Prokurori Florian Bonjaku pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Florian Bonjaku konfirmohet me shumicë votash

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të enjten vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krujës, Florian Bonjaku. Kryesuesja e trupës së KPK-së, Xhensila Pine sqaroi se vendimi i konfirmimit të Bonjakut është marrë me shumicë votash. Dy anëtërët e tjerë të trupës së Komisionit  që kreu procesin e vetingut për këtë subjekt rivlerësimi janë Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici, ky u fundit në cilësinë e relatorit të çështjes.

Bonjaku u pyet dhe dha shpjegime në tre seanca dëgjimore lidhur me konstatimet në kriterin e pasurisë, profesionalizimit dhe figurës. Pas seancës së pare, Komisioni njoftoi riçeljen e hetimit administrativ që u mësua se ishte kryer bazuar në dyshimet e ngritura për veprime fiktive në shitjen e një apartamenti.

Në seancën e zhvilluar më 27 maj, relatori Komici sqaroi se pas shpjegimeve të subjektit, Komisioni kishte vlerësuar të nevojshme që të merreshin informacione zyrtare lidhur me çmimin e tregut të lirë në zonën ku gjendet apartamenti i shitur prej subjektit.

Prokurori Bonjaku deklaroi në seancë se prej dokumenteve të dorëzuara nga ASHK, rezulton se në atë zonë ka kontrata shitjeje me çmime të ndryshme, që janë më të larta se çmimet e referencës.

Ai këmbënguli se provat krijojnë bindjen se çmimi i shitjes së apartamentit të tij është ai i tregut.

Florian Bonjaku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998. Ai ka punuar fillimisht në Prokurorinë e Lushnjes dhe prej vitit 2008 e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Krujë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *