

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani të enjten –vendim i cili u motivua me mungesën e burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurisë dhe cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Vendimi u shpall nga kryesuesja e trupës gjykuese, Rezarta Schuetz përballë një tavoline të lënë bosh nga Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi.
Në arsyetim, Kolegji i dha të drejtë pothuajse të gjitha pikave të ankimit të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa, ndërsa e cilësoi vendimin e shkallës së parë të vetingut për konfirmimin e Besnik Canit të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.
Kolegji evidentoi mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti si dhe kursimet e deklaruara për vitet 2005-2006 nga Cani. I njëjti përfundim u arrit edhe për mbulimin e shpenzimeve për vitet 2010-2015.
Lidhur me blerjen e një sipërfaqeje trualli në Paskuqan, një automjeti të markës “Benz” dhe një garazhi pa deklaruar burimin e krijimit, Kolegji arriti në përfundimin se Cani kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Kolegji arriti në përfundimin se Cani kishte cenuar besimin e publikut edhe në kriterin e profesionalizimit, përmes lidhjes së një kontrate me kompaninë “Kastrati” për ndërtimin e një karburanti dhe një njësie shërbimi mbi truallin e tij në Paskuqan, përfshirjes në mënyrë të padrejtë të bashkëshortes së tij në listën e kredive të buta në Fier si dhe në pushimin e një procedimi penal në vitin 2006.
Sa i përket kontratës me “Kastratin”, Kolegji argumentoi se prokurori Cani “nuk mund të gëzojë besimin se mund të ushtrojë në mënyrë të pavarur funksionin e tij”.
Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 4 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi u kritikua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas Komisioneri Publik, të cilët evidentuan se KPK kishte hequr dorë nga funksioni për rivlerësimin e subjektit.
Në Kolegj, Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi udhëhoqën një betejë kundër dy anëtarëve të trupës, duke sfiduar legjitimitetin e tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Para fillimit të procesit, subjekti kallëzoi në SPAK relatorin Luan Daci për falsifikim të formularit të deklarimit lidhur me arsyet e largimit të tij si gjyqtar, ndërkohë që gjyqtari Ardian Hajdari u kontestua se ishte zgjedhur në KPA në kundërshtim me ligjin, pasi kishte një mesatare më të ulët sesa e kërkonte ligji.
Kërkesat për përjashtimin e Dacit dhe Hajdarit u rrëzuan nga Kolegji.