Këshilli Bashkiak i Fierit nuk i përgjigjet KPA, shtyhet seanca për Kajanën

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka kërkuar Këshillit Bashkiak të Fierit dosjen e plotë të aplikimit të bashkëshortit të prokurores Manjola Kajana si i pastrehë, por nuk ka marrë asnjë dokument. Kolegji ridërgoi kërkesën dhe shtyu me 5 ditë seancën.

Prokurorja Manjola Kajana dhe avokatja e saj, para një seance në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto:Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu të enjten me pesë ditë seancën për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj prokurores Manjola Kajana, për shkak se Këshilli i Bashkisë Fier nuk ka sjellë ende dokumentacionin e kërkuar, që ka lidhje me aplikimin e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit si i pastrehë.

Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj tha se është konfirmuar dorëzimi i kërkesës pranë zyrës së protokollit të Këshillit të Bashkisë Fier, por ende nuk ka mbërritur dokumentacioni i kërkuar. Në seancën e të enjtes ishte parashikuar që Komisioneri Publik, Florian Ballhysa dhe prokurorja Manjola Kajana të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.

Në seancën parardhëse të 23 qershorit, Komisioneri dhe Kajana i vlerësuan të plota dokumentet e mbërritura nga institucionet, por Kolegji, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i rikërkojë Bashkisë Fier dokumentacionin e plotë të aplikimit të bashkëshortit të Kajanës si i pastrehë, pasi kishte mangësi.

Të enjten, Kolegji vendosi ridërgimin e një kërkese tjetër Këshillit të Bashkisë Fier për vënien në dispozicion të dosjes së plotë të aplikimit si i pastrehë dhe shtyrjen e seancës për më datë 7 Korrik, ora 09:00.

Arsyet e ankimimit të Komisionerit bazohen kryesisht mbi përzgjedhjen e bashkëshortit të subjektit për të përfituar kredi të butë nga Bashkia e Fierit në vitin 2012 – kohë kur prokurorja Kajana e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Fierit dhe ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqaj dhe zyrtarë të tjerë ishin nën hetim pikërisht për abuzime të dyshuara në dhënien e kredive të buta për familjet e pastreha pranë kësaj Prokurorie.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Manjola Kajana, e përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK-ut ka qenë e emëruar në Prokurorinë e Fierit gjatë viteve 2009-2014.  Megjithatë, ajo ka punuar si e komanduar brenda kësaj periudhe në prokurorinë e Durrësit dhe si këshilltare në Prokurorinë e Përgjithshme.

Trupi gjykues i Kolegjit që po shqyrton çështjen e prokurores Kajana përbëhet nga Natasha Mulaj Kryesuese, Luan Daci relator dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Ardian Hajdari anëtarë.