Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të premten më 24 tetor vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Mirela Zavalani, duke e gjetur të drejtë kërkimin përfundimtar të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, për largimin e këtij subjekti rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.
Mirela Zavalani u konfirmua në detyrë më 15 qershor të vitit 2023 nga KPK, pasi konkludoi një pamundësi financiare në shumën 1.3 milonë lekë, që u vlerësua jopenalizuese. Vendimi i KPK u gjet i pabazuar nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila kërkoi verifikimin e përfundimeve të arritura në shkallën e parë të vetingut, si dhe që të vendosej në mënyrë alternative, lënia në fuqi e konfirmimit, ose ndryshimi dhe shkarkimi i subjektit.
Për arsye të përfundimit të mandatit të Komisionerëve Publikë, çështja në Kolegj u parashtrua nga prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK. Xholi kërkoi në bisedimet përfundimtare shkarkimin e Zavalanit për deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe cënim të besimit të publikut, konkluzione që u kundërshtuan si të pabazuara nga subjekti.
Problemet u evidentuan për një apartament në Tiranë të subjektit dhe bashkëshortit të saj, si dhe të një supermarket për tregtim pjesë këmbimi + servis auto + godinë banimi, me sipërfaqe totale 634 m2, me vendndodhje Patos, Fier, pasuri në bashkëpronësi të bashkëshortit me babanë e tij, me pjesë takuese 50% secili.
Xholi konstatoi deklarime të pasakta, kontradiktore dhe pamundësi financiare, që sipas tij e tejkalon kufirin e zbatimit të proporcionalitetit.
Ndërsa prokurorja Zavalani e cilësoi ankimin të njëanshëm dhe pa prova të qëndrueshme. Ajo vërejti se nuk është sjellë asnjë provë e re në ankim, si dhe se nga ana e Komisioneres Publike është bërë thjesht interpretim i ndryshëm i fakteve dhe ligjit, nga sa ka bërë KPK.
Kryetari i Kolegjit, Sokol Çomo deklaroi të premten se trupi gjykues ka arritur në konkluzionin se kerkimi përfundimtar i drejtuesit të SPAK, është i bazuar dhe për rrjedhojë duhet të ndryshohet vendimi i KPK e Zavalani të shkarkohet nga detyra.
Ashtu si drejtuesi i SPAK, edhe Kolegji kosntaton deklarime kontadtikore të subjektit për supermarketin në Patos, që vlerësohet se e bëjnë të pamundur kontrollin e kësaj pasurie. Sipas KPA, deklarimet e ndryshme duket se janë kryer nga subjekti me qëllim përmirësismin e situatës financiare.
Sipas Kolegjit, subjekti nuk ka qenë bindëse në pretendimet për përdorimin e një huaje nga vjehrri për krijimin e pasurive. Gjatë shpalljes së vendimit u evidentua se Zavalani e ka deklaruar huanë si burim vetëm gjatë hetimit administrativ. Po ashtu, u konstatua se edhe të ardhurat nga qiradhënia e supermarketit në Patos nga bashkëshorti vëllait të tij, janë deklaruar gjatë hetimit administrativ.
Shpjegimet dhe argumentet e subjektit, u konsideruan prej Kolegjit se bien ndesh me logjikën e provat e administruara.
Jo bindëse janë gjetur edhe deklarimet lidhur me disa transferta bankare të kryera nga bashkëshorti subjektit në drejtim të vëllait të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Analiza e Komisionit u gjet e pabazuar dhe nga përllgaritjet e kryera në Kolegj, bilanci negativ është konkluduar në shumën 5 milionë lekë, vlerë që është çmuar se e përjashton zbatimin e parimit të proporcionalitetit.
Në përfundim, Kolegji vlerëson se subjekti nuk është e besueshme në kriterin e pasurisë dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme. Për këto arsye u vendos ndryshimi i vendimit të KPK për prokuroren Mirela Zavalani dhe shkarkimi i saj nga detyra. Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.




