësaj pasurie, Komisioni nuk ka gjetur probleme. Po ashtu, nuk janë konstatuar probleme në përfitimin e tokës në fshat nga ligji “Për tokën”, ku subjekti si anëtare e familjes bujqësore gëzon të drejtat e pjesës takuese 1/7-at.

Komisioni ka verifikuar dhe deklarimet e ish-bashkëshortit të subjektit. Në seancë u bë me dije se gjyqtarja Beluli dhe ish-bashkëshorti i saj e kanë zgjidhur martesën në vitin 2017.

Ish-bashkëshorti ka deklaruar një kamion të blerë në vitin 2014 për çmimin rreth 900 mijë lekë. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një banese. Sipas Zhegut, nuk rezulton dokumentacion ligjor që të vërtetojë posedimin e banesës nga ana e ish-bashkëshortit dhe as shumën e përfituar.

Megjithatë, Zhegu u shpreh se kjo pasuri është krijuar para martesës dhe para se subjekti të ushtronte detyrën e ndihmëses ligjore.

Subjekti tha se kishte depozituar dokumentacion e shpjegime për të vërtetuar se banesa kishte ekzistuar dhe është tjetërsuar, prej nga ish-bashkëshorti ka siguruar të ardhurat për blerjen e kamionit. Ajo shtoi se veprimet janë kryer nga ish-bashkëshortit para martesës dhe fillimit të detyrës nga ana e saj.

Në përfundim ajo kërkoi të lejohej të vijonte detyrën. Pas rreth gjysmë ore Komisioni shpalli vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares Marjola Beluli.

Seanca për gjyqtaren Beluli ishte e fundit e zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që prej vitit 2018 kreu procesin e vetingut për 805 subjekte rivlerësimi kalimtar. KPK u konstitua në qershor të vitit 2017, për një mandat pesë vjeçar. Pasi nuk u arrit të përfundohet brenda këtij afati vetingu për gjithë subjektet e rivlerësimit, mandati u zgjat me dy vjet, deri në dhjetor të vitit 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *