Ankimohet vendimi i konfirmimit për gjyqtaren Irena Gjoka

Lajme
Komisioneri Publik Dariel Sina mendon se gjyqtarja e gjykatës së posaçme nuk arrin të justifikojë blerjen e një apartamenti në vitin 2005 me burime të ligjshme dhe ka pasaktësi në lidhje me pasuritë e tjera të saj . Komisioneri kërkon shkarkimin e saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, | Foto ” LSA

Institucioni i Komisionerit Publik njoftoi të premten vendimin për të apeluar konfirmimin në detyrë të gjyqtares Irena Gjoka nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sipas komisionerit Dariel Sina, gjyqtarja nuk është bindëse në shpjegimet që ka dhënë para KPK në lidhje me burimet e financimit të blerjes së një apartamenti në vitin 2005 dhe nuk arrin të justifikojë me burime të ligjshme një pjesë të parave të përdorura në blerjen e këtij apartamenti. Sina ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për pasuri të tjera të gjyqtares dhe familjes së saj si dhe disa transaksione bankare.

Në argumentimin e kërkesës për apelim, Sina thotë se gjyqtarja ka dhënë shpjegime kontradiktore për burimet e krijimit të pasurisë, ndërsa ndryshe nga KPK, e cila i konsideroi këto probleme si pasaktësi, komisioneri vlerëson se subjekti gjendet me situatën e pasurisë së pajustifikuar me burime të ligjshme dhe rrjedhimisht, duhet të shkarkohet.

Subjekti ka deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti në vitin 2005 një llogari bankare me vlerë 23 mijë dollarë të krijuar fillimisht në vitin 2002 me burim të deklaruar “kursime familjare”. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pranuar argumentimin se familja e gjyqtares ka disponuar burime të mjaftueshme të të ardhurave në periudhën e dekadës së parë të tranzicionit, duke dalë në konkluzionin se “nga analiza financiare provohet mundësia e subjektit dhe e familjes së saj të origjinës për krijimin e depozitës në shumën 23.000 USD.”

Sina e konsideron këtë konkluzion një shmangie nga faktet.

“…na rezulton se të ardhurat e subjektit të rivlerësimit deri në datën 5.4.2002 janë në shumën 2.448.51117 lekë, ndërsa kursimet në emër të subjektit të rivlerësimit në sistemin bankar në shumën 4.343.09718 lekë, janë më të larta se të ardhurat e subjektit të rivlerësimit,” deklaron Sina.

Lexo më shumë:

Gjyqtarja Irena Gjoka e ‘përmbysi’ analizën financiare të KPK-së

Gjyqtarja Irena Gjoka përballet në KPK me pyetje mbi mosdeklarimet

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Irena Gjoka

“Komisioneri Publik, ndryshe nga sa ka vlerësuar Komisioni, marrë në konsideratë dhe jurisprudencën e Kolegjit, konstaton se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti i rivlerësimit pas kërkimit të shpjegimeve nga ana e Komisionit, nuk mund të konsiderohet si dokumentacion justifikues për ligjshmërinë e burimit të të ardhurave që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, duke mos provuar mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit për të mbuluar me burime të ligjshme,” thotë Sina.

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.