KPA: Bujar Hoti ka cënuar besimin e publikut te drejtësia

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të prokurorit Bujar Hoti.

Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj dhe gjyqtarët, Rezarta Schuetz, Sokol Como, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjatë një seance teëKPA, | Foto : LSA

Sipas vendimit të zbardhur të Kolegjit, ish-prokurori Hoti ka përfituar 4 mijë metra katrorë tokë bujqësore në kundërshtim me ligjin dhe ka kryer veprime fiktive së bashku me bashkëshorten, veprime që kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA i përbërë nga Ardian Hajdari kyesues, Albana Shtylla relatore dhe Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz e Luan Daci anëtarë, edhe pse nuk ndan të njëjtin mendim për të 19 gjetjet e KPK-së lidhur me pasurinë e ish-prokurorit të Apelit Durrës, shprehet se pretendimet e këtij të fundit të paraqitura në ankim, nuk mund ta cënojnë vendimin për shkarkimin e tij. Kolegji i quan të drejta shumicën e gjetjeve të Komisionit duke theksuar se prokurori Bujar Hoti ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

KPA konkludon se prokurori Bujar Hoti nuk mund të përfitonte pronësinë mbi pasurinë tokë arë me sipërfaqe 4 mijë m² në fshatin Fllakë në Durrës, për shkak se nuk plotësonte asnjë nga kriteret e legjislacionit në fuqi të kohës, për pajisjen me tokë bujqësore. Edhe pse kishte nënshkruar përfitimin e tokës si ish-punonjës i ndërmarrjes bujqësore  Busht-Kamëz, Hoti kishte deklaruar në vetëdeklarimin fillestar në vitin 2003 se kishte marrë dhuratë nga babai. Ndërsa nga hetimi administrativ është evidentuar se toka ishte regjistruar direkt në emrin e prokurorit Bujar Hoti dhe se ai kishte nënshkruar në vitin 1996 si përfitues i saj.

Pretendimet e Hotit se arsyetimi i Komisionit për këtë pasuri është i gabuar pasi sipas tij, deklarimi në vitin 2003 se kjo sipërfaqe i është dhuruar nga prindërit nuk është një veprim i konkretizuar juridik, por vullneti i tyre i shprehur nëpërmjet kalimit në emër të tij të kësaj sipërfaqeje, nuk kanë qenë bindëse për Kolegjin. Po ashtu, edhe pretendimi tjetër se toka i takon si banor i fshatit dhe si pjesë e ndërmarrjes bujqësore, është rrëzuar nga provat e siguruara gjatë hetimit administrativ.

KPA evidenton se nga hetimi i KPK është zbuluar se, kur është bërë ndarja e tokës Hoti ishte prokuror dhe jo bujk, pasi kishte filluar punë që në vitin 1986 si hetues në Lushnjë dhe se ai nuk kishte të drejtë përfitimi sipas Ligjit 7501 “Për Tokën”. Kolegji e vlerëson të drejtë konkluzionin e KPK se Hoti nuk mund të përfitonte tokë si pjesë e trungut familjar me babain, pasi ky i fundit kishte përfituar në dy fshatra të tjerë. Familja e tyre po ashtu rezultonte të kishte përfituar strehim nga Enti Kombëtar i Banesave, gjë që automatikisht i përjashtonte ata nga përfitimi i tokës sipas ligjit 7501.

Sipas KPA, Hoti dhe bashkëshortja e tij kanë kryer veprime juridike fiktive, me qëllim përfitimin e një kredie bankare në vlerën 68.578 euro për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 85,4 m² në Durrës.

“Mosdeklarimi nga subjekti në deklaratën e pasurisë së vitit 2008 të qëllimit të marrjes së kredisë dhe mosdeklarimi i pagesës së vlerës së saj te z. S.H., si dhe parapagimi i shumës 23.940 euro me mandatarkëtime …te ‘{***}’ ShPK dhe i shumës prej 70.000 eurosh me transfertë bankare te z. S.H., janë fakte që i krijojnë bindjen trupit gjykues, se këto veprime janë kryer me qëllim marrjen e kredisë në vlerën e nevojshme,” shprehet Kolegji.

“Trupi gjykues vlerëson se është i drejtë konkluzioni i Komisionit se subjekti ka kryer veprime juridike fiktive, me qëllim përfitimin e kredisë bankare për pasurinë apartament me sipërfaqe 85,4 m² në Durrës, duke i vlerësuar ato si sjellje dhe veprime që cenojnë besimin e publikut,” thuhet në vendimin e KPA.

Ndërkohë, KPA e ka rrëzuar konstatimin e KPK-së se Hoti kishte kryer veprime fiktive në deklarimin e çmimit dhe mënyrës së pagesës, apo fiktivitet për dy kontrata sipërmarrjeje për këtë pasuri.

Kolegji konkludon se ish-prokurori Hoti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament, me sipërfaqe 157 m2 në Durrës, në lidhje me shumat e paguara, si edhe ka mungesë burimesh të ligjshme financiare për të justifikuar krijimin e kësaj pasurie në vitin 2004. Gjithashtu, deklarim i pamjaftueshëm identifikohet në lidhje me burimin e krijimit të dy apartamenteve të tjerë, po në Durrës, një me sipërfaqe 30 m2 dhe 85.4 m2.

Por, KPA arsyeton ndryshe nga Komisioni lidhur me konstatimin e këtij të fundit për fiktivitetin e çmimit të kontratës së shitjes së apartamentit 157 m2 dhe shtesës së tij me sipërfaqe 30 m2, me vlerë totale 6.8 milionë lekë. Pasi është njohur me pretendimet e Hotit, se deklarimi i këtyre pasurive përbën detyrim ligjor për deklarim, por jo detyrim tatimor, Kolegji vlerëson se nuk është provuar fiktiviteti i kontratës së shitblerjes të nënshkruar në gusht të vitit 2005. Trupi gjykues vlerëson se pretendimi i Hotit është pjesërisht i bazuar.

Tjetër deklarim i pamjaftueshëm është gjetur mospasqyrimi i vlerës së saktë të punimeve të kryera për ndryshimin e destinacionit të apartamentit me sipërfaqe 41,3 m2 dhe shtesës 19,63 m2. Sipas Kolegjit, Hoti nuk ka deklaruar burimin e krijimit të kësaj vlere, si edhe ka mungesë burimesh të ligjshme financiare për të justifikuar krijimin e saj në vitin 2007.

I drejtë është gjetur edhe konstatimi i KPK-së se bashkëshortja e Hotit ka përfituar një hapësirë shtesë jo në pronësi të saj, duke kryer një investim për një ndërtim pa leje, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të kohës. Në vendim theksohet se është vërtetuar se Hoti ka qenë në dijeni të këtyre veprimeve të kryera nga bashkëshortja e tij.

Ashtu si KPK, edhe KPA konkludon në mungesën e burimeve të ligjshme  për blerjen e dy autoveturave nga bashkëshortja, një tip “Peugeot” në vitin 2007 dhe një tip “Daimler Chrysler” në vitin 2010. Ndërsa për një makinë tjetër tip “Nissan Juke”, po në pronësi të bashkëshortes, Kolegji thotë se ka deklarim të pamjaftueshëm në deklaratën veting.

Nga analiza financiare ka rezultuar se ish-prokurori Hoti ka mungesë burimesh të ligjshme financiare për të justifikuar krijimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme përkatësisht në vitet 2004, 2007 dhe 2010.

“Bazuar në konkluzionet e mësipërme, trupi gjykues e gjen të bazuar konkluzionin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, si dhe ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë,” shprehet KPA.

“Në përfundim të shqyrtimit të të gjitha shkaqeve të ankimit dhe bazuar në konkluzionet si më sipër, trupi gjykues çmon se vendimi nr. 64, datë 10.09.2018, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi,” shton Kolegji.