Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u nda në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia, si në vlerësimin e shkaqeve të ankimit ndaj vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e tij, ashtu dhe lidhur me mënyrën e përfundimit të procesit. Shumica e trupit gjykues të KPA e përbërë nga gjyqtarët Ina Rama, Rezarta Schuetz, Mimoza Tasi e Sokol Çomo, vlerësuan se problemet në aspektin profesional nuk ishin shkarkuese, ashtu si kërkoi Komisioneri Publik dhe vlerësoi në pakicë gjyqtarja Natasha Mulaj.
Fuçia u detyra të ndiqte trajnimin një vjeçar në Shkollën e Magjistraturës dhe pasi arriti rezultat të mirë, shumica e konfirmoi në detyrë. Edhe në këtë rast, gjyqtarja Mulaj doli në pakicë, duke çmuar se konfirmimin në detyrë pas trajnimit të detyruar e kryen Komisioni, por në kushtet që këtij institucioni i kishte përfunduar mandati, sipas përcaktimeve kushtetuese e ligjore, duhej që çështja të dërgohej për t’u përfunduar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ.
Konkluzionet e ndryshme për profesionalizmin
Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë nga KPK më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta. Për rrjedhojë, në vlerësimin tërësor të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, në përfundim u konkludua se Fuçia është i aftë profesionalisht.
Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM çmoi se vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do t’i japë bazë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e Komisionit.
Bazuar në rekomandimin e ONM-së, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Fuçisë, me arsyetimin se ky subjekt rivlerësimi gjendej në kushtet e papërshtatshmërisë profesionale dhe në atë të cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Një prej çështjeve kryesore të trajtuara në ankim, kishte të bënte me dy vendime penale, një për revokimin e arrestit dhe tjetra për shuarjen e masës së sigurisë ndaj një personi të kërkuar për ekstradim. Sipas Komisioneri Publik, subjekti kishte interpretuar gabim përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale, pasi një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë, që kishte vendosur miratimin e ekstradimit të atij personi, duhej të konsiderohej i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.
Megjithëse shumica konstatoi mangësi në këtë çështje gjeti pjesërisht të bazuar pretendimin e subjektit se, në analizën e vendimarrjes ka konsideruar një vendim të GjEDNj-së, lidhur me parimin e prezumimit të lirisë së individëve që parashikon Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në raportin mes kohëzgjatjes së procesit të ekstradimit dhe periudhës së kufizimit të lirisë.
Sipas shumicës, interpretimi i normës ligjore nga subjekti u vlerësua nga trupi gjykues nën dritën e garancive themelore të individëve në procesin penal, kundrejt interesit publik në funksion të dhënies së drejtësisë. Parë nën këtë këndvështrim, trupi gjykues i Kolegjit vlerësoi se gabimet e interpretimit janë të një natyre që mund të shërohen nëpërmjet programit të trajnimit.
Mulaj në pakicë, shpreh dakordësi me konkluzionin e Komisionerit Publik se, nga hetimi ka rezultuar se Fuçia ka marrë dy vendime në intepretim të gabuar të normës procedurale, në vitin 2012 dhe 2014, duke bërë përsëritje, si dhe në cënim të parimit të “gjësë së gjykuar”.
“Edhe nëse konsiderojmë pretendimet e subjektit se në kohën e marrjes së vendimit nr. {***}, datë 9.8.2012, neni 493, pika 4 (para ndryshimeve të vitit 2017) e K.Pr.Penale, ishte e paqartë lidhur me afatin 3-mujor për revokimin e masës së sigurisë, sërish rezulton se subjekti i rivlerësimit ishte në dijeni të interpretimit të bërë kësaj dispozite, nga gjykatat më të larta, kur mori vendimin nr. {***}, datë 16.7.2014”, konstaton Mulaj dhe argumenton se keqintepretimi i subjektit për kalimin e afatit 3-mujor, ka ndodhur për shkak se ai ka lidhur afatin me faktin se nuk kishte një vendim përfundimtar mbi miratimin e ekstradimit dhe jo me shqyrtimin e kërkesave mbi masat e sigurisë.
Sipas Mulajt, veprimet e gjyqtarit në thelb nuk kanë të bëjnë me mosnjohje të ligjit, por me favorizimin e personit ndaj të cilit kërkohet ekstradimi.
Komisioneri ka grupuar në ankim nëntë vendime të marra nga subjekti, kryesisht në çështje civile. Kolegji shprehet se i gjeti të bazuara shkaqet e ankimit dhe konstatoi mangësi serioze në mënyrën sesi subjekti ka gjykuar e trajtuar të drejtat e palëve në proces.
Në përfundim, shumica ka vlerësuar se gjyqtari Fuçia ka njohuri, aftësi dhe gjykim të atillë që përbën mangësi profesionale të nevojshme për t’u korrigjuar përmes programit njëvjeçar të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Sipas shumicës, mangësitë e konstatuara duhet të ishin vlerësuar nga Komisioni në drejtim të vlerësimit të aftësive profesionale, në kushtet që ka një sërë aspektesh për të cilat subjekti paraqet probleme të përsëritura, përfshirë shkelje të afateve të njoftimit apo të dispozitave të ligjit që kanë për synim të sigurojnë barazinë e armëve në procesin gjyqësor.
Shpjegimet e Fuçisë vlerësohen evazive dhe si pasqyrim i mangësive të tij në drejtim të njohjes dhe zbatimit të parimeve themelore të zhvillimit të një procesi gjyqësor, që duhet të ishin mbajtur në konsideratë nga KPK.
Sipas shumicës, mangësitë e konstatuara nuk e bëjnë subjektin të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, pasi janë të tilla që mund të plotësohen nëpërmjet programit të, brenda një viti. Për të arritur në këtë përfundim, është mbajtur në konsideratë dhe fakti se nuk janë gjetur probleme për pasurinë dhe figurën. Në përfundim të këtij gjykimi, më datë 25 korrik të vitit 2025, shumica vendosi ndryshimin e vendimit të KPK, pezullimin nga detyra të Fuçisë për një periudhë njëvjeçare, si dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.
Mulaj në pakicë vlerëson se u provua se aktiviteti profesional i subjektit është i shoqëruar me njohuri, aftësi, gjykim, qëndrime, e një model pune shumë të dobët, duke mos respektuar minimalisht të drejtat e palëve në proces, gjë që e ka bërë në mënyrë të përsëritur. Po ashtu, Mulaj nënvizon se Fuçia nuk zbaton ligjin si duhet. Sipas saj, gjetjet krijojnë kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut dhe duhej të largohejnga detyra. Në përfundim, Mulaj ka kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin e Fuçisë.
Përfundimi procesit
Pasi Kolegji administroi vlerësimin e Shkollës së Magjistraturës për Fuçinë, në nivelin “mirë”, shumica vlerësoi se gjendeshin të plotësuara kushtet për dhënien e një vendimi përfundimtar për çështjen. “Me fjalë të tjera, duke mbajtur në konsideratë që subjekti i rivlerësimit e ka kaluar testimin e aftësive profesionale në përfundim të një programi trajnues të hartuar për të nga Shkolla e Magjistraturës, konkludohet që ai ka arritur nivelin minimal kualifikues të kërkuar nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016 si parakusht për konfirmimin në detyrë”, vlerëson shumica dhe e konfirmoi atë në detyrë më 31 tetor të vitit të kaluar.
Mulaj dhe në këtë rast ka dalë në pakicë, duke arsyetuar se në rastin kur subjekti pezullohet nga detyra e dërgohet për trajnim në Shkollën e Magjistraturës, vendimarrja përfundimtare i takon Komisionit. Ajo vëren se, në nenin Ë, pika 1 dhe 2 Aneksit të Kushtetutës parashikohet ndër të tjera se: “…Subjekti i rivlerësuar urdhërohet të ndjekë një program edukimi njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, i hartuar për të plotësuar mangësitë. Në fund të programit, ai testohet për aftësitë e tij. Ky testim mbikëqyret nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Subjekti i rivlerësimit që nuk e kalon testimin, shkarkohet nga Komisioni”.
Në vijim, Mulaj argumenton se Kushtetua ka përcaktuar se pas shpërbërjes së Komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit, ndërsa ankimet ndaj vendimeve të Komisionit ende të papërfunduara, do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Mulajt, dispozitat kushtetuese përcaktojnë qartë kalimin e kompetencave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit te Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe për këtë arsye, procedura e rivlerësimit për gjyqtarin Laurent Fuçia duhet të ishte trajtuar nga ky Këshill.
Arsyetimin e saj, pakica e mbështet dhe në faktin se, sipas legjislacionit të vetingut të magjistratëve, Kolegji nuk mund të vendosë konfirmimin në detyrë të subjektit, pa vendosur më parë ndryshimin e vendimit të Komisionit.
“Konfirmimi apo shkarkimi nga detyra i subjekteve të rivlerësimit, në përfundim të hetimit administrativ, vendoset vetëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, bazuar në nenin 58, të ligjit nr. 84/2016, që në këtë rast e ka Këshilli i Lartë i Gjyqësor”, nënvizon Mulaj.
Ajo shton dhe faktin se KPA vihet në lëvizje vetëm bazuar në ankim të subjekteve të rivlerësimit apo Komisionerit Publik. “Vlerësimi i dhënë nga Shkolla e Magjistraturës përmes shkresës nr. {***} prot., datë 24.07.2025, nuk mund të vërë në lëvizje Kolegjin e të trajtohet si ankim”, vlerëson Mulaj dhe çmon se shumica ka shkelur rëndë parimet kushtetuese, duke gjykuar një çështje pa ankim dhe duke marrë kompetencat e një institucioni tjetër kushtetues.
Ajo përfundon, se KPA duhej që, për trajtimin e kësaj çështjeje, të kishte vendosur dërgimin e akteve institucionit kompetent, Këshillit të Lartë Gjyqësor.




