Prokurori Florian Bonjaku në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik kërkon në KPA shkarkimin e prokurorit Florian Bonjaku

Komisioneri Publik  njoftoi të mërkurën se kishte dorëzuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krujës Florian Bonjaku. Në njoftim Komisioneri Publik thotë se vendimi i KPK i marrë me shumicë, ishte i cënueshëm në tërësinë e tij dhe kërkon nga Kolegji shkarkimin e prokurorit.

“Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 537/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cënueshëm vendimin në tërësinë e tij”, thuhet në njoftim.

Prokurori Bonjaku u konfirmua me shumicë votash Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 2 qershor. Relatori i çështjes Olsi Komici dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari arsyetuan se disa pasaktësi në deklarimin e pasurive nuk mund të sjellin penalizimin e subjektit.  Ndryshe nga shumica, kryesuesja e trupës së KPK-së, Xhensila Pine arrin në përfundimin se Bonjaku ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasuritë, si dhe ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia nëpërmjet mangësive në kryerjen e veprimeve hetimore dhe arsyetimin e akteve procedurale.

Komisioneri Florian Ballhysa po ashtu arsyeton se Bonjaku ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë dhe problemet e gjetura në kriterin e figurës dhe atë të aftësive profesionale në vlerësim tërësor duhej të sillnin shkarkimin e tij për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

“Në përfundim të shkaqeve të ankimit të trajtuar më sipër, në zbatim dhe të jurisprudencës së Kolegjit, për kriterin e vlerësimit të pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, vlerësojmë se deklarimet e pasakta të subjektit të rivlerësimit, veprimet juridike kryer vetëm për dukje lidhur me trasanksionet e blerjeve, duke u përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në posedim dhe pronësi të tij, si dhe të metat e konstatuara në shqyrtimin e çështjeve të trajtuara gjatë kontrollit të figurës dhe aftësive profesionale, duhet të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të të tria kritereve për subjektin e rivlerësimit, në kuadër të cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, sipas nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016”, thuhet në ankimin e Komisionerit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *