Prokurorja Elisabeta Imeraj gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

KPK shtyn vendimin për prokuroren Elisabeta Imeraj

Komisioni i Pavarur u Kualfikimit shtyu të premten në mëngjes vendimin për kreun e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj.

Prokurorja Elisabeta Imeraj gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto : LSA

Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator dhe Suela Zhegu anëtare, shtyu të premten shpalljen e vendimit për kreun e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj.

KPK nuk dha sqarime për arsyen e shtyrjes së vendimit ndaj Imeraj. KPK gjithashtu nuk saktësoi datën kur do të shpallej vendimi.

Shtyrja e vendimit të KPK-së vjen pas një seance të paprecedentë dëgjimore të mbajtur të mërkurën, ku vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit për një seri të gjatë veprash penale, përfshirë përgjime të paligjshme dhe shantazhim të anëtarëve të KPK-së, akuza të cilat Imeraj i kundërshtoi ashpër.

Gjatë një përplase që zgjati prej më shumë se 5 orë, Jacobs deklaroi se kryprokurorja e Tiranës kishte ushtruar nëpërmjet një ‘përpjekje të organizuar’  ndikimin të paligjshëm në proces.

Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit se kishte vënë njerëz që të ndiqnin dhe të fotografonin kolegun e tij Hans Kijlstra – tashmë i larguar nga ONM, duke synuar të siguronte fakte kompromentuese ndaj tij.

Ai po ashtu veçoi dorëheqjen e ish-relatores Etleda Çiftja, e cila shprehej se kërkonte të tërhiqej pasi 7-8 persona i ishin afruar për t’i kërkuar “qëndrim më fleksibël” në çështjen ndaj Imerajt.

Jacobs aludoi se anëtarët e trupës gjykuese të KPK-së po i fshihnin faktet e rënda nga seanca dëgjimore.

Imeraj i mohoi me forcë akuzat e Jacobs si trillime të pavërteta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *