KPK: Gjyqtarja Klodiana Gjyzari cënoi besimin te drejtësia

Analiza dhe Opinione
Në vendimin e arsyetuar për gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari, KPK ekspozon probleme të pasurisë dhe një rast të konfliktit të interesit, por edhe një seri vendimesh të denoncuara për shkelje, mes të cilave edhe gjykimin e një të vdekuri.

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Më 1 shkurt, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari, pas përfundimit se ajo nuk arriti nivelin e besueshëm për pasurinë dhe në vlerësimin tërësor të çështjes, për cenim të besimit të publikut te drejtësia.

Trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin konstatoi mungesa financiare në vlera të mëdha për krijimin e pasurive, kryerjen e investimeve gjatë periudhës së rivlerësimit 2003-2016. Gjithashtu u konstatua konflikt interesi në blerjen e një apartamenti tek një shoqëri ndërtuese, që kishte qenë palë paditëse në një proces të shqyrtuar prej Gjyzarit, disa muaj para se ajo ta dispononte këtë pasuri.

Ndërkohë, Komisioni ka rrëzuar si të pabazuar një raport të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK që ngrinte dyshime për përfshirje të subjektit të rivlerësimit për veprime të kundërligjshme në sistemin e drejtësisë.

Mungesë burimesh për pasurinë

Për blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 102 m2 në Vlorë me çmim 3 milionë lekë në vitin 2006, gjyqtarja Gjyzari ka deklaruar si burim paratë e ish-bashkëshortit në shumën 3.5 milionë lekë, të dhëna prej prindërve të tij pas shkëputjes nga ekonomia e përbashkët në vitin 2001.

Gjyzari ka shpjeguar se kjo vlerë përbëhet nga shuma 1 650 000 lekë, që rrjedh nga shitja e një apartamenti në Berat në prill të vitit 2001 dhe diferenca nga të ardhurat e nxjerra nga aktiviteti i përbashkët tregtar.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Gjyzari nuk ka provuar burimin e ligjshëm të kësaj pasurie, pasi prindërit e ish-bashkëshortit nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e shumës së pretenduar prej 3.5 milionë lekësh.

Kur është pyetur nga Komisioni lidhur me faturat e energjisë eletrike dhe të ujit, Gjyzari ka deklaruar se apartamenti u është dorëzuar në korrik të vitit 2004, pavarësisht se kontrata e shit-blerjes është nënshkruar në 2006-ën. Sipas trupit gjykues, Gjyzari e ka përdorur këtë pasuri në periudhën 2004-2006 pa kundërshpërblim dhe nuk e ka pasqyruar këtë fakt në deklaratat periodike të viteve 2004 dhe 2005.

Komisioni ka evidentuar se subjekti ka shqyrtuar në vitin 2003 një çështje me palë paditëse shoqërinë ndërtuese, që disa muaj më vonë i ka dhënë në disponim apartamentin me sipërfaqe 102.22 m2. Nga verifikimi i çështjes gjyqësore ka rezultuar se Gjyzari i ka dhënë të drejtë shoqërisë ndërtuese, që padiste pronarët e truallit ku do të ndërtohej një pallat.

Sipas trupit gjykues, gjyqtarja Klodiana Gjyzari është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit me shoqërinë ndërtuese gjatë transaksionit për blerjen e apartamentit, nën çmimin e tregut dhe përdorimin e tij pa kundërshpërblim për 2 vjet.

Pamundësi financiare është konstatuar edhe për blerjen e një automjeti tip “Volksëagen Golf” në vitin 2016 për çmimin 100 mijë lekë, ku si burim krijimi ka deklaruar kursimet. KPK vëren se subjekti nuk ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash dhe konkludon se Gjyzari ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këtë pasuri.

Sipas KPK, Gjyzari nuk ka pasur burime të ligjshme edhe për krijimin e dy depozitave, një në shumën 550 mijë lekë në vitin 2010 dhe 150 mijë lekë në vitin 2015.

Komisioni ka hetuar edhe pasuritë e ish-bashkëshortit. Trupi gjykues konkludon se Gjyzari nuk ka arritur të provojë burimin e pasurive të krijuara prej bashkëshortit, të deklaruara në vitin 2003, konkretisht të dy automjeteve, një tip “Renault” në vlerën 1 milion lekë dhe një tip “Honda” në shumën 600 mijë lekë – si dhe gjendjes cash në shumën 3.5 milionë.

Sipas KPK, subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion dhe nuk ka rezultuar që ish-bashkëshorti të ketë krijuar të ardhura të ligjshme deri në fund të vitit 2003, kur janë deklaruar këto pasuri.

Nga analiza financiare e KPK-së për periudhën 2003 – 2016, subjekti ka rezultuar me pamundësi financiare për krijimin e pasurive, kryerjen e investimeve dhe të shpenzimeve në vlerën totale të 9 milionë lekëve.

Gjetjet për profesionalizmin

Për dosjet e shortuara, Komisioni arrin në konkluzionin se Gjyzari ka arritur nivel minimal kualifikues. Ndërkohë, trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk ka dhënë shpjegime shteruese lidhur me disa çështje të denoncuara nga publiku dhe të trajtuara nga KPK.

Në vendimin e arsyetuar pasqyrohen disa çështje të shqyrtuara prej gjyqtares Gjyzari, për të cilat i është kaluar barra e provës.

Sipas KPK-së ka rezultuar se me anë të një vendimi të janarit 2018, Gjyzari në cilësinë e relatores së çështjes ka vendosur deklarimin e pafajshëm të një të akuzuari për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, duke mos marrë në konsideratë akt-ekspertimin daktiloskopik të Institutit të Policisë Shkencore, ku kanë rezultuar se gjurmët e konstatuara i përkisnin të pandehurit, si dhe as deklarimin pronarit të mjetit të vjedhur. Pas kalimit të barrës së provës, Gjyzari është shprehur se nuk kishte shpjegime të tjera për këtë çështje.

Në një çështje civile ku pala paditëse, nëna e një fëmije të mitur kërkonte kujdestarinë, Gjyzari ka vendosur t’i lërë palës së paditur fëmijën për rritje, duke mos marrë në konsideratë se babai ishte pa arsim të detyrueshëm dhe i dënuar me disa vite burgim dhe se ndaj tij ishte kërkuar urdhër-mbrojtje për dhunë në familje. Ndërkohë, është konstatuar edhe tejkalim i afateve për shqyrtimin e kësaj çështje. Gjyzari është shprehur se nuk kishte shpjegime të tjera veç argumenteve që kishte pasqyruar në vendim.

Një tjetër denoncim ka zbuluar se Gjyzari në cilësinë e relatores së çështjes ka shqyrtuar një çështje të gjykuar, ku e drejta e padisë ka qenë e parashkruar.

KPK ka verifikuar edhe një vendim të marsit 2019, mbi një çështje penale të shqyrtuar në Gjykatën e Apelit të Vlorës në mungesë të të gjitha palëve. Në vendim thuhet se trupa nuk ka marrë në konsideratë mbylljen e menjëhershme të hetimit nga prokurori; nuk ka marrë parasysh të metat e mëdha të akt-ekspertimit; nuk ka vlerësuar pamjet filmike të vendit të ngjarjes si dhe nuk vlerësuar pretendimet e palës ankimuese për moskryerjen e një sërë veprimesh procedural.

Sipas KPK, trupi gjykues i Apelit Vlorë ka dalë me vendim duke u mbështetur vetëm në një provë të vetme, që bie në kundërshtim dhe me provat e tjera të administruara në dosje.

“…Rezultoi një nonsens në këtë vendim, pasi nga njëra anë trupi gjykues çmon se del e nevojshme kryerja e një sërë veprimesh të tjera hetimore dhe nga ana tjetër shpall vendimin për pushimin e çështjes penale,” citohet në vendim.

Një denoncim nga publiku ka zbuluar se gjyqtarja Klodiana Gjyzari ka gjykuar një person që kishte ndërruar jetë. Komisioni konstaton se në vendim nuk gjendet asnjë referencë lidhur me gjendjen juridike apo gjendjen civile të palës së paditur dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka administruar të dhënat lidhur me gjendjen civile.

Ndërkohë, një vendim i dhjetorit 2018 nuk është zbardhur në kohë dhe nuk i është vënë në dispozicion palëve brenda afatit ligjor të përcaktuar nga Kodi i Procedurës Civile.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka dhënë shpjegime shteruese lidhur me çështjet e trajtuara dhe çmon se shmangia e përgjigjeve krijon bindjen se gjetjet qëndrojnë dhe janë të sakta.