Kreu i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli, | Foto : LSA
KPA

KPA u nda për pasurinë dhe profesionalizmin e Alfred Agollit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 13 korrik me shumicë votash lënien në fuqi vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli.

Ashtu si KPK, shumica e trupit gjykues të Kolegjit e përbërë nga relatorja Rezarta Schuetz dhe anëtarët Natasha Mulaj dhe Ardian Hajdari, konkluduan se Agolli ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia duke deklaruar në mënyrë të pasaktë burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 68,5 m2 në Gjirokastër, si dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij në hetimin e dy çështjeve penale, ku në njërën prej tyre ngrihen dyshime se ka favorizuar një magjistrat tjetër.

Kryesuesja Albana Stylla dhe anëtarja Ina Rama kanë dalë në pakicë duke vlerësuar mbi parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit dhe i kanë konsideruar konkluzionet e Komisionit për kontrollin e kriterit të pasurisë dhe të aftësive profesionale si të pamjaftueshme për t’u kualifikuar në cënim të besimit të publikut. Ndryshe nga shumica që ka lënë në fuqi shkarkimin nga detyra, pakica çmon se Agolli ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e të tria kritereve të rivlerësimit.

Vendimi i KPK u ankimua nga prokurori Agolli që ngriti pretendime, si në lidhje me procesin e rregullt ligjor, ashtu dhe për konkluzionet e arritura në hetimin për pasurinë dhe profesionalizmin. Kolegji i ka rrëzuar shkaqet që lidhen me shkelje procedurale, pasi nuk ka gjetur veprime apo mosveprime të Komisionit të cilat të kenë cenuar të drejtat e subjektit për një proces të rregullt ligjor.

Mendimi ndryshe për pasurinë

Problemi kryesor që u evidentua prej KPK në kriterin e pasurisë ishte mosdeklarimi i një huaje për blerjen e apartamentit në Gjirokastër. Në deklaratën veting, ai kishte shënuar se ky apartament ishte blerë në shumën 3 milionë lekë në vitin 2007 dhe se likuidimi ishte kryer me lëvrimin e një kredie nga “Raiffeisen Bank”.

Në dokumentacionin e kredisë, Komisioni ka identifikuar një deklaratë të subjektit ku tregohej se i ka marrë hua në shumën 3 milionë lekë shtetasit N.Dh.. Kjo vlerë ishte përcaktuar të likuidohej pas marrjes së kredisë në “Raiffeisen Bank”, por sipas KPK subjekti nuk e ka deklaruar huanë.

Po ashtu, KPK konstatoi se Agolli nuk e vërtetoi me dokumentacion provues përdorimin dhe kthimin e huasë në shumën 3 milionë lekë, si dhe burimin e ligjshëm të të ardhurave të huadhënësit N.Dh..

Pas kalimit të barrës të provës, Agolli ka sqaruar para Komisionit se nuk kishte pasqyruar marrjen e huasë në deklaratat periodike dhe në atë veting pasi ishte marrë vetëm për pak ditë dhe e kishte harruar këtë fakt. Por ky pretendim nuk është vlerësuar bindës nga KPK.

Edhe në Kolegj, Agolli ka paraqitur të njëjtin pretendim, duke sqaruar se huaja është marrë për një afat të shkurtër e qëllim përfundimin e procedurave të kredisë. Ai e ka quajtur si një gabim që i atribuohet harresës dhe se është rikujtuar vetëm kur Komisioni ka paraqitur rrethanat.

Kolegji konstaton se subjekti ka deklaruar data të ndryshme për pagesën e çmimit të blerjes së pasurisë, duke krijuar konfuzion në përcaktimin e saktë të situatës reale që ka ndodhur mes tij, shitësit, huadhënësit dhe drejtueses rajonale të bankës, e cila shfaqet në cilësinë e një “ndërmjetëseje”.

“Subjekti i rivlerësimit nuk ka përmbushur detyrimet ligjore sipas të cilave do të duhej të kishte deklaruar huan nga z. Dh. si burim të krijimit të pasurisë, dhe as të dhënat e huadhënësit”, vëren shumica e Kolegjit dhe ashtu si KPK e konsideron jo bindës argumentimin e Agollit se kishte harruar për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar prej 12 vitesh.

“Ligji nuk rezulton të ketë bërë diferencim mes llojit të huave, afatgjata apo afatshkurtra, si burim krijimi pasurish. Subjekti i rivlerësimit në asnjë moment nuk ka deklaruar lidhjen e tij të interesit me z. Dh., duke u gjendur kështu në situatën e një deklarimi të pasaktë dhe të paplotë”, vlerëson shumica.

Gjithashtu, Kolegji konstaton mospërputhje mes deklarimeve të subjektit të rivlerësimit në deklaratën ‘veting’, atyre gjatë procesit të rivlerësimit dhe përmbajtjes së dokumenteve të kohës dhe e konsideron këtë mënyrë deklarimi të paqartë dhe kofuze. […]Duke bërë që sjellja e tij në raport me qëllimin e procesit për kriterin e pasurisë të mos arrijë nivelin e besueshëm[…], vlerëson shumica dhe konkludon se Agolli me veprimet dhe mosveprimet e tij lidhur me deklarimet e tij të burimeve të krijimit të apartamentit, ka cënuar besimin e publikut.

Pakica ndan të njëjtin qëndrim me shumicën sa i përket pasaktësisë në deklaratën ‘veting’ lidhur me mosdeklarimin e huas si burim krijimi për apartamentin.

Por sipas Shtyllës dhe Ramës, këto pasaktësi nuk mund të konsiderohen se janë të mjaftueshme për të arritur të konkluzionin se subjekti nuk ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Gjithashtu, pakica vlerëson se Agolli nuk ka kryer veprime apo sjellje të tilla që mund të passjellin cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Sipas pakicës, deklarata noteriale e vitit 2007 e nënshkruar nga subjekti dhe huadhënësi, e administruar në dosjen e kredisë së Raiffeisen Bank, merr një rëndësi të posaçme për vlerën e saj provuese si një akt i krijuar në kohën kur ka ndodhur transaksioni për pagimin e çmimit të blerjes së pasurisë.

“[…]E parë në harmoni me provat e tjera të sipërcituara, çmohet nga pakica se krijon bindjen se burimi që ka shërbyer për pagimin e çmimit të pasurisë, në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitjes, në datën 20.06.2007, ka qenë huaja e dhënë nga z. N. Dh.”, çmojnë Shtylla dhe Rama dhe konsiderojnë se koha shumë e shkurtër e ekzistencës së kësaj marrëdhënieje dhe shuarja e saj nëpërmjet kredisë zbehin peshën e deklarimit të pasaktë

Pakica shton se nga analiza e kryer në Kolegj ka rezultuar se huadhënësi ka pasur mundësi të mbulojë vlerën 3 milionë lekë me burime të ligjshme dhe çmon se subjekti ka arritur të provojë burimin e ligjshëm të pasurisë së tij.

Profesionalizmi

Agolli pretendon se Komisioni ka kryer interpretim të zgjeruar të parashikimeve për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia në aspektin profesional. Subjekti argumenton se duhej të ishte marrë në konsideratë raporti i Prokurorisë së Përgjithshme dhe e konsideron vendimin e KPK të pambështetur në prova dhe të pavërtetë, duke shkelur parimin themelor të pavarësisë së pushtetit gjyqësor

Agolli ka pretenduar se KPK ka marrë rolin e gjykatës duke konkluduar se një vendim i tij për mosfillimin e procedimit penal ndaj një gjyqtari në vitin 2013 ka qenë i padrejtë.  Sipas subjektit faktet objekt kallëzimi ishin të njëjta me ato që ishin hetuar edhe më parë në vitin 2011, kur ishte vendosur pushimi hetimeve.

Shumica e Kolegjit i ka vlerësuar të pabazuara pretendimet e Agollit duke theksuar faktin se kallëzimi i vitit 2013 nuk referon të njëjtat fakte dhe kërkesa për hetim sikurse ai i vitit 2011.

KPA vëren se në kallëzim pretendohej se pala ndërgjyqëse kishte hartuar dhe i dorëzoi gjyqtarit vendimin që do të shpallej nga ky i fundit, në ambientet e gjykatësvtë mbikëqyrura nga elementet e sigurisë të instaluara pikërisht për këtë qëllim.

“Konkluzionet e Komisionit se subjekti nuk ka respektuar detyrimin ligjor për të filluar procedimin penal, nuk ka kryer hetime paraprake, si dhe nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme hetimore për kallëzimin e vitit 2013, apo se nuk ka arsyetuar vendimin e mosfillimit, nuk përbëjnë tejkalim të tagrave të Komisionit”, vlerëson KPA.

Për një rast tjetër, Agolli pretendon se Komisioni ka anashkaluar problemet që janë eidentuar nga Prokuroria e Përgjithshme, që i janë atribuar një prokurori tjetër që e ka hetuar çështjen më parë.

Kolegji e cilëson të paqartë vlerësimin e KPK se mangësitë e konstatuara në aspektin profesional nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit. Por nga ana tjetër, shumica vlerëson se dy çështjet penale të analizuara në funksion të kriterit të vlerësimit profesional, një ndër të cilat lidhet me kallëzimin penal në ngarkim të një funksionari të sistemit të drejtësisë, kanë dëshmuar se subjekti i rivlerësimit me veprimet dhe mosveprimet e tij që favorizonin një magjistrat tjetër, krijonte kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut duke cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Lidhur me kallëzimin penal të kryer ndaj gjyqtarit, pakica sjell në vëmendje se pretendimi i kallëzuesit nuk rezulton të jetë shoqëruar me ndonjë element provues apo që jepte indicie për ngjarjen e ndodhur.

Nisur dhe nga argumentimi i Agollit në vendimin e mosfillimit, i cili ka sqaruar se këqyrja e pamjeve filimike ishte e pamundur për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar, pakica vlerëson se kallëzimi penal ka mbetur i pambështetur me të dhëna të vlefshme për të regjistruar një procedim penal.

“[…]Pakica çmon se vlerësimi i rrethanave konkrete të pretenduara në kallëzim e të vëna në dijeni të subjektit me vonesë, nuk lejonin plotësisht ushtrimin e funksioneve në nivelin e duhur e të kënaqshëm, në përputhje me dispozitat ligjore procedurale në fuqi”, arsyeton pakica. Edhe gjetjet e tjera janë vlerësuar se nuk mundtë ngrihen në nivelin e një shkelje që vlerësohet me peshë në procesin e rivlerësimit të Agollit.

“Në vlerësimin tonë, problematikat e hasura në të dyja çështjet e analizuara, nuk konsiderohen as serioze dhe as të rënda, për pasojë ato nuk afektojnë konkluzionin se subjekti arrin nivel minimal kualifikues”, vlerësojnë Shtylla dhe Rama dhe konkludojnë vendimi i KPK për Agollin duhej të ishte ndryshuar dhe subjekti të konfirmohej në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *