Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
KPA Lajme Vendi

KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj

Japuaj u shkarkua nga KPK për konflikt interesi, mosdeklarimin e një apartamenti në përdorim dhe pamundësi për justifikimin e kursimeve të bashkëshortes para martesës.

Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Roland Jaupaj.

Trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë, në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi të ankimit të gjyqtarit Jaupaj, vendosi ta rrëzojë atë në mënyrë unanime.

KPK vendosi më 28 maj 2019 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Roland Jaupaj pasi u evidentuan probleme në kriterin e pasurisë dhe një rast i konfliktit të interesit. KPK konstatoi se Jaupaj nuk kishte pasqyruar në deklaratën veting një apartament me sipërfaqe 170 m2 në përdorim, që sipas tij ishte në pronësi të prindërve. Nga hetimi administrativ u zbulua se apartamenti ishte blerë me një çmim preferencial dhe ishte rivlerësuar disa ditë më vonë me trefishin e atij çmimi.

Sipas Komisionit, Jaupaj kishte dhënë një vendim gjyqësor ku pale ndërgjyqëse kishte qenë edhe kompania që kishte ndërtuar pallatin ku ndodhej apartamenti. Gjithashtu, në vendimin e KPK thuhet se gjyqtari Jaupaj nuk justifikoi dot 2.4 milion lekë, të pretenduara si të ardhura të bashkëshortes para martesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *