Gjyqtarja Irena Gjoka dhe avokatja Romina Zano, pas seancës në KPA. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
KPA Veting

KPA shtyn seancën për gjyqtaren Irena Gjoka pas ndërrimit të Komisionerit Publik

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të enjten kërkesën e Komisionerit Publik Florian Ballhysa për të shtyrë seancën ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka. Ballhysa tha në fillim të seancës se kishte nevojë të njihej me dosjen që ishte ankimuar nga ish-kolegu i tij Dariel Sina, i cili prej të mërkurës është anëtar i Gjykatës së Lartë.

Ballhysa tha se nuk i njihte detajet e çështjes dhe as detajet e parashtrimeve të paraqitura më herët nga Sina.

Ndërkohë gjyqtarja Gjoka e pranishme në seancë me avokaten Romina Zano, vuri në dijeni trupën për një konflikt të mundshëm interesi mes saj dhe Komisionerit Ballhysa. Gjoka tha se ajo kishte marrë vendim në një çështje që përfshinte Komisionerin dhe donte të bënte me dije situatën. Ajo tha se ia linte në dorë Ballhysës të vlerësonte nëse në këtë rast kishte konflikt interesi qoftë edhe në dukje.

Ballhysa tha në seancë se ai nuk kishte pasur më parë dijeni për këtë vendim. Ai i tha trupës se koha shtesë do të shërbente edhe për të shqyrtuar rastin dhe marrë masat e duhura ligjore për përfaqësimin e Komisionerit Publik në seancë.

Trupa që po shqyrton çështjen e përbërë nga Sokol Çomo, kryesues, Natasha Mulaj relatore, me anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla pasi mori 15 minuta për tu këshilluar vendosi të pranojë kërkesën. Seanca u shty për në 26 maj.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në shkurt të vitit 2020. Por vendimi për Gjokën u ankimua nga ish-Komisioneri Publik Dariel Sina, kryesisht për probleme në kriterin e pasurisë. Në ankim Sina thotë se Gjoka nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme dhe i kërkon KPA që të vendosë shkarkimin e saj.

Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *