Gjyqtarja Dhurata Bilo përballet me mungesa financiare për krijimin e pasurive

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton deklarime të pasakta për pasuritë dhe pamundësi financiare në vlera të konsiderueshme për krijimin e tyre. Bilo deklaroi se kishte punuar me ndershmëri dhe se të ardhurat e saj i tejkalonin investimet dhe shpenzimet e kryera. Ajo kërkoi riçeljen e hetimit edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja Dhurata Bilo duke dalë nga seanca dëgjmore në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës së Durrësit, Dhurata Bilo u përball të hënën me barrën e provës që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i kishte kaluar për pasurinë, kriteri i vetëm për të cilin ishte përfunduar hetimi administrativ.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Bilo kryesohet nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme, Elka Ermenkova.

Dhurata Bilo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Gjyqtarja Bilo i është nënshtruar një inspektimi nga KLD në vitin 2015 si dhe një hetimi të prokurorisë në vitin 2016, pas dyshimeve për falsifikimin e pronësisë së ish-hotel Vollgës, por të dyja çështjet u mbyllën pa pasoja.

Gjatë seancës dëgjimore u relatuan mungesa financiare në vlera të konsidrueshme për krijimin e pasurive, si dhe pasaktësi e mospërputhje mes deklarimeve dhe rezultateve të hetimit.

Relatorja Zhegu pohoi se Komisioni e ka rrëzuar kërkesën e Bilos për riçeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, por shtoi se nëse provat dhe shpjegimet e dorëzuara nga subjekti do të vërtetojnë të kundërtën e barrës së provës, atëherë do të riçelet hetimi.

Gjyqtarja Bilo e konsideroi në cënim të transparencës për publikun vendimmarrjen për mospërfundimin e hetimit edhe për dy kriteret e tjera të rivlerësimit.

“Prej 28 vitesh jam gjyqtare dhe e kam ushtruar detyrën me ndershmëri”, theksoi ajo në fillim të fjalës.

Zhegu tha se subjekti kishte ndjekur procedurat e legalizimit për një shtesë në një apartament me sipërfaqe 67 m2 të përfituar nga privatizimi, ku ajo zotëron 1/4 pjesë takuese.

Bilo tha në seancë se pagesën pranë ALUIZNI-it e kishte kryer me udhëzim të vëllezërve. Ajo shtoi se vëllai i vogël ka qenë mjaft i interesuar për të investuar në atë banesë dhe se i kishte kredituar në llogari shumën 10 mijë euro. “Por shtesa nuk është bërë dhe iu kam vendosur në dispozicion foto që tregojnë se nuk është kryer ndërtim në katin tonë”, sqaroi Bilo.

Bilo u pyet gjatë seancës dëgjimore lidhur me transaksionet e kryera për blerjen dhe rikonstruksionin e një shtëpie dykatëshe në qytetin e Durrësit. Nga hetimi ka rezultuar se shtëpia me sipërfaqe ndërtimi 71 m2 dhe truall 154.14 m2 është blerë në tetor të vitit 2002, kundrejt vlerës 2 milionë lekë.

Në të njëjtën ditë kur gjyqtarja Bilo ka blerë shtëpinë, ka nënshkruar një kontrtaë huaje me shitësen, sipas së cilës, kjo e fundit i jepte hua shumën 1.4 milionë lekë.

Komisioni ka gjetur se subjekti ka nënshkruar në vitin 2003 një kontratë investimi për këtë shtëpi, në shumën 3.84 milionë lekë për kryerjen e disa shtesave. Po në këtë vit, ka rezultuar se ajo ka marrë dy kredi, një në shumën 15 mijë USD dhe tjetrën 10 mijë USD.

Zhegu pohoi se subjekti ka deklaruar se nuk ka kryer shtesa pasi kontrata është anuluar.

“Është e paqartë përse subjekti ka dorëzuar në ILDKPKI kontratën për shtesat kur kontrata nuk është ekzekutuar”, evidentoi Zhegu.

Si burim krijimi për këtë pasuri, Bilo ka deklaruar kursime dhe kredi. Një ndër burimet e deklaruara ka qenë dhe shuma 1.5 milionë lekë e përfituar me statusin si e pastrehë.

Pasi kontrata e investimit nuk është revokuar, Komisioni ka përfshirë në analizën financiare për mundësinë e blerjes së kësaj pasurie edhe vlerën e përcaktuar aty në shumën 3.84 milionë.

Sipas KPK, nga të ardhurat dhe shpenzimet e përllogaritura për periudhën 1993-2003, ka rezultuar balancë negative në shumën 2.1 milionë lekë.

“Vihet në diksutim shtëpia që provohet se kam krijuar me kredinë, kursimet dhe fondin si e pastrehë. Kam një makinë të 10 viteve më parë dhe kam prenotuar shtëpinë në Golem. Këto janë pasuritë e mia. Kam qenë dhe jam e vetme në trung familjar”, deklaroi Bilo.

Ajo këmbënguli se të ardhurat e saj për periudhën 1993-2016 i tejkalonin vlerat e investimeve dhe të shpenzimeve dhe se rezultonte me balancë pozitive në shumën 3.1 milionë lekë.

Gjyqtarja Bilo shpjegoi në seancë se kur kishte punuar si gjyqtare në Berat, Ministria e Drejtësisë kishte qenë e interesuar për strehimin e saj dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit dhe Entin e Banesave ishte vendosur të banonte përkohësisht në konviktin e vajzave të shkollës bujqësore të këtij qyteti. “Por ajo përkohësisht zgjati 5 vjet”, tha Bilo dhe sqaroi se kur godinës së konviktit i kishte dalë pronari, atëherë ishte miratuar edhe statusi i të pastrehut.

Sipas subjektit, kur ajo ishte transferuar në vitin 2001 në Durrës, bashkia e këtij qyteti, në bashkëpunim me Entin e Banesave dhe Bashkinë e Beratit, kishin miratuar dhënien e fondit.

Bilo u ndal edhe tek huaja. Sipas gjyqtares, në momentin e nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes së shtëpisë dykatëshe ajo dispononte shumën 600 mijë lekë pasi nuk ishte disbursuar fondi i përfituar si i pastrehë. “Për të garantuar palën shitëse për pjesën tjetër të çmimit, u dakordësuam të nënshkruanim edhe kontratën e huasë për vlerën e mbetur 1.4 milionë lekë”, sqaroi Bilo.

Ajo shtoi se kontratat ishin nënshkruar me qëllim kalimin e shtëpisë në emrin e saj dhe marrjen e kredive me të cilat do të kryhej edhe investimi.

Bilo këmbënguli se nuk kishte kryer shtesa në këtë shtëpi dhe deklaroi se për rikonstruksionin kishte shpenzuar 1 milion e 390 mijë lekë.

Ajo e pranoi se kontrata e investimit nuk ishte revokuar, por theksoi se asnjë nga palët nuk kishte pasur pretendime. “Kontrata është revokuar në heshtje. […] Kontratën e kam paraqitur në ILDKPKI si rjedhojë e sinqeritetit të tepruar”, deklaroi Bilo.

Komisioni ngre dyshime për situatën e gjyqtares Bilo në transaksionin e shitjes së një automjeti në vitin 2010, çmimi i të cilit është deklaruar si burim për blerjen e një makine tjetër.

Për blerjen e autoveturës tip Benz në shumën 6 mijë euro + 326 mijë lekë për zhdoganimin në vitin 2010, Bilo ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja makinës tip Volkswagen në shumën 9 mijë euro. Relatorja Zhegu sqaroi se shitja e këtij mjeti ishte kryer një muaj pasi ishte blerë Benz-i dhe se të ardhurat e përfituara nuk mund të shërbenin për krijimin e pasurisë.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se Bilo ka gjykuar tre çështje ku palë ka qenë shtetasi që ka blerë autovturën tip Volksëagen. Zhegu pohoi se subjektit i është kaluar barra e provës për të shpjeguar këtë marrëdhënie private.

Bilo deklaroi se edhe pse automjetin tip Volkswagen e ishte shitur pas blerjes së Benz-it, kishte marrë më parë prej blerësit si kapar shumën 7 mijë euro.

Ajo shtoi se nuk e kuptonte përse ishte konstatuar si “marrëdhënie private” shitja e makinës një personi që kishte qenë palë gjykim në tre procese të gjykuara prej saj, ndërkohë që nuk ishte konstatuar konflikt interesi.

Bilo deklaroi se dy nga gjykimet kishin ndodhur shumë vite para shitjes së makinës dhe tjetri shumë vite më pas. “Të gjitha vendimet kanë qenë të drejta dhe janë lënë në fuqi”, pohoi Blio.

Për një apartament me sipërfaqe 102 m2 në Golem të porositur në vitin 2013 kundrejt shumës 41 mijë e 600 euro, Bilo ka deklaruar se janë shlyer dy këstet e para në vlerën totale 31 mijë e 600 euro që kanë pasur si burim kursimet në shumën 20 mijë euro dhe vlerën 11 mijë e 600 euro, që sipas subjektit i është dhuruar nga e ëma. Gjyqtarja Bilo ka shpjeguar se shuma e dhuruar nga e ëma rrjedh nga pagesat e pensionit të saj nga viti 1997 e në vazhdim.

Komisioni konstaton se Bilo nuk ka deklaruar gjendje cash për periudhën 2003-2011 dhe se në vitin 2012 ka deklaruar vetëm shmën 600 mijë lekë. Nga analiza financiare e KPK ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi financiare për shlyerjen e këstit të parë në shumën 20 mijë euro, pasi ka rezultuar me balancë negative në shumën 2.2 milionë lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se Bilo e ka depozitur me afat shumën 11 mijë e 600 euro të dhuruar nga nëna dhe e ka tërhequr në vitin 2014, një vit pas pagesës së këstit të dytë.

Zhegu pohoi se vlera e dhuruar nga nëna nuk mund të ketë shërbyer për pagesën e këstit të dytë dhe nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 1.6 milionë lekë, duke rezultuar në pamundësi për krijimin e kësaj pasurie në vlerën totale 3.8 milionë lekë.

Sipas KPK, balanca negative janë konstatuar edhe në vitet 2015 dhe 2016.

Gjyqtarja Bilo tha se kishte pasur gjendje financiare për shlyerjen e këstit të parë, pavarësisht se nuk kishte deklaruar gjendjen cash ndër vite.

Ajo këmbënguli se kishte pasur mundësi edhe për pagesën e këstit të dytë, pasi kishte përdorur shumën që i kishte dërguar vëllai dhe se kur ishte maturuar depozita e krijuar me vlerën e dhuruar nga nëna ia kishte kthyer në vitet në vijim.

Në fund, gjyqtarja Dhurata Bilo kërkoi që të merreshin parasysh parashtrimet dhe provat e dorëzuara prej saj, si dhe të riçelej hetimi për dy kriteret e tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 22 prill, ora 09:20.