Gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor Vlorë, Herila Çela në KPK | FotoL LSA
Analiza KPK

KPK: Gjyqtarja Herila Çela bëri deklarim të pamjaftueshëm dhe cënoi besimin e publikut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra më 30 tetor 2023 gjyqtaren e Vlorës, Herila Çela, pasi u konkludua se gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë, ndërsa në vlerësimin tërësor u çmua se kishte cënuar besimin e publikut për shkak të përfitimit të të ardhurave nga fondet publike nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortit, si dhe për shkak të probleme profesionale. Megjithatë, ajo u vlerësua me nivel kualifikues për profesionalizmin dhe se ka arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës.

Vendimi për shkarkimin e gjyqtares Çela u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Ky i fundit ka dalë me mendim paralel, duke kundërshtuar konkluzionet për shumicën e shkaqeve shkarkuese në kriterin e pasurisë, si dhe për konkluzionin që ka të bëjë me cënimin e besimit të publikut.

Herila Çela e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe punoi për dy dekada pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vendimet e gjyqtares Herila Çela janë bërë dy herë objekt i kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor të saj dhe në vitin 2014 i’u vendos masa “vërejtje me paralajmërim”, por kjo masë u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit.

Në vendimin prej 122 faqesh, Komisioni parashtron hetimin administrativ të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit për gjyqtaren Çela, si dhe konkluzionet përfundimtare në të cilat është bazuar shkarkimi nga detyra, shumica e të cilave kundërshtohen nga anëtari Lulzim Hamitaj në një mendim paralel, i cili gjen me problem vetëm një gjetje për pasurinë.

KPK nuk ka konstatuar probleme në 11 pasuri të paluajtshme që subjekti i ka përfituar me trashëgimi nga nëna, pasi kjo e fundit ka qenë pronare e një trualli të dhënë për zhvillim. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme për disa depozita dhe automjete.

Por, analiza financiare e përgjithshme për periudhën 1997-2016 e ka nxjerrë me një bilanc negativ në vlerë të konsiderueshme, pjesa më e madhe të cilit rrjedh nga hetimi i kyer për një shumë të investuar nga bashkëshorti subjektit në vitin 2010, në shoqërinë ku ai ishte ortak i vetëm.

Sipas analizës përfundimtare, subjekti dhe personat e lidhur kanë rezultuar me mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën 848 mijë lekë gjatë periudhës 1997-2003 për krijimin e një depozite dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera; në pamundësi në vlerën 1 milion lekë për krijimin e dy depozitave në vitin 2006; me bilanc negativ në shumën rreth 1.8 milion lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2012; rreth 2.1 milion lekë është konkluduar pamundësia për krijimin e dy depozitave në vitin 2011 pasi ka rezultuar balancë negative për një depozitim të kryer në 2004-ën, të deklaruar ai burim për depozitat e mëvonshme; në vitin 2010 është konstatuar pamundësi 1 milion lekë për shtimin e likujditeteve dhe kryerjen e shpenzimeve; si dhe një balancë negative e në shumë 235 mijë lekë për blerjen e një automjetit në 2007-ën.

Analiza financiare e Komisionit është kundërshtuar nga gjyqtarja Çela e cila ka paraqitur versionin e saj sipas të cilit mbetet një bilanc negativ në shumën totale 405 mijë lekë, pamundësi për të cilën ëshhtë shprehur se, bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit nuk mund të përbëjë shkak për për marrjen e masës disiplinore të shkarkimit.

Këto shkaqe janë kundërshtuar edhe nga komisioneri Lulzim Hamitaj që ka dalë me mendim paralel. Lidhur me pamundësinë për krijimin e depozitave në vitin 2006, Hamitaj shprehet se ai konkludon për mjaftueshmërinë e burimeve duke u bazuar në pretendimin e subjektit se nëna ka përfituar 1 milion lekë nga shitja e një sipërfaqe toke në shtator të 2006-ës, në formën e paradhënies. Sipas tij, megjithëse ky pretendim mbetet i paprovuar, duket bindës për shkak se edhe pse toka ishte përfituar nga nëna e subjektit në 2003-in, ishte regjistruar në vitin 2007.

“…Duket e mundshme që pas fitimit të pronësisë dhe në prag të regjistrimit të saj palët mund të përfshiheshin (në) negocime mbi një shitblerje për ta formalizuar më tej, duke u impenjuar (në mirëbesim) nëpërmjet paradhënies së një pagese (kapari)”, argumenton Hamitaj dhe rendit edhe rrethana të tjera për të cilat thotë se krijojnë bindjen se depozita është krijuar me të ardhurat nga shitja e tokës nga nëna, ashtu si ka pretenduar dhe subjekti.

Pamundësinë e konstatuar për periudhën 1997-2003, Hamitaj e konteston me faktin se bilanci negativ është përllogaritur nëpërmjet një marzhi fitimi hipotetik, të pabazuar në ndonjë të dhënë konkrete të rastit specifik apo në dokumentacion zyrtar vlerësues. Po ashtu, ai sjell në vëmendje se pamundësia financiare është bazuar në marzhin e fitimit të hipotizuar për të ardhurat e bashkëshortit në vitet 2001 e 2002, kur ende nuk kishin lidhur martesë.

Hamitaj argumenton ngjashëm edhe lidhur me konkluzionin për pamundësinë e krijimit të dy depozitave në vitin 2011. Sipas tij, ky konstatim rrjedh gjithashtu nga mënyra e përllogaritjes hipotetike, për sa kohë u referohet burimeve të krijuara pjesërisht para martesës, që janë realizuar nga bashkëshorti në atë periudhë.

Lidhur me pamundësinë për blerjen e një automjeti në vitin 2012, Hamitaj konstaton se bilanci negativ ka ardhur pasi është konsideruar nga shumica se çmimi është shlyer në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, duke mos u konsideruar pretendimi i subjektit se pagesa është kryer në 2011-ën kur dhe është bërë porosia, vit në të cilin Çela dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për shlyerjen e vlerës së makinës.

Ndërkohë, Hamitaj i bashkohet shumicës në kokluzionin për mosjustifikimin e shumës 9.9 milion lekë të paraqitur në dhjetor të 2010-ës në zërin “Të drejta e e detyrime ndaj ortakëve” të pasqyrave të shoqërisë së bashkëshortit të subjektit, kur ai ishte në cilësinë e ortakut të vetëm.

Megjithëse subjekti ka shpjeguar se bëhej fjalë për një gabim material në këto pasqyra, sipas Komisionit ka rezultuar e provuar se ky zë në vitin 2009 paraqitet me vlerën zero lekë, ç’ka nënkupton se nga ana e bashkëshortit të subjektit është shtuar vlera 9.9 milionë lekë gjatë vitit 2010. KPK konstaton gjithashtu se kjo shumë është pakësuar në vitet 2011 dhe 2014 dhe arrin në konkluzionin se subjekti dhe bashkëshorti nuk paraqitën dokumentacion ligjor justifikues lidhur me vlerën 9.9 milionë lekë. Të njëjtin mendim ndan edhe Hamitaj për këtë gjetje që e konsideron të vetmin konstatim penalizues ndaj gjyqtares Herila Çela.

Cënimi besimit

KPK konstaton se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti kanë krijuar të ardhura apo përfitime si pasojë e situatës së konfliktit të interesit, duke lidhur kontrata me institucione tё ndryshme publike, nga për rrjedhojë janë gjendur në kushtet e konfliktit të interesit. Në vendim thuhet se nga verifikimi i dokumenteve të administruara në dosjen e ILDKPKI, rezulton se shoqëria e zotëruar nga bashkëshorti i subjektit është shpallur fitues në disa procedura të prokurimit publik deri në vitin 2017.

“Komisioni vëren se shoqëria “***” sh.p.k., me ortak personin e lidhur/bashkëshorti i subjektit Th. L., është shpallur fituese në disa prokurime publike dhe ka lidhur kontrata me institucione tё ndryshme publike, në zonën e kompetencës territoriale të gjykatës ku subjekti ushtron detyrën”, citohet në vendim.

Në vijim thuhet se gjyqtarja Çela nuk ka ndërmarrë hapa që të shkëpusë interesat e saj financiarë nga bashkëshorti.

Megjithëse Komisioni nuk ka gjetur probleme penalizuese në aspektin profesional, gjetjet janë shqyrtuar në vlerësimin tërësor. “[…]Trupi gjykues çmon se duke marrë në konsideratë problematikat lidhur me situatën e konfliktit të interesit në përftimin e të ardhurave nga fondet publike, përfshirë edhe gjykatën në të cilën subjekti ushtronte funksionin, si dhe problematikat e evidentuara në vlerësimin profesional dhe denoncimet nga publiku, […], subjekti i rivlerësimit e ka cënuar me sjelljen e tij besimin e publikut te sistemi i drejtesisë”, vlerëson shumica e trupës së KPK që vëren se problemet e evidentuara janë nga ankesat dhe denoncimet e publikut, që janë gjetur të drejta pas hetimit administrativ.

Hamitaj ka dalë edhe kundër këtij konkluzioni. Megjithëse ai shprehet se qëndron konstatimi i përfitimit të të ardhurave nga shoqëria e bashkëshortit të subjektit nëpërmjet lidhjes së kontratave të shërbimit me institucione publike, në kushtet e konfliktit të interesave – kjo rrethanë, sipas tij, nuk përbën në vetvete shkak të mjaftueshëm për shkarkim.

“Ky lloj konflikti interesash nuk lidhet me vlerësimin e aftësive profesionale apo me etikën e vetë subjektit në raport me dosje të shqyrtuara nga subjekti në konflikt interesi me palët e çështjes/ve në proces, por me përfitimin financiar të një pjese të vogël të të ardhurave të gjeneruara (në konflikt interesi) nga shoqëria, ku ishte ortak (dhe jo administrator) bashkëshorti i subjektit”, konstaton Hamitaj dhe shton se nisur nga fakti se kontratat nuk janë nëshkruar nga gjyqtarja Çela dhe bashkëshorti i saj, nuk mund të merret e mirëqenë dijenia e subjektit për lidhjen e këtyre kontratave të shërbimit.

Sipas Hamitajt, pesha specifike e këtyre shërbimeve me institucione publike zbehet edhe më shumë nga momenti që e njëjta shoqëri ka lidhur kontratë dhe i ka ofruar shërbime edhe vetë organit kontrollues të konfliktit të interesave, ILDKPKI-së. Ai shton se vlera financiare e përfituar nga kontratat ka qenë minimaliste në raport me të ardhurat e gjeneruara nga shoqëria e bashkëshortit të subjektit dhe nëse do të kishin pasur dijeni mbi gjendjen e konfliktit të interesit do ta kishin shmangur, pa ndikuar në mënyrë përcaktuese bilancet e veprimtarisë private.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *