Këshilltarja ligjore e Gjykatës së Lartë, Nertila Ndregjoni në KPK. Foto | BIRN
KPK Lajme Veting

Këshilltarja Nertila Ndregjoni përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën seancën dëgjimore me këshilltaren ligjore të Gjykatës së Lartë Nertila Ndregjoni. Gjatë një seancë të shkurtër dëgjimore Ndregjonit iu kërkuan shpjegime për një balanc negativ në vitin 2015 dhe disa dokumente ligjore të përpiluara prej saj.

Trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtar Lulzim Hamitaj, nuk vuri në dukje probleme sa i përket pasurisë së Ndregjonit. Edhe pse gjatë raportimit u bë me dije se ajo kishte një bilanc negativ në vitin 2015, siç rezultoi bilanci lidhej me transferta që babai i saj kishte marrë si drejtues i një organizate jo qeveritare.

Ndregjoni vetë shpjegoi se paratë ishin donacione për organizatën që ndihmonte viktimat e regjimit komunist dhe jo të ardhura të familjes. Ajo po ashtu shpjegoi se ishte e ndarë nga trungu familjarë që në vitin 2015. E pyetur nga Hamitaj në lidhje me marrëdhënien me prindërit Ndregjoni shpjegoi se ajo jetonte me prindërit, por kishin financa të ndara.

Ndregjoni rezultoi pa pasuri të patundshme dhe KPK vuri në dukje se kishte verifikuar tre kredi konsumatore.

Sa i përket figurës në raportim u përmend se Ndregjonit i ishte refuzuar një vizë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo rezultoi të kishte ndodhur pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit.

Ndregjoni megjithatë u pyet nga Hamitaj dhe dha shpjegime në lidhje me rezultatet jo të mira në një test në Shkollën e Magjistraturës. Ndregjoni i shpjegoi rezultatet duke vënë në dukje se ajo kishte qenë në pamundësi fizike për të vijuar fazën e dytë të testimit dhe se kjo shpjegonte rezultatin. Ajo tha se ishte nënshkruar vlerësimeve periodike nga Gjykata e Lartë. Ndregjoni po ashtu dha shpjegime edhe mbi disa dokumente ligjore për të cilat KPK kishte arsyetuar se kishin probleme.

Nertila Ndregjoni e ka filluar karrierën në vitin 2010 si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe aktualisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *