Inspektorja e ILD, Marsela Pepi përballet me vetingun

Uncategorized
Inspektorja Marsela Pepi u pyet gjatë seancës dëgjimore lidhur me të ardhurat e përfituara nga shitja e prodhimeve bujqësore të familjes së saj dhe të bashkëshortit, ndërsa u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Inspektorja e ILD, Masela Pepi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Marsela Pepi, e komanduar si inspektore në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u përball të hënën me rezultatet e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për të tri kriteret e rivlerësimit.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për Marsela Pepin përbëhet nga Brunilda Bekteshi në cilësinë e kryesueses, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Lulzim Hamitajn.  Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Pepi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, ndërkohë që dha shpjegime gjatë seancës dëgjimore për barrën e provës të kaluar nga Komisioni, që kryesisht kishin të bënin me të ardhurat nga familjet bujqësore të saj dhe të bashkëshortit.

Relatorja Qirko u ndal në burimet e tre depozitave bankare një në vlerën 2.8 milionë lekë që zotëron inspektorja Pepi së bashku me bashkëshortin dhe dy depozita të çelura për dy fëmijët e mitur, përkatësisht në shumat 13 mijë e 581 euro dhe 200 mijë lekë.

Si burim për krijimin dhe shtesat e depozitës bankare në shumën 2.8 milionë lekë nga viti 2008 deri në 2016-ën, Pepi ka deklaruar të ardhurat nga shitjet e prodhimeve bujqësore të familjes së saj të origjinës dhe të bashkëshortit; të ardhurat nga pagat e tyre si dhe nga shitja e një autoveture në shumën 200 mijë lekë në vitin 2016.

Qirko tha se subjekti ka deklaruar saktë gjendjen e depozitës si dhe shtesat dhe ndryshimet ndër vite. Në analizën financiare për periudhën 2008-2016 janë përfshirë të ardhurat nga pagat e Pepit dhe të bashkëshortit të saj, si edhe vlera 200 mijë lekë e përfituar nga shitja e autoveture tip Benz.

Ndërkohë, Komisioni i ka kaluar Pepit barrën e provës për të provuar me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e deklaruara ndër vite si të përfituara nga shitjet e prodhimeve bujqësore.

Për periudhën 2008-2016, Pepi ka deklaruar periodikisht të ardhura nga shitja e prodhimeve bujqësore, që sipas Komisionit, në total kapin vlerën 1.5 milionë lekë. Qirko tha se subjekti ka arritur të provojë pronësinë e pjesës takuese të saj dhe të bashkëshortit në pasuritë tokë-arë që administrojnë familjet e tyre të origjinës, prona të cilat janë përfituar nga Ligji “Për Tokën”.

“Por duket se nuk kanë depozituar dokumentacion ligjor justifikues lidhur me të ardhurat e përfituara nga prodhimet bujqësore si dhe pagesën e detyrimeve tatimore”, pohoi relatorja Qirko. Ajo shtoi se Pepi ka dorëzuar prova dhe argumente të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Të ardhurat nga bujqësia janë deklaruar gjithashtu si burim i pjesshëm për krijimin e depozitës në emër të fëmijës së parë me vlerë 13 mijë e 581 euro, si dhe dhuratat nga gjyshërit respektivë. Për depozitën në shumën 200 mijë lekë në emër të fëmijës së dytë, ka deklaruar si burim krijimi dhuratat nga familjarët me rastin e lindjes së djalit.

Qirko tha se subjekti nuk ka deklaruar periodikisht shtimin e pasurive nga dhuratat dhe sipas Komisionit, duket se këto shuma nuk janë përdorur për çeljen dhe shtesat e depozitave në emër të fëmijëve.  Gjithashtu, lidhur me krijimin e depozitës 13 mijë e 581 euro, KPK i ka kaluar barrën e provës për të vërtetuar të ardhurat nga bujqësia si dhe pagesën e detyrimeve tatimore.

Në seancë nuk u evidentua pamundësi financiare e familjes së subjektit të rivlerësimit për krijimin e tre depozitave.

Pepi e vlerësoi procesin e rivlerësimit të kryer nga Komisioni dhe u ndal në barrat e provës. Ajo tha se ka qenë e pamundur të sigurohej dokumentacion justifikues ligjor për të ardhurat e përfituara nga shitja e prodhimeve bujqësore pasi ishin kryer nga prindërit vite me parë.

Sipas Pepit, prindërit nuk kanë pasur detyrim ligjor që të dokumentonin të ardhurat që përfitonin në cilësinë e familjes bujqësore.

“Ata kanë pasur detyrim të paguanin detyrimet si fermerë, gjë që e kanë bërë rregullisht”, pohoi Pepi dhe theksoi se të ardhurat nga bujqësia i kishte deklaruar rregullisht ndër vite.

E pyetur nga Qirko lidhur me kulturat bujqësore që kishin kultivuar familja e saj dhe e bashkëshortit, Pepi shpjegoi se aktiviteti ishte ushtruar gjatë gjithë kohës nga të dy familjet, të cilat kishin përfituar tokë bujqësore.

Pepi sqaroi se prindërit e saj jetojnë ende në fshat, ndërsa vjehrri, pas transferimit në Tiranë komunikonte me persona të ndryshëm që punonin dhe mbillnin tokën dhe kur shkonte në Korçë, kryente pagesat përkatëse. Sipas subjektit, ata kultivonin kryesisht fasule, elb dhe misër. Pepi shtoi se vjehrri kishte pasur më parë edhe pemtari të llojit kumbull dhe se e shiste prodhimin tek një i afërm i tij, i cili e përpunonte për raki.

E pyetur nga Hamitaj lidhur me mospagimin e detyrimeve, Pepi këmbënguli se sipas legjislacionit, prindërit e saj dhe të bashkëshortit i kishin paguar detyrimet që u takonin dhe se nuk paguhej tatim për këto lloj të ardhurash.

Në përgjigje të interesit të vëzhgueses ndërkombëtare Elka Ermenkova lidhur me peshën që zinin në totalin e të ardhurave familjare ato të përfituara nga shitja e prodhimeve bujqësore, Pepi tha se ato kanë qenë modeste. “Shpenzimet e familjes janë përballuar nga pagat tona,” tha ajo.

Në vijim Qirko konstatoi mospërputhje lidhur me vlerën e gjendjes cash të deklaruar nga Pepi. Sipas KPK, nga përllogaritjet duhej që të kishte gjendje cash shumën 850 mijë lekë dhe jo 800 mijë lekë sa ka deklaruar subjekti i rivlerësimit.

Pepi pohoi në seancë se kishte deklaruar vlerën reale të gjendjes cash, që sipas saj kishte qenë 800 mijë lekë.

Në seancë u konstatua mosdeklarimi nga bashkëshorti i marrjes së dy kredive në vitet 2007 dhe 2008 në shumat 700 mijë dhe 300 mijë lekë.

Gjyqtarja Pepi shpjegoi se kreditë ishin marrë prej nënës së bashkëshortit dhe se ky i fundit kishte qenë në cilësinë e dorëzanësit. Ajo tha se bashkëshorti as nuk kishte tërhequr vlerat e kredive dhe as nuk i kishte shlyer ato. “Ai është pjesëmarrës formal në marrjen e kredisë dhe  mospasqyrimi mund të cilësohet vetëm si pasaktësi formale,” këmbënguli ajo.

Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 kanë rezultuar balanca negative në vlera të vogla gjatë viteve 2008, 2011, 2014 dhe 2016, në vlerë totale 300 mijë lekë.

Lidhur me balancën negative, Pepi i kërkoi KPK që të vlerësonte në bazë të parimeve të proporcionalitetit dhe objektivitetit.

Në përfundim të seancës dëgjimore, Marsela Pepi tha se vlerësonte se kishte kryer deklarim të saktë për pasuritë dhe burimet e krijimit të tyre, se kishte arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës dhe kualifikues për profesionalizmin, duke kërkuar konfirmimin e saj në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 3 mars, ora 09:45.