Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Kolegji i Apelimit urdhëron analizën financiare për prokurorin Dritan Peka

KPA vendosi të hënën të bëjë analizën financiare për prokurorin e Apelit Tiranë, Dritan Peka, i cili po gjykohet në Kolegj pas ankimit të Komisionerit Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën me vendim të ndërmjetëm kryerjen e analizës financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve të prokurorit të Apelit Tiranë, Dritan Peka.

Gjatë shpalljes së vendimit të ndërmjetëm, kryesuesja e trupës gjykuese, Natasha Mulaj u shpreh se analiza financiare e subjektit do të kryhej për periudhën 2003-2016.

Në fillim të seancës gjyqësore ndaj subjektit Mulaj njoftoi zëvendësimin e gjyqtarit të pezulluar Luan Daci me gjyqtaren Ina Rama, e cila ishte përzgjedhur nga shorti për t’iu bashkuar trupit gjykues.

Përveç kryesues Mulaj dhe gjyqtares Ina Rama, çështja po hetohet nga relatorja Rezarta Schuetz dhe anëtarët Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo.

Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 1997 si prokuror në Tiranë dhe mban postin e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015.

Procesi i vetingut në KPK për të u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, të cilët vendosën unanimisht konfirmimin e tij në detyrë.

Gjatë seancës të së hënës Komisioneri Publik, Dariel Sina ka paraqitur parashtrimet e tij për çështjen në ankim kundër subjektit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik, referuar shpjegimeve dhe provave të pretenduara, të parashtruara nga subjekti i rivlerësimit në seancën e datës 22 korrik, vlerësoi se ato përmbushin kërkesat formale për t’u administruar në cilësinë e provës.

Në aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, përfshihet shkresa e dërguar nga Enti Kombëtar i Banesave, në përgjigje të bashkëshortes së subjektit në lidhje me dokumentet e kredisë së butë për strehim, një shkresë Drejtorit të Drejtorisë së Studimeve, Inspektimit dhe Çështjeve të tjera Ligjore, në Prokurorinë e Përgjithshme, për vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm për arkivimin e një ankese ndaj subjektit, si dhe një akt vlerësimi për pasurinë e subjektit i hartuar nga një  studio private.

Në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga Enti Kombëtar i Banesave, Komisioneri Publik vlerëson se ky dokumentacion është i plotë dhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 600, të vitit 2007. Komisioneri Publik gjithashtu u shpreh se bashkëshortja e subjektit, e ka përfituar kredinë lehtësuese në mënyrë ligjore, pasi pozicioni saj si juriste në kohën e aplikimit ishte i barabartë me drejtor drejtorie.

Në pikën 2 të vendimit për konfirmimin në detyrë të Pekës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka vendosur t’i transferojë për inspektim dhe shkelje të mundshme disiplinore organit kompetent, praktikën për përzgjedhjen dhe punësimin e Adriatik Memës – kunati i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në Prokurorinë e Apelit Tiranë, si dhe  kohëzgjatjen e lejes, prezencën apo jo të tij në vendin e punës dhe pagesat e përfituara prej tij nga ky institucion.

Ky referim është transferuar në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP ka vlerësuar se Prokurori i Përgjithshëm është institucioni kompetent për hetimin e shkeljeve disiplinore deri në ngritjen e Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në nëntor 2019, Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur ta arkivojë kërkesën për hetim disiplinor, duke u bazuar në afatet e parashkrimit. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk jep përgjigje në lidhje me shkeljet e mundshme disiplinore të Pekës në punësimin e Adriatik Memës.

Gjithashtu, në lidhje me analizën e pasurisë dhe të ardhurave të subjekti të kryer në një studio private për vitet 2003-2016, Komisioneri vërën se në zërin të ardhurat nga pagat konstatohen mospërputhje në shpërndarjen e të ardhurave sipas viteve, kryesisht për të ardhurat e bashkëshortes së subjektit nga mësimdhënia.

Gjithashtu, Komisioneri Publik shprehet se në zërin e shpenzimeve në analizën financiare të paraqitur nga subjekti, nuk janë përfshirë shpenzimet e jetesës sipas INSTAT-it, për familjen e subjektit, në përbërje të së cilës janë tre anëtarë.

Komisioneri shtoi se në zërin e “shpenzimeve për udhëtime jashtë shtetit”, ka mospërputhje për udhëtime jashtë shtetit, si për periudhën e udhëtimeve, ashtu edhe me përllogaritjen e tyre.

“Konstatojmë se në analizë nuk janë përfshirë shpenzimet e udhëtimit për jashtë shtetit të kryera nga subjekti dhe personat e lidhur në vitin 2008 dhe vitin 2010, të identifikuara nga sistemi TIMS,” tha Komisioneri Publik, Dariel Sina.

Gjithashtu, në analizën e paraqitur nga subjekti, zëri i “kursimeve” në fund të vitit nuk specifikon nëse ato janë kursime ‘cash’ apo likuiditete bankare. Gjithash, sipas Komisionerit Publik në analizën e paraqitur nga subjekti nuk identifikohet përdorimi i parave ‘cash’, të akumuluar dhe të përdorura nga subjekti.

Në prapësimet e tij Peka i është përgjigjur një numër denoncimesh të ardhura nga një ish-prokuror, i identifikuar si E. Gj në seancën e KPA-së, që lidheshin me masat e sigurisë, mos ushtrimin e rekursit dhe manipulimin e shortit në Prokurorinë e Apelit Tiranë.

Peka shpjegoi se rastet e parashikuara nga ligji për rekursin e prokurorit në Gjykatën e Lartë janë shteruese. Ai gjithashtu shtoi se mes prokurorëve masat e sigurisë janë ndarë sipas listës së gatishmërisë. Peka shpjegoi se shorti në Prokurorinë e Apelit Tiranë ishte manual, në mungesë të një sistemi elektronik. Pasi çdo prokuror tërhiqte dosjen e tij, ai si drejtues mbante dosjen e fundit që mbetej. A i cilësoi denoncimet si të “pabaza.’

Kreu i Prokurorisë së Apelit Tiranë adresoi gjithashtu edhe akuzat për shkelje disiplinore për punësimin e Adriatik Memës- kunatit të Adriatik Llalës, për të cilin tha se ishte teknik i mesëm dhe për këtë nivel punonjësi ligji dhe praktika në prokurorisë nuk parashikonte procedura rekrutimi apo kërkesa për kualifikim.

Lidhur me prezencën në punë të Memës, Peka fajësoi kancelaren e Prokurorisë së Apelit Tiranë, për të cilën gjithashtu kishte akuza për lidhje nepotike. Peka i kundërshtoi akuzat duk theksuar se kancelarja në fjalë kishte qenë e punësuar në sistemin e prokurorisë dhe ishte transferuar në Prokurorinë e Apelit Tiranë me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

“Nuk kam bërë punësime nepotike,” deklaroi Peka. “Me asnjë nga punonjësit në denoncim nuk kam lidhje familjare,” shtoi ai.

Peka adresoi gjatë fjalës edhe denoncimin për lidhje me një shtetas me precedentë kriminal, L.Kolaveri. Ai u shpreh se kishte njohje që prej vitit 2010 me këtë person, por sipas Pekës ai nuk kishte qenë kurrë i dënuar. Për një procedim ndaj Kolaverit në vitin 2002-2003, Peka deklaroi se nuk kishte dijeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *