Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtarja Brunilda Kadi rikonfirmohet në detyrë

Kandidatja për anëtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe gjyqtarja e Tiranës kaloi me sukses procesin e vetingut pasi pasaktësitë e vogla në pasurinë e deklaruar u konsideruan të parëndësishme nga ana e komisionit.

Gjyqtarja Brunilda Kadi pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: BIRN

Vendimi për rikonfirmimin e gjyqtares Kadi u dha mëngjesin e të mërkurës më 1 gusht dhe ishte i fundit vendim për listën e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor nga rradha e gjyqtarëve.

Kadi është një gjyqtare karriere dhe ka punuar në Fier e Tiranë ndërsa pasuria e saj familjare përbëhet nga një apartament me vlerë 63 mijë euro në periferinë lindore të Tiranës, të cilën ajo dhe bashkëshorti e kanë blerë përmes një kredie bankare. [Link skeda e pasurisë]

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pati dhënë një raport të pastër për Kadin dhe po kështu, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka konsideruar subjektin e vetingut “të përshtatshëm” për postin e gjyqtares. Nga pikëpyetjet e pakta mbi pasurinë e saj ishte shitja në vitin 2007 e një makine të vjetër të llojit Benz, prodhim i vitit 1997, të cilën ajo nuk e kishte deklaruar në deklaratat e mëparshme të pasurisë. Kadi shpjegoi gjatë seancës dëgjimore të hënën se kjo makinë ishte blerë në vitin 2004 për 200 mijë lekë dhe 250 mijë lekë kishin qenë detyrimet doganore dhe se e kishte raportuar në një procesverbal të veçantë në ILKPDKI duke e konsideruar të ezauruar detyrimin e deklarimit. Shpjegimet e saj si dhe fakti që të ardhurat e marra nga shitja e kësaj makine nuk ndryshojnë gjendjen pasurore të saj duket se bindën komisionin e përbërë nga Lulzim Hamitaj si kryetar, Roland Ilia si Relator dhe Firdes Shuli si anëtare, të cilët vendosën rikonfirmimin e saj në detyrë.

Kadi nuk pati pikëpyetje të mëdha nga rivlerësimi i aftësive profesionale ndërsa skeda e saj në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar rezultoi e pastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *