Prokurori Valentin Preçi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA.
KPK Lajme Veting

Rihapja e hetimeve, KPK dëgjon sërish prokurorin Valentin Preçi

Prokurori i Tiranës Valentin Preçi dha shpjegime të reja të martën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi hetimet ndaj tij u rihapën pas një denoncimi.

Preçi, seanca dëgjimore ndaj të cilit u zhvillua në 19 dhjetor të vitit që shkoi, u përqendrua më së shumti në atë që pretendoi se ishin fakte të reja në lidhje me pasurinë e tij. Pasi KPK paraqiti shkurtimisht faktin që hetimet ishin hapur për një denoncim dhe Preçi kishte sjellë shpjegime, prokurori këmbënguli të kundërshtonte analizën financiare të KPK-së.

Ai tha në seancë se KPK kishte llogaritur gabimisht, si të ardhura nga ndihma sociale që familja e tij kishte marrë në Ohajo të SHBA në para dhe ushqime, një shumë prej 9600 dollarë. Preçi pretendoi se ky përfundim ishte i gabuar dhe shuma e saktë ishte mbi 21 mijë dollarë.

Prokurori dha shpjegime të detajuara në mënyrën se si ishte përfituar ndihma, duke vënë në dukje se KPK gabimisht kishte llogaritur ndihmën në ushqime si të dhënë vetëm për një muaj të çdo periudhe dhe jo 4 muaj saç ishte. Sipas prokurorit ndihma në ushqime ishte 259 dollarë në muaj.

Preçi po ashtu këmbënguli se denoncimet, që kishin të bënin me hetimet mbi zhvendosjen e një shtyle të tensionit të lartë, nuk cënonin profesionalizmin e tij.

Në seancën e parë Preçi u përball me një analizë financiare negative prej rreth 7 milionë lekësh. Bazuar në raportin e lexuar nga Xhensila Pine, relatorja e çështjes ndaj tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Preçi rezultonte me mungesë të ardhurash të ligjshme në disa vite, kryesisht për shkak të transaksioneve me një kredi, të ardhurave të patatuara të bashkëshortes, dyshimet mbi një hua dhe mënyrës së deklarimit të kursimeve cash.

Preçi  dhe avokatja Romina Zano kundërshtuan gjetjet e Komisionit. Në fjalën e tij, prokurori tha përmbledhtas se bazuar në argumentet që kishte paraqitur, priste konfirmimin në detyrë. Zano lexoi argumentet e tij sa i përket kriterit të pasurisë, duke këmbëngulur se ishin sjellë prova të mjaftueshme për të rrëzuar barrën që i ishte kaluar nga Komisioni.

Prokurori Valentin Preçi i Prokurorisë së Tiranës po përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar.  Valentin Preçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *