Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ridvan Hado pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ridvan Hado përballet me vetingun

Gjyqtari Ridvan Hado u ballafaqua me vëzhguesin ndërkombëtar, Theo Jacobs për rolin e tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në dhënien e lejes prindërore për gjyqtarin tjetër, Gjin Gjoni –vendim të cilin ai e konsideroi të ligjshëm.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ridvan Hado pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari Ridvan Hado i Apelit të Tiranës u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas hetimit administrativ të kryer për të tre kriteret e rivlerësimit. Procesi i vetingut për gjyqtarin Hado po kryhet nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Komisioni e ka përqendruar hetimin administrativ në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 146 m2 në vlerën e 8 milionë lekëve, si burim të të cilit Hado ka deklaruar një kredi në vlerën 8 milionë lekë të marrë prej bashkëshortes së tij në Bankën e Shqipërisë.

Kontrata e sipërmarrjes është nënshkruar në vitin 2004, por sipas relatores Pine është deklaruar në vitin 2005 bashkë me disbursimin e kredisë në vlerën e 7.6 milionë lekëve.

Komisioni nuk konstatoi probleme me aftësinë paguese në blerjen e apartamentit, por relatorja Pine ngriti pikëpyetje për “marrëdhënie interesi” mes shoqërisë ndërtuese dhe bashkëshortes së gjyqtarit, duke u nisur nga fakti se kompania kishte vendosur kolateral në bankë për kredinë dhe se pagesat i ishin kryer aksionerit të kompanisë. Komisioni ka dyshuar gjithashtu se apartamenti është blerë nën çmimin e referencës, por gjyqtari Hado kishte dorëzuar kontrata të tjera me çmime të ngjashme.

Lidhur me apartamentin, gjyqtari Hado tha para Komisionit se nuk e kishte deklaruar kontratën e porosisë në vitin 2004, pasi të drejtën reale për pronën e kishte fituar në vitin 2005.

“Ashtu si e keni konstatuar, kam jetuar me qira për periudhën 2003-2005. Edhe kredia është disbursuar dhe i është kaluar shoqërisë në vitin 2005,” shpjegoi Hado.

Hado tha se nuk kishin asnjë lloj konflikti interesi me shoqërinë ndërtuese dhe se nuk kishte gjykuar asnjëherë çështje që kishin palë kompaninë në fjalë apo ortakët e saj. Ai e shpjegoi kolateralin e vendosur nga kompania me interesin e saj për shitjen e apartamentit.

Hado shpjegoi më tej se personit të cilit i është kaluar vlera 7.6 milionë lekë në llogari ishte dhe është ortak i shoqërisë ndërtuese në fjalë. Sipas Hados, në periudhën kur është kryer pagesa, A.L. zotëronte 65% të aksioneve të shoqërisë, ndërsa tani është ortak me pjesë takuese 100%.

“Është provuar që shoqërisë i është paguar vlera 8 milionë lekë; 7.6 milionë me transaksion bankar dhe 400 mijë lekë fizikisht në arkën e shoqërisë,” tha gjyqtari.

Një tjetër problem i evidentuar në seancë ishte mosdeklarimi i pakësimit të kursimeve në cash në mars 2015 dhe hapja me to e një depozite bankare prej 2.4 milionë lekëve. Pine tha se gjatë këtij viti, Hado rezulton një balancë negative në vlerën 581 mijë lekë, për të cilën Hados i është kaluar barra e provës.

Gjyqtari Hado shpjegoi se në vitin 2003 kishte deklaruar bono thesari në vlerën 1.5 milionë lekë dhe se ky fakt është provuar edhe nga dokumentacioni i dorëzuar në KPK nga Banka e Shqipërisë. Ai shtoi se kjo shumë është tërhequr cash në korrik të 2004-ës dhe se është deklaruar si gjendje cash çdo vit.

Gjithashtu në vitin 2014, gjyqtari ka deklaruar edhe gjendje cash në vlerën 2.2 milionë lekë nga kursime familjare.

“Kam deklaruar se deri në vitin 2014, kam patur 3.7 milionë lekë në gjendje cash dhe në vitin 2015 kam hapur depozitën, ndërsa kam mbajtur gjendje cash vlerën 1 milion e 350 mijë lekë”, tha Hado, duke shtuar se vlerën e kishte depozituar në bankë me qëllim që të mos kishte më shumë se 1.5 milionë lekë në shtëpi, ashtu siç e parashikonte legjislacioni i kohës.

Gjyqtari Hado deklaroi se në vitin 2015 kishte pasur të ardhura familjare në vlerën 2.6 milionë lekë dhe se mundësia e kursimit ishte rreth 1 milion e 170 mijë lekë. Sipas tij, duke shtuar vlerën 1 milionë e 350 mijë lekë që ishte gjendja cash, nuk mund të rezultonte balancë negative edhe nëse nuk përfshihej vlera e bonove prej 1.5 milionë lekësh dhe kursimet e tjera.

“Edhe nëse do të pranonim balancën negative, nisur nga periudha e gjatë 24 vjeçare që punoj, bazuar në propocionalitetin dhe vendimet e tjera të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlera 581 mijë lekë nuk mund të sjellë shkarkimin tim,” tha Hado.

Komisioni nuk ka gjetur probleme lidhur me një tokë truall me sipërfaqe 421 m2, me pjesë takuese ¼ të trashëguar nga prindërit. Në seancën dëgjimore u evidentua edhe mosdeklarimi i një sipërfaqe toke prej 2500 m2 në Delvinë e trashëguar me pjesë takuese 1/6. Pine tha se Hado ka dhënë shpjegime, që do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar për këtë gjetje.

Komisioni nuk identifikon probleme për blerjen e një autoveture në vlerën 2600 euro në vitin 2010 duke konsideruar se subjekti ka pasur burime të ligjshme – si dhe për dhënien hua të një shume 500 mijë lekë që e ka kryer me transaksion bankar dhe i është kthyer po në rrugë bankare.

Gjetjet për profesionalizmin

Hado u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa u evidentuan dy gjetje të Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM gjatë kohës që ai ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Pine tha fillimisht se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte dorëzuar në KPK një raport pozitiv për Hadon. Më pas ajo u ndal në dy gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar, Theo Jacobs lidhur me qëndrimin e gjyqtarit Hado në KLD lidhur me lejen prindërore të dhënë ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni dhe rrëzimin e kërkesës së ministrit të Drejtësisë për masë disiplinore ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj.

Duke relatuar qëndrimin e ONM, Pine tha se duhej të verifikohej qasja e gjyqtarit Hado në vendimarrjen e KLD-së për dhënien e lejes gjyqtarit Gjin Gjoni. ONM e konsideron këtë vendim si shkelje flagrante dhe kontribuese në cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. Për këtë arsye, ONM i kërkon KPK-së që t’a marrë parasysh në vlerësimin përfundimtar të Hados. Pine tha se kjo gjetje është pranuar nga Komisioni.

Gjyqtari Hado tha në seancë se KPK dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk kanë në juridiksionin e tyre rivlerësimin e anëtarëve të ish-KLD-së. Ai tha se lidhur me çështjen e ngritur nga vëzhguesi ndërkombëtar për Gjin Gjonin, ky i fundit i plotësonte kushtet për të përfituar lejen prindërore.

“Ka qenë i detyrueshëm ligji për t’u zbatuar në këtë rast nga KLD,” pohoi Hado.

Ai shpjegoi se mbledhjet urgjente dhe rendi i ditës kërkoheshin nga kryetari i KLD-së, Ministri i Drejtësisë ose nga 5 anëtarë. Sipas Hados, rendi i ditës ishte ekskluzivitet i Presidentit dhe se ai ka qenë dakort e nuk ka pasur ndonjë kontestim.

“Askush nuk mund të mbajë përgjegjësi disiplinore që nuk kanë qenë të parashikuara në ligj. Nuk dua të mbrohem, por leja për gjyqtarin Gjin Gjoni është dhënë në përputhje me ligjin,” pohoi Hado.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e kundërshtoi duke thënë se “të jesh anëtar i një institucioni si KLD nuk do të thotë se mund të bësh ç’të duash”.

“Nëse kërkon protokollin, do të gjeni një ekstra protokoll të vendosur pas marrjes së vendimit që tregon se ky vendim ka qenë i paligjshëm,” tha Jacobs lidhur me lejen 3-vjeçare të dhënë për Gjin Gjonin.

Gjithashtu, ONM i kërkon KPK-së që të kërkojë informacion lidhur me rrëzimin e një mase disiplinore ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj në KLD. Sipas ONM, mungesa e përgjegjësisë penale nuk e ndalonte KLD-në të merrte masë disiplinore ndaj Aliajt dhe për këtë arsye i kërkon Komisionit që të verifikojë qasjen e Hados në këtë vendimarrje kolegjiale.

Lidhur me kërkesën e ONM për verifikimin e votës së tij në këtë rast, Hado tha se nuk e mbante mend nëse kishte qenë apo jo në sallë në momentin e votimit. “I kam kërkuar KLGJ-së të më informojë nëse kam qenë i pranishëm në momentin e votimit dhe se si kam votuar. Me sa mbaj mend, do të kem ikur se kam qenë i lodhur,” pohoi Hado.

Relatorja tha se ndaj Hados pranë KPK janë depozituar gjithsej 21 ankime, nga të cilat 19 i drejtohen në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues dhe dy personalisht atij.

Komisioni ka verifikuar katër prej këtyre denoncimeve, pasi në të tjerat nuk ka gjetur indicie. Në një prej denoncimeve të kryera nga një aktiviste e të drejtave të njeriut pretendohet se Hado nuk e ka pranuar të marrë pjesë në procesin gjyqësor si palë e tretë.

Hado shpjegoi në seancën dëgjimore se ankesa e denoncueses ishte rrëzuar si e pabazuar nga një trupë tjetër dhe se ajo nuk kishte kryer rekurs, duke e pranuar vendimin e dhënë.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Ridvan Hado tha se kishte punuar gjithmonë me ndershmëri e përkushtim, me qëllimin e vetëm që të jepte drejtësi. Ai tha se rridhte nga një familje gjyqtarësh prej 6 brezash. “Konsideroj se i plotësoj të tre komponentët dhe kërkoj konfirmimin në detyrë,” përfundoi Hado.

KPK do të shpallë vendimin më datë 24 qershor, ora 09:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *